Uji Dea

Trepça, ky gjigant i harruar

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Vjosa Osmani – Gjiganti i dikurshëm Trepça përbënte rreth 70% të pasurisë së përgjithshme minerare të ish-Jugosllavisë dhe ishte njëri ndër motorët e ekonomisë jo vetëm kosovare, por edhe asaj jugosllave, me rreth 22.000 punëtorë të punësuar, që përfaqësonte rreth 10% të forcës punëtore në tërë Kosovën. Kjo minierë u shfrytëzua nga regjimi jugosllav dhe frytet e saj shumë pak u shijuan nga qytetarët e Kosovës.

Fatkeqësisht, situatë thuajse e ngjashme është edhe pas përfundimit të luftës edhe për shkak të neglizhencës që është treguar në raport me këtë gjigant. Duke mos e bërë prioritet, Qeveria ka dëshmuar se nuk është e interesuar ta rivitalizojë Trepçën dhe rrjedhimisht ta ulë numrin e papunësisë në rajonin e Mitrovicës dhe më gjerë.

Në përgjithësi, Qeveria do të duhej t’i kushtonte një vëmendje më të madhe aktiviteteve si prodhimi, meqë prodhimi është ai sektor që sjell më shumë punësim për qytetarët. Aktualisht Trepça prodhon me kapacitete mjaft të limituara. Kjo shprehet mjaft keq në prodhimin e përgjithshëm industrial të Kosovës dhe në eksport, sepse pjesa dërmuese e produkteve të Trepçës eksportohej, prandaj edhe bilanci tregtar i Kosovës do të përmirësohej dukshëm me rivitalizimin e Trepçës.

Për riaktivizimin e Trepçës nevojiten investime relativisht të mëdha, të cilat duhet të sigurohen nga partnerët ekonomikë të jashtëm. Për fat të keq, për shkak të imazhit të rëndë investues në Kosovë dhe raporteve të shumta ndërkombëtare të cilat portretizojnë Kosovën si një vrimë të zezë në Evropë, ku përdoren mjete primitive ndaj investitorëve të huaj (si reketimi, kërcënimi dhe shantazhimi) interesimi i investitorëve potencialë është pothuajse joekzistent.

Eco Higjiena

Kjo Qeveri nuk ka bërë asgjë për të ofruar mbështetjen e plotë që mundësitë e investimit në Trepçë dhe në të gjithë Kosovën të realizohen me sukses. Situatë e njëjtë mbizotëron edhe me rivitalizimin e Kompleksit “Brezovica” dhe me përfitimin nga eksporti i linjitit.

Situata ligjore rreth Trepçës është jashtëzakonisht komplekse. Ka dhjetëra kompani që pretendojnë pronësi ose thirren si investitorë, dhe menaxhmenti i Trepçës ka dhënë një pasqyrë të qartë të këtyre pretendenteve, dhe kategorizimin e tyre. Në anën tjetër, gjyqësori në Kosovë ka shpallur moratorium mbi këto kërkesa, prandaj paqartësitë ligjore vazhdojnë.

Miratimi i Ligjit për Trepçën, ashtu siç është prezantuar në kërkesën e LDK-së në Kuvend, përveç që ka për qëllim qartësimin e çështjeve ligjore, do të mund të përfshinte edhe strategjinë për rivitalizimin e kësaj ndërmarrjeje. Këtë ia kemi borxh minatorëve të Trepçës, ia kemi borxh Mitrovicës, por edhe zhvillimit ekonomik të tërë Kosovës. Trepça gjithnjë ka qenë e veçantë, prandaj edhe duhet të trajtohet në mënyrë të veçantë.

(Autorja është deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe anëtare e Kryesisë së LDK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën “Tribuna”)