Eko Higjiena

Tagri i amatorizmit

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Ibrahim Rexhepi – Është lënduar reputacioni i kompanisë HIB Petrol për shkak të vlerësimeve të ngutshme dhe kundërthënëse të institucioneve jo edhe krejt kompetente. A mund të riparohet ai?

Kur jep një vlerësim Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, atëherë atij i duhet besuar, meqenëse ka kompetencë për të deklaruar dhe publikuar të dhënat e nxjerra nga analizat për cilësinë e një produktit, si edhe rrezikun që ai mund të ketë për njerëzit dhe ambientin. E dhënë për t’i besuar është edhe ajo që del nga laboratorët e autorizuara nga Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë që kontrollojnë cilësinë e naftës së importuar dhe të asaj që është në qarkullim të brendshëm. Konfuzioni krijohet kur këto dy institucione më kredibile dalin me të dhëna që janë shumë larg njëra –tjetrës. Situata komplikohet edhe më shumë kur me analiza paraqiten edhe laboratorë të tjerë. Sado që nuk mund të bllokohet vetiniciativa, mirëpo, rezultatet duhet marrë pak më me rezervë- meqenëse veprimet e tyre mund të jenë të nxitur nga shumë faktorë, madje duke mos e përjashtuar edhe (keq)përdorimin e tyre nga konkurrenca në treg.

Shpresoj se problemi i përdorimit të karburanteve për ngrohjen e institucioneve arsimore në Prishtinë nuk doli me qëllim për të lënduar reputacionin e një kompanie, apo për të topitur fuqinë e saj konkurruese në treg, por vetëm për të parandaluar një rrezik, me të cilin mund të ballafaqohet gjenerata që po rritet. Posaçërisht kur janë në pyetje artikujt kancerogjenë. Por, a ishte vërtetë korrekte zhurma për naftën gjoja me këtë përmbajtje, me të cilën kompania HIB Petrol paska furnizuar shkollat e kësaj komune.

Që në fillim, nëse kjo del e vërtetë atëherë është i butë ndëshkimi financiar, apo shkëputja e kontratës me kompaninë furnizuese.

UBT

Mirëpo, gjërat duhet analizuar pak më ndryshe. Kjo kompani është njëri prej tatimpaguesve më të mëdhenj në Kosovë. Del se është njëra prej kompanive lidere në tregun karburanteve. Krejt këtë e ka arritur me përvojën e një çerek shekulli, kryesisht vetëm në këtë fushë, kurse vonë nisi edhe ta zgjerojë veprimtarinë. Nga ky këndvështrim, asnjë biznesmen i këtij niveli nuk do ta rrezikonte punën dhe reputacionin për një kontratë, e cila nuk përbën as një të njëzetën e qarkullimit të përgjithshëm që bën. Ndonëse, puna e saj përherë duhet të jetë nën vëzhgim të mekanizmave që kujdesen për cilësinë, çmimin, konkurrencën…

Por, rreth karburanteve me të cilat janë furnizuar shkollat e Prishtinës është heshtur një fakt shumë i rëndësishëm, i cili qartësohet edhe me ligj. Deri ku shkon përgjegjësia e furnizuesit? Nëse karburanti është importuar në mënyrë legale dhe i është nënshtruar të gjitha kontrolleve, atëherë ai mund t’i dorëzohet porositësit. Në të kundërtën, ai bllokohet, dhe,varësisht nga shkalla e rrezikut, ai duhet të asgjësohet, apo të kthehet në vendin e prejardhjes. Kur karburanti është bartur nga mjeti transportues në rezervuarët e shkollave, atëherë pranuesi përmes dokumentacionit duhet të sigurohet se ai është në përputhje me standardet. Nëse ka dyshim, ngritë alarmin te institucionet përgjegjëse. Nëse krejt është në rregull, atëherë ai pranon përgjegjësinë për procedimin e mëtejmë – vendin e deponimit, i cii duhet të përmbushë standardet e definuara, pasi që ai ka mundësi të ndikojë në cilësinë e karburantit. Por, duket se rezervuarët e shkollave asnjëherë nuk janë kontrolluar, e as nuk janë pastruar. Kjo le të mbetet çështje e inspeksioneve. Të gjitha këto procedura bëhen me përgjegjësi profesionale, duke pasur kujdes që të mos lëndohet interesi, apo reputacioni i asnjërës palë. Në rast se më vonë paraqitet problemi me cilësinë dhe rrezikun që bartet, atëherë malli bllokohet- apo tërhiqet, kurse pas verifikimit pasojnë masat ndaj atij që është përgjegjës për krejt problemin.

E rastin e HIB Petrolit dhe karburanteve për shkollat e Prishtinës nuk është respektuar kjo procedurë. Prandaj, nuk është e lehtë që të identifikohet fajtori. Madje është jo korrekte që për krejt problemin të fajësohet njëra palë- furnizuesi. Posaçërisht pas publikimit të të dhënave kontradiktore të MTI-së dhe IKSHP-së. Bazuar në rezultatet e MTI-së, karburanti për djegie kur ka hyrë në vend ka qenë i cilësisë përbrenda standardeve. IKSHP-ja thotë se mostrat e karburantit janë shumë larg asaj që obligon ligji. Atëherë problemi mund të jetë diku në mes – ndoshta te rezervuarët ku është deponuar, apo te cisternat me të cilët është transportuar?
Kjo është hapësira që zgjidhë krejt enigmën.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)