Të poshtërosh vetveten…!

Nga Nuhi Ismajli – I padijshmi, i pavetëdijshmi, i padinjitetshmi nuk mund kurrë t’iu shërbejë vlerave të çmuara njerëzore e kombëtare. Me mungesën e dijes, vetëdijes, dinjitetit e identitetit ai mund të jetë i tëri në shërbim të së keqes, edhe kundër vetvetes. E keqja që i bën vetvetes, i padijshmi, i pavetëdijshmi e i padinjitetshmi, duke qenë ai pjesë e shoqërisë, zgjeron rrathët e saj dhe nga një e keqe individuale, fatkeqësisht, bëhet edhe e keqe e përgjithshme njerëzore e kombëtare.
E keqja individuale bëhet e keqe e madhe njerëzore e kombëtare veçanërisht në rastin kur atë e shkakton i padijshmi, i pavetëdijshmi dhe i padinjitetshmi i pushtetit, i cili flet në emër të masës, ndonëse masa nuk e ka zgjedhur, as e ka autorizuar ta përfaqësojë për të keq, as e pret prej tij marrëzinë në vend të urtisë.
I padijshmi, i pavetëdijshmi e i padinjitetshmi nuk arrin ta vërejë të keqen që i bën vetes, as të keqen që i bën tjetrit (e shumicës). Të keqen që i bën vetes (e shumicës), nuk arrin ta vërejë as i padijshmi, i pavetëdijshmi e i padinjitetshmi i pushtetit. Ai është si i verbri që ka humbur tërësisht shikimin. Në rastet e tilla, e keqja për të padijshmin, të pavetëdijshmin e të padinjitetshmin, mund të duket si diçka shumë e mirë e me shumë vlerë dhe, madje, për mburrje e krenari. Kjo është marrëzia e vërtetë, për të cilën Erazmi i Roterdamit do të klithte: “Lavdi marrëzisë!”
Një ndjenjë të tillë, sigurisht, e ka edhe pushteti gjilanas, pas shkuarje-ardhjeve në Turqi, “në Mekën e shqiptarëve islamë”, siç iu pati thënë një rast, rektori i kuq, në një ligjëratë te tij, lidhur me hapjen e Universitetit të Gjilanit, dhe pas pritjes së vizitorëve të pushtetarëve të ndryshëm turq e, veçmas, pas pritjes së përfaqësuesve të komunës Nazeli, të Turqisë, para pak ditësh.
Sigurisht, me gjendjen e mjerë të dijes e të vetëdijes së tyre, të errësuar edhe më shumë me ndonjë nostalgji për sundimin e dikurshëm turk dhe, sigurisht, edhe me ndonjë shpresë për ndonjë përfitim material, pushtetarët gjilanas, as që mund ta kenë idenë sesa kanë poshtëruar vetveten (në qe se janë shqiptarë), po jo veç vetveten, por edhe të gjithë shqiptarët.
Prandaj, në vend të një pritjeje e të një bisede të urtë njerëzore e shqiptare dhe të një diplomacie parimore e inteligjente, të cilën duhet ta zbatojnë pushtetarët shqiptarë në raport me të tjerët, pushtetarët gjilanas, para vizitorëve turq të Nazelisë, u sollën me servilizmin më të marrë dhe shqiptuan fjalët më servile të karaktereve më të ulëta joshqiptare.
Është një absurd i pakuptueshëm entuziazmi i takimit të pushtetarëve gjilanas (dhe jo vetëm i tyre) me turqit, i qëndrimit dhe i fjalëve servile ndaj tyre, pa fije dinjiteti njerëzor e shqiptar, sikur të ishte e mosqenë robëria shumëshekullore turke mbi shqiptarët dhe lufta me armë e me pendë e shqiptarëve kundër asaj robërie; sikur të ishte e mosqenë strategjia e sotme turke për pushtime të reja e asimilime popujsh, veçmas të shqiptarëve. Ku është vetëdija shqiptare?! Ku është dinjiteti dhe krenaria shqiptare?! Vallë, aq thellë ka depërtuar ndikimi turk te shqiptarët, sa shqiptari të mos ndjejë fare krenarinë e tij kombëtare?! Vallë, aq qenka prishur karakteri shqiptar sa interesi për interesa jomorale të peshojë më tepër se vlerat njerëzore e kombëtare?!
Si është e mundur që, sot, në shek. XXI, pushtetari shqiptar të jetë pa asnjë ndjesi kombëtare e njerëzore dhe në një nivel të mjerë formimi e vetëdijeje, sa të mos e njohë e respektojë të kaluarën, as synimet e denja njerëzore e kombëtare të së ardhmes?!
