UBT

Të vërtetat e pathëna për letërsinë arbëreshe

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Libri i ri: “Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe” të Matteo Mandalà-së .

Letërsia romantike arbëreshe, gjatë një shekulli të historiografisë letrare shqiptare, ose nuk është njohur fare, ose është njohur me shtrembërime dhe shmangie të papërfytyrueshme, ose është vendosur keq në periudhizimin e përgjithshëm të zhvillimit të letrave shqipe, ose është përjashtuar vijimësisht prej shkencës letrare. Kjo është një prej të vërtetave më të thjeshta që duhen pranuar në rastin e botimit nga shtëpia botuese “Naimi” të librit më të ri“Gjurmime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe” të Matteo Mandalà-it, albanolog i njohur, profesor në Universitetin e Palermos, Itali.

Në këtë libër gjithçka është e re për lexuesin shqiptar. Të reja janë leximet e trashëgimit letrar në botën arbëreshe, prej veprave të De Radës, Gavril Darës, Zef Skiroit, Frangjisk Santorit, Emanuele Bideras dhe autorëve më të hershëm, si Luka Matrënga, Nikollë Filja e Nikollë Keta. Prapa këtij libri qendrojnë dekada të tëra pune murgu të prof. Mandalà-së, punë për të tjerët, një virtyt gati i harruar; punë në shërbim të lehtësimit të kërkimeve.

Matteo Mandalà është një studiues model që provon se shembja e mureve midis disiplinave dhe nëndisiplinave, shpesh të farkuar për t’i dhënë komoditet vetes në një rreth të rehatshëm, lejon që historia e letërsisë shqipe të rinjihet duke u vlerësuar, duke fituar hershmëri dhe karakter sistemor. Megjithëse autori ka preferuar ta titullojë librin e tij thjesht “Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe”, kemi të bëjmë me një vepër që kërkon rishqyrtime kritike për gjithë historinë e letërsisë shqipe, duke përfshirë periudhizimin e saj, ndryshimin e kalendarëve, karakterizimin e dukurive dhe zhvillimeve kulturore e letrare, prekjen e status quo-së së deritashme, funksionimin e një sistemi letrar që mbështetet mbi njësinë e gjuhës, historinë e gjinive letrare, historinë gjenetike të veprave, vështrimin krahasues të varianteve të tyre.

Kur përfundon së lexuari studimin “Prejardhja e mitit pellazgjik: Jeronim De Rada dhe Giovanni Emanuele Bidera”, pyetja e parë që të vjen në mendje është se cila kompetencë e studiuesit sundon mbi tjetrën: antropologu, historiani i letërsisë, filologu, burimologu apo mendimtari i papërkufizuar. Mitet arbëreshe, mitet shqiptare, si janë krijuar, sa i kanë shërbyer ndërgjegjes politike dhe thesarit shpirtëror, si duhet të jetë sjellja e sotme me to, kanë qenë një interesim i kryehershëm i studiuesit. Dy studimet monografike të tij: “Diaspora dhe rikthimi: miti, historia dhe kultura tradicionale në veprën e Zef Skiroit” [“La diaspora e il ritorno. Mito, storia, cultura tradizionale nell’opera di Giuseppe Schiro”, 1990] dhe “Botës i pëlqen të mashtrohet: mitet e historiografisë arbëreshe” [“Mundus vult decipi: I miti della storiografia Arbëreshë”, 2007] janë dy referenca të mjaftueshme për të pohuar se sa i qëndrueshëm mbetet ky interesim në punën e tij krijuese. Por studimi për historinë e lindjes, promovimit dhe të gjeneralizimit të mitit pellazgjik, si histori e kërkimit të një prius parens prej dijetarëve arbëreshë pikërisht kur kishte ardhur koha e një zgjimi kombëtar; një histori që nis qysh në shekullin e 18-të dhe fiton autoritet dominues me De Radën dhe Biderën, ka rëndësi jo vetëm për të njohur ndihmesa shpesh të dytësorizuara të protagonistëve të botës së vlerave shqiptare, por mbi të gjitha për një koncept të ri për periudhizimin e historisë së letërsisë shqipe.

Hidromorava

Prof. Matteo Mandalà njihet si një prej studiuesve më të referuar të letërsisë së I. Kadaresë, M. Camajt dhe të autorëve të tjerë këndej Adriatikut. Mbi të gjitha, duke iu referuar parimit se është humbje kohe të kërkosh për diçka që dikush tjetër e ka zgjidhur më së miri, mund të pohohet me bindje se filologjia shqiptare, filologjia e re shqiptare, siç kuptohet në epistemologjinë perëndimore, ka një adresë referenciale në emrin e Matteo Mandalà-së.

Skeda e librit: Autori: Matteo Mandalà

Titulli: Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe

Recensues: Shaban Sinani, Gëzim Gurga., Naim Zoto
Përktheu e redaktoi: Gëzim Gurga

Në ballinë: tablo e Ibrahim Kodrës
Botues: “Naimi” – shtëpi botuese dhe studio letrare