Hidromorava

Tetë vjet lojëra të fshehta me energji

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Nga Arbana Xharra – Interesa, marrëveshje të fshehta, anulime e shtyrje të tenderit të termocentralit “Kosova e re” është loja që është luajtur që nga viti 2006 e deri me sot, sa që mund të shkruhet një libër i tërë me fakte, për mënyrën se si Kosova është eksperiment energjetik me lojtarë vendorë e ndërkombëtarë. Kjo histori e nisur tash tetë vjet, pjesë e së cilës janë zyrtarë të ndryshëm ndërkombëtarë, prej atyre të Bankës Botërore, ekspertë të huaj e këshilltarë të paguar me miliona euro, e deri tek përfaqësuesit e ndryshëm të partive politike në Kosovë, që ishin brenda këtyre viteve në pushtet.

Që nga koalicioni LDK – AAK, ku pazare të fshehta janë tentuar të bëhen në emër të këtij projekti, e deri më sot nën qeverisjen e PDK-së, e cila mban në fshehtësi totale këtë proces. Është për t’u habitur se si Bankës Botërore nuk i “ka prerë sakica në një vend” rreth këtij procesi, megavatëve se sa duhet prodhuar në Kosovë, çështja e mihjeve, e shumë politika të tjera rreth çështjes së energjisë për gjithë këto vjet. Sa herë që intervistoja përfaqësuesit e rinj të Bankës në Kosovë, vinin me ide ndryshe. Ndërkohë që partnerët e tyre në pushtet, shikonin se kush sa mund të përfitojë nga ky projekt.

Në anën tjetër, kompanitë potenciale për të investuar në Kosovë, kishin ardhur duke hapur zyra, sepse u ishte premtuar se në Kosovë do të mund të prodhojnë aq sa edhe të shesin jashtë saj. Bile njëra nga ato “Cez Group”, pati dhënë bursa edhe për disa studentë si fuqi punëtore potenciale, ngase ishin të bindur se do ta fitonin tenderin. Me kalimin e viteve investitorët potencialë nisën të zbehnin interesimin. Të pranishëm në Kosovë ishin gjiganti gjerman “RWE”, ai italian “ENEL”, kompania amerikane “AES” dhe kompania çeke “Cez Group”.

Kishin ardhur me shpresë se do t’u lejohej prodhimi i 2000 megavatë energji. Nga ana tjetër, diskutohej mundësia për të eksportuar energji jashtë Kosovës. Banka Botërore në një konferencë të mbajtur në Athinë, në korrik të vitit 2006, në një prezantim nga njëri prej zyrtarëve të saj, pati bërë me dije se 20 për qind e energjisë së prodhuar për Evropën Juglindore do të llogaritet nga thëngjilli i Kosovës. Dhe në asnjë matematikë, nuk merrej parasysh se në çfarë gjendje do të shndërrohej ndotja, dhe se në këtë shtet jetojnë rreth 2 milionë banorë.

Mobi Casa

Pra gjithçka sillej rreth thëngjillit, se kush sa mund të përfitonte nga shfrytëzimi i saj. Sa herë që interesat binin ndesh, anulohej një vendim, apo pezullohej i tërë procesi. Tetë vjet prej fillimit të këtij procesi, qeveria e tashme vazhdon këtë proces pa debat, dhe pa bërë të ditur detajet. Krejt çfarë thuhet është se me TC të reja do të ndërtohen 600 MW. Njëherë “Kosova B” u fut në pako tenderuese, tash u nda, edhe pse në strategjinë që ka aprovuar Parlamenti ka qenë pjesë e privatizim.

Duke na e dëshmuar në vazhdimësi, se vendimet merren në mënyrë joligjore pa kaluar nga Kuvendi i Kosovës. Kurse, as që zihet më në gojë ndërtimi i interkonjeksionin me Shqipërinë, derisa Kosova vazhdon edhe më tutje të marrë energji përmes Serbisë me çmime disa herë më të larta dhe kontrata afatshkurtra. Kurse propozimi i fundit i Komitetit Drejtues të Projektit TC “Kosova e Re” i fut minierat e thëngjillit në pako tenderuese të termocentralit “Kosova e Re”, edhe pse kundërshtohet ashpër nga ekspertët e energjisë. Minierat e linjitit të cilat ishin dashur të jenë në pronësi të shtetit dhe të jepen në shfrytëzim për aq sa ka nevojë me pagesë dhe jo në pafundësi ta marrë investitori.

Gjithçka kalon pa reagimin e ndërkombëtarëve të përfshirë në këtë proces. Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Komiteti Drejtues i Projektit TC “Kosova e Re”, e lëshoi para pak ditësh një komunikatë ku tregoi se ka aprovuar dokumentet e tenderit për Ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”. Nuk dihet se çfarë kanë marrëveshjet me ofertuesit e parakualifikuar. Krejt çfarë dihet është ajo, se po vazhdon eksperimenti energjetik, fshehurazi. Qytetarët vonë do ta kuptojnë se çfarë po ndodh, atëherë kur të vuloset kjo punë.