FIDANISHTJA

Taksë për ngatërresa

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Nga Ibrahim Rexhepi – Marrëdhëniet e vështirësuara tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë krijuar për shkak të mungesës së vullnetit politik për harmonizimin interesave ndërmjet dy tregjeve, por edhe për shkak se qeveritë e të dyja vendeve janë peng i monopoleve.

Sado që kamionët u larguan nga porta që lidhë Kosovën dhe Shqipërinë, problemi nuk u zgjidh. Nuk përjashtohet mundësia që nesër të paraqitet ndonjë problem i ri, që sërish do të bllokonte marrëdhëniet tregtare ndërmjet të dyja vendeve. Do të thotë se problemi nuk është zgjidhur, ai vetëm është prolonguar.

Është karakteristikë se si Shqipëria, ashtu edhe Kosova nuk kanë ndonjë problem të theksuar me tregjet e vendeve të tjera të rajonit, pos këto të dyja ndërmjet vetes. Pra, diçka nuk po funksionon ndërmjet popullit të një gjuhe dhe një gjaku, liderët politik të të cilit kurrë nuk prajnë së folurit për formimin e tregut unik , e më pas edhe për bashkimin kombëtar.

Është dëshmuar se krejt këto deklarata më shumë bëhen për efekte elektorale e mediatike, ndërkaq, nuk ka asnjë veprim konkret në këtë drejtim. Madje, tregjet më shumë shkojnë drejt ndarjes, se sa drejt integrimit.

Ndërkaq, zanafilla e problemit qëndron krejt diku tjetër. Së pari, kemi të bëjmë me dy ekonomi të dobëta, të cilat nuk kanë fuqi të konfrontohen me atë të Greqisë, të Maqedonisë, apo të Serbisë, meqenëse në relacion me to do të jenë humbës. E dyta, qeveritë e të dyja vendeve janë peng i monopoleve të ndryshme, kryesisht importuese, prandaj, për efekte komerciale të bizneseve, ato duhet të luajnë lojën e tyre. E treta, mungon vullneti politik që të bëhet një hap më tutje drejt unifikimit të tregut, apo së paku tejkalimit të problemeve “teknike” që paraqiten në kufi.

Nëse kemi parasysh ligjet e të dyja vendeve, pastaj edhe faktin se ato janë nënshkruese të marrëveshjes CEFTA, atëherë nuk do të duhet të ndodhë asnjë problem si në raportet tregtare, por as në format e tjera më të avancuara të bashkëpunimit ekonomik. Mirëpo, ndodhin probleme, që për nga natyra janë absurde.

UBT

Ndodhi rasti i patates, i cili në esencë ishte në funksion të ruajtjes së tregut të Shqipërisë për importe nga vendet e tjera; taksa e çimentos kishte për qëllim “mbrojtjen e prodhimit vendor”, përkatësisht të prodhuesit, i cili nuk mund të përmbushë kërkesat e tregut, pastaj, ndodhë që qumështi që vjen nga ana tjetër e kufirit është i dëmshëm dhe se kosovarët janë të siguritë vetëm nëse konsumojnë qumështin vendor , kurse atë e nxjerr në treg vetëm një prodhues; menjëherë vjen përgjigja duke bllokuar importin e mishin për shkak të ndryshimit të temperaturës së tij dhe krejt kjo ndodhë pse matja e saj nuk bëhet me aparaturë të ngjashme, apo duke aplikuar standarde identike dhe së fundit terminali ( i improvizuar) doganor në Vërmicë dhe mallrat duhet të vazhdojnë në pikat tjera në brendi të vendit, por aty hyrja e tyre në start kushton 40 euro.

Nëse analizohen këto probleme, del qartë se marrëdhëniet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë të përshkuara me absurditete. Secili rast ka mundur të tejkalohen në mënyrë elegante, pa përplasje dhe indikacione të një lufte tregtare. Zgjidhja qëndron në hapjen e tregut dhe në nxitjen e konkurrencës lokale, ku përfitues janë konsumatorët në të dyja anët e kufirit.

Pra, të ndodhë heqja e favoreve për bizneset monopoliste, të cilat diktojnë tregun dhe politikën. Njësoj është dashur të sillet edhe Dogana e Kosovës , me rastin e mosmarrëveshjeve për terminalet. Nuk është dashur të rihapet Terminali në Vërmicë, meqenëse ai nuk plotëson kushtet dhe duke mos aplikuar aty taksën hyrëse, iu bëhet një konkurrencë e padrejtë terminaleve të tjera. Ose, kjo çështje të zgjidhte me një vendim politikë, përmes të cilit produktet që vijnë nga Shqipëria lirohen nga ngarkesat e panevojshme , e krejt kjo në funksion të krijimit të tregut të përbashkët. Mirëpo, njësoj duhet të veprojnë edhe autoritet shqiptare me mallrat kosovare, meqenëse edhe atje “hyrja” në terminal kushton dhjetë euro më shtrenjtë se sa që është në Kosovë.

Nga aspekti tregtar, kjo do të dukej e padrejtë, mirëpo, kjo është në funksion të interesave strategjike të kombit. Por, qeveritë e të dyja vendeve janë larg nga ky synim, meqenëse ato mendojnë se bashkimi duhet të ndodhë përmes Brukselit.

Nga ana tjetër, zhvillimi i tregut të lirë dhe i konkurrencës së barabartë nuk duron favore dhe veprime parciale. Sipas kësaj, mallrat e importuara duhet t’iu nënshtrohen procedurave të njëjta, meqenëse favorizimi i dikujt gjithsesi se do të lëndoj dikë tjetër. Me qëllim të tejkalimit të kësaj situata, që të dyja vendet, e në rend të parë bizneset, duhet të kenë “listën” e përparësive dhe të komplementaritetit të tregjeve. Do të thotë që me produkte kosovare, apo ato të Shqipërisë të zëvendësohen importet nga vendet e treta, kuptohet, aty ku ka mundësi.

Por, pa diktate dhe ndërhyrje anësore, të cilat sërish mund të jenë në funksion të mbrojtjes së monopoleve. Kjo nuk është lehtë të arrihet vetëm për një arsye – biznesi si synim ka zhvillimin dhe profitin, e jo zbatimin e strategjive kombëtare. Ajo duhet të jetë përgjegjësi e instancave politike e akademike, ku më pastaj inkorporohet edhe biznesi. Por, kjo qasje nuk është as në dukje.