Mobi Casa

Times: Arabët, armiku më i keq i vetvetes

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Abdulateef al-Mulhim shkruan se ishte i prekur nga disa fotografi dhe raporte, që i kishte parë në rrjetin al-Arabiya, e që, sipas tij, është organizata e lajmeve më e respektuar në Lindjen e Mesme. Aty shihej fëmija që vdiste nga uria në Jemen, tregu mesjetar i djegur në Haleb të Sirisë, makina-bomba në Irak dhe shkatërrimi i ndërtesave në Libi.

Ajo që i lidhë të gjitha këto pamje është se shkatërrimi dhe mizoritë nuk ishin bërë nga armiku i jashtëm. Uria, vrasjet dhe shkatërrimet në këto vende arabe ishin bërë nga të njëjtat duar, që supozohet se do ta mbronin dhe ndërtonin unitetin e këtyre vendeve dhe do ta ruanin popullin e tyre. Pra, kush është armiku real i botës arabe?, shtron pyetjen autori i këtij shkrimi në gazetën “Times”, transmeton Rel.

Shumë arabë do të thoshin se ky është Izraeli, armiku i tyre i përbetuar, një armik, ekzistencën e të cilit ata kurrë nuk e kanë pranuar. Prej vitit 1948 e deri sot janë zhvilluar tri luftëra të shkallës së plotë dhe shumë konfrontime.

Por, pyetja e vështirë, të cilën asnjë arab nuk dëshiron ta shtrojë, është: cili ishte çmimi real i mosnjohjes së Izraelit në vitin 1948 dhe përse shtetet arabe nuk i kishin shpenzuar fondet e tyre në arsim, kujdes shëndetësor dhe infrastrukturë, në vend të luftërave?

Por, para se gjithash, pyetja më e rëndë është nëse Izraeli është armiku real i botës arabe dhe i popullit arab.

Qindra miliarda dollarë ishin shpenzuar dhe dhjetëra mijëra jetë janë humbur duke e luftuar Izraelin. Megjithatë, bota arabe ka shumë armiq dhe Izraeli do të duhej të ishte në fund të listës.

Armiqtë realë të botës arabe janë korrupsioni, mungesa e arsimit të mirë, mungesa e kujdesit shëndetësor të mirë, mungesa e lirisë, mungesa e respektit për jetën njerëzore, dhe përfundimisht, shumë diktatorë që e shfrytëzuan konfliktin arabo-izraelit për ta shtypur popullin e vet.

Këto mizori të diktatorëve kundër shtetasve të vet janë shumë më të këqija se luftërat e shkallës së plotë arabo – izraelite.

KKVITI

Në të kaluarën kemi biseduar për ushtarët izraelitë që i sulmojnë dhe keqtrajtojnë palestinezë. I kemi parë aeroplanët izraelitë dhe tanket duke i sulmuar vendet arabe. Por, këto sulme në asnjë mënyrë nuk mund të barazohen me mizoritë aktuale, që po kryhen nga disa shtete arabe kundër popullit të vet.

Në Siri, mizoritë janë jashtë çdo imagjinate. A nuk janë irakianët ata që e shkatërrojnë vendin e tyre? Përse irakianët e mençur do të largoheshin nga Iraku, që nga eksporti i naftës i realizon 110 miliardë dollarë?

A nuk ishte diktatori i Tunizisë, ai që ishte në gjendje t’i vjedhë 13 miliardë dollarë nga të varfrit e vendit të tij? Si mund të vuajnë fëmijët në Jemen nga uria nëse toka e tyre është më pjellorja në botë? Përse libanezët dështuan në qeverisjen e njërit nga shtetet më të vogla në planet?

Më 14 maj të vitit 1948, ishte shpallur shteti i Izraelit. Më 15 maj, arabët shpallën luftë kundër Izraelit, për ta kthyer prapa Palestinën. Lufta zgjati afro 10 muaj. Arabët humbën dhe tash këtë e quajnë Nakbah (luftë katastrofike). Arabët nuk fituan asgjë, ndërsa mijëra palestinezë u bënë refugjatë.

Në vitin 1967 arabët shkuan prapë në luftë me Izraelin dhe humbën më tepër tokë palestineze, duke krijuar më tepër refugjatë, që tash jetojnë në mëshirën e vendeve që i pritën ata. Arabët këtë luftë e quajtën Naksah (pengesë).

Arabët kurrë nuk e pranuan disfatën në asnjërën luftë. Tash, me Pranverën Arabe, bota arabe nuk ka kohë për refugjatët palestinezë ose për çështjen palestineze, pasi shumë arabë janë shndërruar vetë në refugjatë dhe janë nën sulme të vazhdueshme nga vetë forcat e tyre. Sirianët po largohen nga vendi i tyre, jo për shkak se aeroplanët e Izraelit po hedhin bomba kundër tyre, por këtë po e bëjnë forcat ajrore të Sirisë.

Pranvera Arabe i tregoi botës se palestinezët janë më të lumtur dhe jetojnë më mirë se sa vëllezërit arabë, që luftuan për çlirimin e tyre nga Izraeli. Është koha të ndalet urrejtja dhe luftërat dhe të krijohen kushte më të mira të jetës për gjeneratat e ardhshme arabe, shkruan në fund të artikullit autori arab në të përditshmen londineze “Times”.