Eko Higjiena

Sot të (pa) mbikëqyrur

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Nga Arbana Xharra-Sot, është dita e parë e Kosovës, zyrtarisht pa “mbikëqyrje” ndërkombëtare.

Dje vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar është shënuar si ngjarje historike. U mbajt seanca solemne e Kuvendit të Kosovës, ku u përmend lufta, dëshmorët e rënë, ish-presidenti Ibrahim Rugova, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe lufta kundër korrupsionit. U lavdëruan për punën që kanë bërë, duke u thirrur në demokracinë që promovojnë dhe gatishmërinë për të ecur përpara si shtet sovran dhe i pavarur.

Ata folën për idealin, përkushtimin dhe synimin për një Kosovë evropiane, ku rinia dëshiron të jetojë e të punojë me perspektivë të sigurt… Për një moment, m’u kujtua një i ri, ditë më parë, në transportin urban, i ulur pranë meje në autobus. Ai fliste me mikun e tij se si t’a bënte të ikte sa më parë nga Kosova. “Ti paske biznes, po unë çka të bëj, shkollën e kreva, ku të gjet punë, s’e di për besë, po çmendem… ku mund të iki, s’kisha dashur tjetër”.

Janë këto fjalë që më kanë mbetur në kujtesë teksa dëgjoja atë djalë tek fliste i dëshpëruar pa asnjë shpresë për të ardhme. Një xhiro me autobusët lokalë, A3, 4, 1 apo cilido qoftë ai, ta jep pasqyrën reale të Kosovës, se sa e varfër është ajo, dhe në çfarë zori janë kosovarët, sot 13 vjet pas përfundimit të luftës, katër vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe një ditë pas përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare. Fytyrat e tyre të lodhura, duke numëruar centët për të paguar 0.40 euro biletën, 40 për qind të papunë, 20 për qind në varfëri ekstreme është gjendja reale në Kosovë sot.

Hidromorava

Fjalimi i presidentes, kryeministrit dhe të tjerëve në Kuvendin e Kosovës nuk përkojnë me pasqyrën reale të Kosovës. Ata morën guximin që edhe kësaj here me patetizëm të flasin se si përulen përpara qytetarëve, duke përmendur disa herë gjakun e grave dhe burrave të rënë për Kosovën. Me dëshirën më të madhe sot do të mbështetja deklaratat e liderishipit tonë po të ishin ato realiteti ynë.

U thirrën në përmbushjen e pakos së Ahtisarit, por ishte pikërisht Ahtisari ai i cili në fjalimin e tij përpara në Kuvend përmendi angazhimin në luftën kundër korrupsionit, krijimin e një ambienti më të sigurt për investime, ndërtimin dhe zhvillimin e institucioneve dhe rritjen ekonomike. Frenk Wisner foli për sfidat që e presin Kosovën, duke i numëruar sfidat që tregonin se ku ndodhet realisht Kosova. Wolfgan Ishinger në fund të fjalimit bëri thirrje të shfrytëzohet sovraniteti me përgjegjësi.

Sot, Kosova një ditë pas festimit të përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë, nuk e ka nën kontroll rreth 30 për qind të territorit të saj, EULEX është ai i cili si mekanizëm kryesor me ndërkombëtar në krye do të merret me luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit, BE-ja OSBE-ja KFOR-i mbeten në Kosovë. Sistemi i brishtë i drejtësisë është barra që do ta përcjellë në rrugëtimin e saj Kosovën. Me mbikëqyrje deri më tash Kosova nuk ka arritur që të tërheqë investitorë seriozë, përkundrazi ata ia kanë mbathur me të katrat nga këtu.

Një gjë është e sigurt, deri me dje lidershipi kosovar ka mundur të arsyetohet se nuk e ka fuqinë e plotë juridike të veprimit, tash zyrtarisht Kushtetuta e Republikës së Kosovës përbën bazën e vetme të kornizës juridike në vend. Kështu që tash e tutje nuk mund të fshihen më pas të huajve, ata duhet të japin llogari direkt.