Si është e mundur që pushtetari gjilanas, sot, në shek. XXI, para delegacionit turk të komunës së Nazelisë, të Turqisë, të paraqitet me aq injorancë dhe pa aspak dinjitet njerëzor e kombëtar, sa të thotë, ndër të tjera, se:
”Nazeli është një komunë e zhvilluar, nga e cila Gjilani mund të marrë përvoja pozitive edhe për mënyrën sesi ruhet trashëgimia kulturore dhe gjera të tjera të mira…” ?!
Si është e mundur që pushtetari gjilanas, sot, në shek. XXI, para delegacionit turk të komunës së Nazelisë, të Turqisë, të paraqitet me aq injorancë dhe pa aspak dinjitet njerëzor e kombëtar, sa të thotë, ndër të tjera, se:
Turqia ka një demokraci më të zhvilluar në krahasim me ne…?!
Si është e mundur që pushtetari gjilanas, sot, në shek. XXI, para delegacionit turk të komunës së Nazelisë, të Turqisë, të paraqitet me aq injorancë dhe pa aspak dinjitet njerëzor e kombëtar, sa të thotë, ndër të tjera, se:
Turqia është një partner i madh strategjik i Kosovës?!
Si është e mundur që pushtetari gjilanas, sot, në shek. XXI, para delegacionit turk të komunës së Nazelisë, të Turqisë, të paraqitet me aq injorancë dhe pa aspak dinjitet njerëzor e kombëtar, sa të thotë, ndër të tjera, se:
Komuniteti turk ka ndihmuar edhe procesin e çlirimit të Kosovës?! Etj.
Pushtetari ynë sigurisht nuk e ditka, dhe i dashuruar aq shumë në turkun, nuk do ta dijë (pra, nuk do të dijë as të mbajë qëndrimin e një pushtetari të vërtetë, të ditur, të vetëdijshëm, me identitet e aftësi dilpomatike), se:
1. Gjilani nuk mund të marrë përvoja pozitive nga komuna Nazeli, as nga Turqia, përgjithësisht, për mënyrën sesi ruhet trashëgimia kulturore, pasi Turqia është shembulli i rrënimit e i pengimit të vlerave kulturore të miliona shqiptarëve atje, të cilët mund të deklarohen vetëm si turq.
2. Turqia nuk ka një demokraci të zhvilluar, që do lavdëruar, madje as në krahasim me këtë demokracinë tonë këtu, sepse pikërisht në saje të demokracisë së munguar në Turqi, miliona shqiptarë atje, duhet të deklarohen vetëm si turq e jo shqiptarë dhe të mos kenë asnjë mundësi institucionale për mbrojtjen dhe zhvillimin e vlerave të tyre identitare.
3. Turqia sot ka një kryeministër diktator dhe radikal islamik, i cili dhunon e vret protestuesit paqësorë që kërkojnë demokraci.
4. Strategjia e sotme zyrtare turke nuk ka asgjë të përbashkët me synimet dhe idealet e popullit shqiptar, pasi populli shqiptar synon lirinë kombëtare dhe përparimin krahas popujve më të përparuar të botës, kurse qeveria e sotme e Turqisë, së brendshmi, ka vendosur e synon konsolidimin e mëtejshëm të diktaturës dhe të radikalizmit islamik, kurse, së jashtmi, synon pushtimin dhe asimilimin e të tjerëve e, në radhë të parë, të shqiptarëve.
5. Turqia nuk e ka çliruar Kosovën. Sa për Turqinë, Kosova kurrë nuk do të çlirohej nga çizmja serbe! Shqiptarët, në përkrahjen e Turqisë, do të ishin po në atë gjendje në të cilën u gjenden nën “mbrojtjen” e saj më 1878.
6. Komuniteti turk nuk ka ndihmuar procesin e çlirimit të Kosovës, po përkundrazi i ka qëndruar pranë pushtetit dhe ka shikuar veç llogarinë e vet.
Etj.
Pushteti gjilanas, në komunikimin me delegacionin turk të komunës Nazeli, të Turqisë, poshtëroi vetveten. Por, krahas vetvetes poshtëroi edhe qytetarët shqiptarë gjilanas dhe jo vetëm të tyre. Në atë komunikim u përdhos keq dinjiteti njerëzore e kombëtar shqiptar, i cili nuk mund të këmbehet me asnjë vlerë tjetër.
Rasti ynë dëshmon se pushtetari, për të mos i bërë keq vetes dhe as të tjerëve, duhet doemos të jetë edhe i ditur, i ndërgjegjshëm, i dinjitetshëm dhe diplomat i vërtetë, ndryshe bëhet, siç shihet, edhe poshtërues i madh i vetvetes dhe aq më keq i të tjerëve.
Ma thotë mendja se ata që na përfaqësojnë keq para të tjerëve nuk janë fajtorë më tepër se ata që i kanë nxjerrë përpara për të na përfaqësuar.