Uji Dea

“Taken” dhe një industri demonizimi

/ 4 minuta lexim

Nga Gezim Alpion & Stephen Schwartz- Duke shfaqur “Taken” në shkurt 2008 kur Kosova deklaroi Pavarësinë e vet dhe “Taken2” në vjeshtën e vitit 2012, pak përpara se Shqipëria të festojë 100-vjetorin e pavarësisë, kjo mund të jetë çdo gjë përveçse koincidencë.

Në hapje të filmit të sapo shfaqur “Taken 2”, Bryan Mills (Liam Neeson), një vrasës i qeverisë amerikane, i dalë në pension i rrëfen vajzës së tij Kim (Maggie Grace) se atë çfarë ai dinte rreth Stambollit e përfytyronte nga një libër udhëtimi që e kishte lexuar në udhëtimin e tij për në Turqi, vend ku edhe filmi luhet. Fakti që ai citon rolin e Bosforit, si një ngushticë lidhëse mes Evropës dhe Azisë është kaq banale saqë nuk e kupton dot sesi një njeri me këtë lloj edukimi mund të punësohet në çfarëdo pozicioni me përgjegjësi nga autoritetet amerikane. Ndoshta kjo mungesë njohurish është paraqitur qëllimisht në film për t’i portretizuar agjentët amerikanë si budallenj.

Zyra e dikurshme ku Bryan ka pasë punuar lihet e panjohur, por mund të merret me mend se ajo është CIA. Si një operativ i supozuar i kësaj të fundit, Mills duhet ta dijë se ambasada amerikane në Turqi është e vendosur në Ankara dhe jo në Stamboll, sikurse ai i thotë vazhdimisht vajzës së tij. Këto gabime trashanike theksohen edhe më tutje nga mesi i filmit, kur Bryan “një vizitor që vjen për herë të parë në Stamboll”, i jep papritur, ish-gruas së tij, thuajse fare të paftilluar, Leni (Famke Janssen) udhëzime sesi të arratiset nga një vend i fshehtë në mes të kompleksit të famshëm të qytetit: Pazarit të Madh. Ai e udhëzon atë të marrë këtë apo atë kthesë në një labirint rrugicash dhe kthesash, të cilat edhe një i lindur në Stamboll mund të mos i njohë. Por Bryan është madje më pak kompetent sesa pritet edhe në çështje të tjera.

KKVITI

Kështu siç merret vesh, ai është ekspozuar para gruas dhe vazjës së vet se puna e tij ka qenë ekzekutimi i njerëzve në kuadër të operacioneve klandestine. Kjo është e papranueshme-madje antiligjore-për një spiun amerikan, anëtar i skuadrave elitare ushtarake apo edhe për individë të tjerë që kryejnë detyra të ngjashme e që supozohen të ruajnë sekretin qoftë nga gruaja, ashtu edhe nga fëmijët. Bashkë me llafazanin Bryan, regjisori Luc Besson dhe skenaristi Robert Mark Kamen nuk hezitojnë të plotësojnë motivin e pandershëm dhe të diskretituar për filma të kësaj natyre: urrejtje agresive për Islamin dhe përhapjen e etiketave neveritëse për kombin e vogël dhe pak të njohur të Shqipërisë. Në to, amerikanët injorantë shquhen për vrasës brutalë, ndërsa shqiptarët për trafik qeniesh njerëzore dhe tortura.

Gjithçka tjetër është e parëndësishme. Arabët dekadentë këtu janë zëvendësuar nga turqit e korruptuar. Neeson ndihmohet në demonizimin e shqiptarëve nga Rade Serbedzija, aktori kroat me orgjinë serbe. Serbedzija e ndihmon Neeson të bëjë sipas fjalëve të Bryan “atë që di të bëj më mirë”, duke e furnizuar atë me njerëz mbi të cilët personazhi i Neeson mund të praktikojë aftësitë e veta vrasëse. Në përmbledhjen e tij për “Taken2”, Neil Smith i “Total Film” përfundon se “është e këndshme të shohësh Neeson të na shfaqet si “Eurotrash”, por ne gjithsesi e kemi parë atë në role më të mira”.

Termi “Eurotrash” u shfaq në Amerikë si referim për emigrantët dhe turistët e rinj europiano-perëndimorë me xhepat plot për të shpenzuar dhe me një ndjenjë arrogance në sjellje. Njësoj si Besson dhe Kamen, Smith me sa duket mendon se “Eurotrash” tashmë konsiston te shqiptarët, turqit dhe myslimanët në përgjithësi…Askush nuk i mohon krimet që ekzistojnë në Shqipëri dhe faktin se disa shqiptarë, si pjesëtarë të çdo kombi, kryejnë krime jashtë vendit të tyre të origjinës. Por një vend që numëron në radhët e njerëzve të vet Nënën Terezën nuk ka pse të shqetësohet për filma të tillë për t’u hedhur në kosh. Duke shfaqur “Taken” në shkurt 2008 kur Kosova deklaroi Pavarësinë e vet dhe “Taken2” në vjeshtën e vitit 2012, pak përpara se Shqipëria të festojë 100-vjetorin e pavarësisë, kjo mund të jetë çdo gjë përveçse koincidencë.