Uji Dea

Traktorët e Shqipërisë

/ 3 minuta lexim

Nga Milaim Shefkiu – Në fillim të kësaj jave, Republika e Kosovës e bëri hapin më të madh drejt integrimit në Bashkimin Evropian, duke nisur negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Në takimin e parë u tha se ky proces është historik, sepse për herë të parë në mënyrë transparente, pa ndërskamca, BE-ja po ia çel dyert Kosovës.

Ndoshta edhe mund të konsiderohet historik negocimi i MSA-së nga liderët e Kosovës, sepse është zhvirgjërimi i Prishtinës në rrugëtimin drejt BE-së.

Kjo ngjarje mund të konsiderohet historike, sikur prodhimi i traktorëve në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Në një tregim që i atribuohet dëshmorit Jusuf Gërvalla thuhet se dikush nga shokët e idealit i kishte thënë: “A u gëzove që Shqipëria po prodhon traktorë!” E Jusufi i është përgjigjur: “Popujt tjerë kanë ndërtuar anije kozmike e po hipin në hënë… e ne po prodhojmë traktorë”.

Edhe në rastin tonë, derisa Kosova i nis negociatat për MSA-së, disa nga shtetet e rajonit tashmë janë në BE, ndërsa disa shtete të tjera kanë ecur shpejt në procesin integrues. Prandaj nuk ka vend që kjo ngjarje të konsiderohet historike, derisa akoma kosovarët vazhdojnë të mbeten si shtetasit e vetëm të izoluar në BE.

Megjithatë, është një rast tjetër me të cilin Kosova mund të shkruajë historinë gjatë kësaj jave. Janë zgjedhjet lokale që mbahen të dielën më 3 nëntor.

Uji Dea

Në këtë ditë Kosova e ka mundësinë të dëshmojë se është vend demokratik, ku si parim bazë respektohet e drejta e sovranit për të shprehur vullnetin e lirë dhe ku respektohet vota e tij, pa shantazhe, manipulime dhe pa presion.

Nëse procesi zgjedhor ecën sipas standardeve evropiane, atëherë këto zgjedhje shkruhen në histori dhe Kosova e meriton integrimin, sikurse meriton edhe privilegje të tjera nga ndërkombëtarët. Ndërsa, nëse përsëritet skenari i zgjedhjeve të kaluara, ku në disa vendvotime dolën më shumë vota se sa votues të regjistruar, atëherë në çdo proces dalim “sui generis”. Në zgjedhjet e kaluara diplomatët ndërkombëtarë raportuan për një ngjarje skandaloze, ku në një qendër votimi pjesëmarrja e votuesve shkoi në 114 për qind.

Ndërsa raportuesja e Parlamentit të Evropës, Ulrike Luançek, pranoi publikisht se në zgjedhjet e kaluara procesi i zgjedhjeve është manipuluar, ose thënë më thjesht, votat janë vjedhur. Deklaratat e vëzhguesve ndërkombëtarë kanë ndikuar që Kosova të mbetet e fundit në rajon në të gjitha proceset integruese. Kjo mund të lidhet edhe me mosnjohjen e pesëshes së BE-së, por fajin për zvarritjen e integrimin e kanë vetë kosovarët, ndërsa zanafilla është që në zgjedhjet e manipuluara.

E nëse vazhdon avazi i vjetër për mbushje të thasëve me vota, atëherë Kosova do të shënojë historinë me “shkronja të arta”, si vend i manipulimin, i mosrespektimit të votës demokratike dhe si vend i krimit të organizuar. Që t’i hiqet epiteti i vjedhësve, duhet sinqeritet i gjithë spektrit politik, por edhe vetëdije qytetare, se rruga e kriminalitetit është linçim i Kosovës nga BE-ja.