KKVITI

Tregu i zi i diturisë

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Xhemal Ahmeti – Shqiptarët asgjë nuk e marrin seriozisht – shkollën edhe më hiç. Po që primatët shqiptarë të besonin të kenë shkolla të mira nuk i dërgonin fëmijët e tyre në shkollat turke, amerikane e gjetiu. Ndoshta jo për të mësuar, por së paku për të mos u sëmurë nga shkuja.

Universitas magistrorum et scholarium – a mund të thuhet kjo edhe për shkollat shqiptare? Sipas rasteve, dramave e skandaleve të njëpasnjëshme që fabrikojnë “shtëpitë e dijes“ kohëve të fundit – jo! Një kulaifikim të tillë as që guxojmë ta pëshpëritim pa zë si një mundësi eventuale, futuriste e lere më ta besojmë.

Muajve të fundit janë botuar plotë tekste studentësh, ish-akademikësh, studiuesish, është protestuar gjithandej dhe janë dokumentuar shkelje të ndryshme në bazat themelore të punës shkencore; punime të vjedhura nga interneti, të ridaktilografuara apo përkthyera nga e prapa dhe një seri të gjatë keqpërdorimesh të llojit. “Rektori legjitimon lëndë imagjinare“- kështu këtu në Tribuna, dje për rektorin e Universitetit të Prishtinës. Dhe lufta vazhdon. Studentët janë mbështetur për murri, dekanët janë ngjitur për foteljesh e qeveria fabrikon kulturë me këngëtarë klubesh urbane.

1.
Para një viti në Universitetin zviceran të Freiburgut u çua dyshimi që njëri nga profesorët e këtij Universiteti të ketë huazuar një citat pa e dhënë fare burimin. Punë e madhe – gabon njeriu, do të thoshin shqiptarët e stërvitur e mplakur me defekte të tilla. Por jo. Profesori qe i pari që u tërhoq nga postet që mbante në fakultet. Ai nuk u kthye as atëherë kur u vërtetua se lëshimi teknik nuk ka qenë i tij, por i njërit nga asistentët gjatë publikimit të punimit shkencor. Përkundër lutjeve të Senatit që profesori të rimarrë pozitat ai ua ktheu: “gabimi është gabim. Nëse ne që shitemi të shpërndajmë dije universale dhe t’i mësojmë studiuesit e rinj bëjmë lëshime aq fatale (!) – të cilat po u toleruan nxisin imunitet – dhe i maskojmë ato atëherë kemi gabuar detyrën dhe vendin”. Kështu foli hommo universalisi me ndërgjegje intelektuali dhe i vetëdijshëm për përgjegjësinë që ka si ligjërues.

2.
Tash kthehemi nga Zvicra sërish në Tiranë, Prishtinë a Tetovë. A mund të krahasojmë rastin e profesorit zviceran me ndonjë të shqiptarëve që për shkak të ndërgjegjes të ketë gabuar, është tërhequr? Jo? Po a askush nuk gabuaka në atë pjese të tokës ballkanike, nuk ka gabime e defekte andejpari? Apo vetë e gjithë ata që bëjnë punë brenda të jenë përgjegjësit kryesorë që universitet shqiptare me stoicizëm të pashembullt të ruajnë pozitat e fundit në të gjitha listat e mundshme të rankingut për nga kualiteti?
Jo rrallë të ndodhë të jesh adresë e gabuar dhe në “inbox” e merr një ofertë për tu bërë master, doktor, profesor – dhe kulmi i tragjedisë të bënë pikë kur zbulon se ofruesi nuk është fiktiv, virtual, por punonjës i njërës nga shkollat shqiptare që si klube hokatarësh që veshin e zhveshin tituj sikur të ishin epoletat e dovletit apo ndonjë shkolle virtuale shesin diploma nëpërmjet pay palit.

Pse kjo gjendje kaq e rëndë në Universitetet shqiptare:
Sepse rrallë studentë zënë vendet universiteteve pa lidhje nepotiste, korrupsion.

Uji Dea

Sepse rrallë doktorojnë (vetëm ata që duan me çdo kush të specializohen për diçka) studentë, punimin e të cilit mund ta publikosh edhe në gjuhë të huaja si diçka të vyeshme.
Sepse rrallë ndonjë merr titullin e profesorit pa bërryla, me ndonjë punim shkencor që do t’ia kishin zilinë edhe universitetet e huaja, ku pastaj edhe mund të angazhohej.
Sepse vetë plotë prindër gënjejnë shkollat për t’ia justifikuar mungesën e fëmijëve të tyre në shkollë.
Sepse shumica e katedrave janë farefisni të kryeministrit, ministrit, janë tabula rasa që edhe një ese të gjatë nuk dinë ta argumentojnë sipas rregullave shkencore që përdoren jashtë.

Sepse qeveritarët shqiptarë as vetë nuk e kanë kryer shkollimin e tyre jashtë këtij sistemi të sëmurë.

3.
Po ç’iu ndihmon shqiptarëve vaji të jenë keq. Askush më mirë se ata vetë nuk e dinë se në kontekst me arsimin, shkencat është duke i fshirë lumi. Këtë duket ta dinë edhe vetë primatët e vendit që fëmijët e tyre i shkollojnë kolegjeve turke apo gjetiu, më shumë që ata mos “narthin“ e skuqen nga acari sesa të mësojnë diçka, sepse e dinë që sa të funksionojë si asistemi siç është dituria as që ka vlerë relevante.

Si duket edhe kësaj radhe pikërisht ata që ndoshta nuk duhet -shikuar problemin si tërësi – do të jenë viktimat e para, ata me ndërgjegje që pranojnë defektet e rënda shkollave shqipe, tërhiqen duke lënë pas apelin që shoqëria të shtrëngohet të bëjë çmos që t’ia sigurojë vetes një shkollim të denjë.

(Autori është kolumnist i rregull i gazetës Tribuna)