HIDROMORAVA

Pse po ikë rinia, kushtrimi im!

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Nga Arben Kurteshi – “Katër milionë e katërqind mijë vite janë mundi që kanë bërë nënat shqiptare pas luftës për fëmijët e braktisur!”

Katër milionë e katërqind mijë vite i përkundën fëmijët me ninulla, i lanë e i shpërlanë me duart e tyre plot dashuri, duke mbajtur gjallë shpresën për një të ardhme më të ndritur.

Katër milionë e katërqind mijë vite i ushqyen, i mësuan të ecin, i veshën me rrobat më të mira, i përcollën në shkollë me buzëqeshje e përqafime të ngrohta, plot dashuri.

Katër milionë e katërqind mijë vite festuan së bashku çdo ditëlindje, nga ajo e para deri tek ajo e fundit, përpara se ndarja e madhe të ndodhte.

Kur këta të rinj e të reja u rritën, u bënë të fortë dhe të mëdhenj, vendosën të ikin, të braktisin vendin e tyre.

Nuk ikën nga dashuria e nënës, që i rriti me kaq përkushtim, e as nga atdheu që u dha identitet dhe krenari!
Nuk ikën për të mos parë buzëqeshjen e nënës çdo mëngjes.
Nuk ikën për të mos përshëndetur fqinjët e lagjes, për të mos parë më dajallarët, tezet, hallat e xhaxhallarët.

Nuk ikën për të mos ndarë më çaste gëzimi me shokët dhe shoqet, që dikur së bashku ëndërronin për një të ardhme të ndritur.

HIDROMORAVA

Por ata ikën… sepse në spitalet e vendit të tyre nuk gjejnë shërim, përkundrazi, duhet të përballen me sfida të mëdha, të kujdesen vetë për barnat, të mbledhin financa për operime jashtë vendit… duke u varfëruar skajshëm.

Ata ikën sepse nuk mund të përballonin realitetin ku fëmijët e tyre, pas viteve të tëra shkollimi, nuk do të gjejnë arsim cilësor që t’u garantojë një të ardhme më të mirë.

Ata ikën sepse nuk donin të luftonin për një vend pune në një sistem të mbushur me nepotizëm dhe ryshfet, ku aftësia dhe puna e ndershme nuk çmohen.

Ata ikën sepse nuk mund të duronin më padrejtësitë e një sistemi gjyqësor të ngadaltë, që e vonon të drejtën, ku gjykatat janë bërë labirint burokracie dhe korrupsioni.

Ata ikën sepse nuk mund të dëgjonin më politikanët që lavdëronin “arritje të mëdha” në një vend që ende është më i varfëri në Evropë.

PS:
Nëse mesatarisht 10 mijë të rinj të moshës 22 vjeçare e kanë braktisur vendin çdo vit, atëherë janë 4 milionë e 400 mijë vite të ikura jashtë vendit. Këta të rinjë që mund të kishin jetuar ndryshe, këtu, në tokën që i rriti.

Cili politikan ka guximin të dalë përballë këtyre nënave dhe të krenohet me arritjet e mandatit të tij?