Mobi Casa

Tё flasёsh nё emёr tё shumicёs

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nga Nuhi Ismajli- Në kohën tonë, gjithnjë e më shpesh, pushtetarët, vërejtjeve të qytetarëve, sado të arsyeshme, për çështje të ndryshme, po iu përgjigjen në emër të shumicës.

Pra, në vend të dëftimit të kulturës së nevojshme politike dhe pranimit të vërejtjes së arsyeshme shoqërore, pranimit, por edhe premtimit dhe përpjekjes së sinqertë për të mënjanuar defektet e ndryshme udhëheqëse të shoqërisë, pushtetarët, sot, të metat e ndryshme, qofshin ato edhe të meta tejet serioze, si arsyetim përmendin shumicën; kinse përcaktimin, kërkimin dhe pajtimin e shumicës për dukurinë e caktuar!

Por, ç’është, në fakt, në realitetin tonë, mbështetja e pushtetarit në faktin: shumicë?!
Mbështetja e pushtetarit në elementin shumicë, për të arsyetuar realitetin shoqëror të papranueshëm, shkaktar i të cilit është ai vetë, me mosdijen, pandiesinë dhe mosveprimin ose veprimin e gabuar, domethënë mungesë totale e faktit dhe mbështetja në asgjë!

E para, në një realitet ku askush nuk ka bërë asnjë lloj hulumtimi se shumica kërkon një gjë të caktuar në shoqëri (e cila, përkundrazi, kritikohet ashpër), nuk ka argument, pra as nuk mund të thuhet se këtë, kështu, po e kërkon shumica. Dukuritë, të cilat, sot kritikohen lidhur me reflektimin e pushtetit në jetën shoqërore, nuk janë hulumtuar as është bërë ndonjë statistikë shkencore lidhur me to, siç bëhen rëndom në botën e qytetëruar, për të parë mendimin shoqëror të vërtetë.

Në bazë të çkahit, pra, pushtetari i këtushëm, për diçka që është e keqe, e dëmshme dhe e kundërshtueshme në shoqëri, dhe për të cilën duhet të ndjehet përgjegjës, thotë se kështu po e kërkon shumica!?

E dyta, pushteti i sotëm, i kështushëm, nuk duhet ta përmend fare si fakt mbështetës shumicën, sepse shumica nuk është me të, po pakica. E dimë mirë, se shumica e qytetarëve nuk dolën në zgjedhjet e përgjithshme, as në zgjedhjet lokale. Ata që dolën në votime, për pushtetin qendror e lokal, mezi arritën të kalojnë shifrën 50%!

Nga ata 51 a 52 % të votuesve, nja 30% votoi për ata që sot mbajnë pushtetin. Marrë në tërësi, një 15-16 % e popullsisë votoi për ata që sot janë në pushtet. Si mund të thotë, prandaj, ky pushtetari i sotëm, se po qeveris e vendos në emër të shumicës; se shumica kështu po kërkon një gjë të caktuar, kur ¾ e popullsisë nuk ka votuar fare ose është deklaruar ashtu kundër të votuarve ose pushtetit, që sot flet në emër të shumicës?

KKVITI

Pushteti i sotëm nuk duhet të përmend shumicën, si mbështetëse për ta arsyetuar ndonjë të metë të tij, sepse, në fakt, pas vetes ka pakicën. Por, pushtetari i sotëm, i këtushëm, duhet të brengoset shumë për shumicën. Të brengoset shumë për shumicën, pse shumica nuk është me të? Pse shumica bojkotoi zgjedhjet? Ç’do të bëjë një ditë shumica? Etj.
Shumica, në fakt, ka votuar, është deklaruar përmes bojkotimit të votimeve. Ajo ashtu ka shprehur pakënaqësinë e saj, zhgënjimin në pushtetin e mëhershëm dhe të tashmin, mosbesimin e saj. Por, kjo nuk domethënë se kështu ajo rri përherë pasive, kundruall keqpërdorimit të pushtetit nga pushtetarët, dhe se një ditë nuk kërkon përgjegjësi konkrete.

E treta, edhe kur një gjë e kërkon shumica, kjo nuk domethënë se shumica ka përherë mendim dhe veprim të arsyeshëm. Pra, duhet parë mendimin e arsyeshëm dhe jo vetëm pse një gjë po e kërkon shumica. Mundet që shumicës i ka dalë përpara ndonjë i verbër, të cilit, për një moment, shumica i beson, dhe ai e tërheq shumicën pikërisht drejt greminës!

Historia tregon se shumica, nuk gjykon përherë drejt, arsyeshëm dhe me urti. Sjellim ndërmend këtu Sokratin, të cilin, me vdekje, e dënoi shumica. Sokrati, megjithë pafajësinë, vlerën e jetës, kontributin e tij për mësimet e Athinës, u dënua nga gjyqi, juria e të cilit përbëhej nga pesëqind vetë!

Shumica, rrëfen “Bibla”, tha: Lirojeni Barabën! Gozhdojeni Krishtin!
Pra, të arsyetohesh në bazë të shumicës, të thuash se kështu po kërkon shumica, domethënë të mos arsyetosh gjë. Përkundrazi, kjo domethënë të pohosh haptazi, pa dyshim, se nuk do të korrigjohesh, nuk do të punosh drejt, arsyeshëm dhe si është nevoja njerëzore.

E drejta, parimorja, njerëzorja nuk është shumica, as pakica. Është harmonia e sjelljeve, e qëndrimeve dhe e veprimeve tona me thelbin e natyrës dhe interesat njerëzore.
Pushtetari pa kulturë politike, d.m.th. pushtetari pa mençurinë, dijen, ndërgjegjen dhe virtytet e nevojshme njerëzore, kur është ulur në vendin udhëheqës, ka zënë vend në pozitë pa meritë, është ulur në vendin e huaj, në vendin e politikanit me kulturë politike.

Pushtetari pa kulturë politike, nuk e kupton rëndësinë e kritikës shoqërore, prandaj, kritikën e vërtetë shoqërore nuk e duron, as nuk e pranon si kërkesë për përmirësime e përsosje, po si cënim, rrezikim e rrënim të tij personal ose e kupton vetëm si një sulm ndaj tij në pozitën gjegjëse.

Politikani pa kulturë politike e ka vështirë me popullin, sepse ka shumë gabime, dështon dhe kritikohet shumë nga masa, por masa e ka edhe më keq më të, sepse ajo duhet të vuajë pasojat e injorancës, pandërgjegjësisë dhe të dështimeve të tij.