Skadimi i afateve të qëndrueshmërisë
Nga Blerim Shala – Për pak muaj do ta marrim vesh se ku jemi si shoqëri dhe si shtet. Koha e vendnumërimit po skadon. Ose do të ketë zhvillime shumë të mira, ose shumë të këqija.
Qysh tash, në majin e vitit 2013, mund të parashikohet me një besueshmëri të lartë që Kosova do ta shënojë gjashtëvjetorin e ekzistencës si shtet, me 17 shkurt, 2014 pra, në një situatë ndryshe, krejtësisht ndryshe, kur së paku, shumë të vërteta që deri tash janë dukur të koklavitura, do të shfaqen në trajtën e kulluar, duke thirrur shoqërinë kosovare për ndryshimet e mëdha, nëse synohet stabilizimi afatgjatë i shtetit të Kosovës.
Me fjalë së paku, ky është një synim që i bashkon të gjithë politikanët e Kosovës.
Nëse nisim këtë parashikim me Veriun e Kosovës dhe me procesin e nisjes së normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk ka asnjë arsye të vetme që Marrëveshja e 19 prillit e Kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, të mos zbatohet pikë për pikë më së voni deri në fillim të dhjetorit të këtij viti, apo, varësisht prej datës së mbajtjes së rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale. Pas tyre, pra, pasiqë të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve lokale, do të krijohet rrethanat ligjore dhe politike për themelimin e Asociacionit të dhjetë komunave të banuara me popullatën shumicë serbe. Dhe ky akt do të duhej të shënonte finalen e jetësimit të kësaj Marrëveshjeje. Të gjitha elementet e tjera të saj, do të duhej të përmbushen në ndërkohë.
Nga ky pikëshikim pra, Kosova do të duhej ta shënonte përvjetorin e pavarësisë në rrethana shumë më të volitshme në Veri, dhe gjithashtu, në një kontekst i cili do të shënonte fillimin e një kaptine të paparë në historinë e raporteve të Kosovës dhe Serbisë.
Po qe se ky skenar nuk jetësohet në Veri të Kosovës, nuk do të ketë kthim në gjendjen e Status Quo-së, por do të ketë përkeqësim dramatik të gjendjes në këtë pjesë të vendit.
Kjo e vërtetë do të del në shesh, në këtë variantin e keq. Status Quo më nuk mund të ketë në Veri. Ky lajm është kumtuar me Marrëveshjen e 19 prillit.
Dy zhvillimet e tjera që mund t’i nënshtrohen këtij parashikimi kanë të bëjnë me marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian.
I pari njeh lansimin e procesit të MSA-së (Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit), që duhet të ndodhë me 28 qershor, i dyti përmbylljen e bisedimeve për fitimin e Liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Edhe këtu supozohet që Status Quo më nuk mundtë ketë, apo që do të kuptohet (më në fund), se cila është perspektiva reale e Kosovës në rrugëtimin kah Evropa. Qytetarët e Kosovës janë ngopë fjalë, premtime dhe festime të lloj-llojshme të kësaj perspektive. Ajo, siç shpresohet prej të gjithëve, duhet të merr trajtë shumë konkrete, së pari me MSA-në, e pastaj, me liberalizimin e vizave.
Nëse në këto dy segmente nuk do të ketë ecje shumë të matshme para, që do të nënkuptonte përfundimin e MSA-së dhe marrjen e liberalizimit të vizave gjatë vitit 2014, atëherë dëshpërimi i kosovarëve mesatarë me BE-në do të jetë kategori e pashmangshme politike për të gjithë.
Ftillimi i lëmshit të Veriut dhe i këtij tjetrit, të raporteve të Kosovës me BE-në, do të kishte, gjithsesi, pasoja për të gjitha çështjet tjera që vazhdojnë të jenë barrë e madhe e përditshmërisë kosovare. Shumëkush me të drejtë mund të shtojë këtu që asgjë nuk mund dhe nuk duhet të përdoret prej politikës kosovare si justifikim për gabime dhe dështime të shumta në thuaja të gjitha anët e shoqërisë kosovare. Megjithatë, nëse punët do të ecin si duhet në dialogun me BE-në dhe me Serbinë, do të jetë më lehtë, ta zëmë, të sillen në Kosovë investime të huaja, do të jetë më lehtë të ndryshojë gjendja ekonomike në vend, dhe poashtu, do të jetë më lehtë për të siguruar njohje të reja të shtetit të Kosovës dhe për t’u përfshirë në shumë organizata ndërkombëtare. Por, në rrethanat shumë mirë të njohura ekonomike dhe financiare në rajon dhe në Evropë, asgjë, në këtë aspekt, nuk është e garantuar.
Sprova vendore politike e cila do të na tregojë se a kemi mbushë mend në vitet e kaluara, dhe çka mund të bëjmë tash, si politikë, kur më nuk e kemi mbikëqyrjen e pavarësisë, është ajo që përkon me organizimin e zgjedhjeve lokale, të cilat në vjeshtën e vitit 2013, do ta kenë, sipas të gjitha gjasave, atë rëndësinë e jashtëzakonshme që e kanë pasur në tetorin e vitit 2000.
Ato zgjedhje në fillim ishin burim i parashikimeve më ogurzeza të faktorëve ndërkombëtarë, sepse druhej që kutitë e votimit do të shënojnë nismën e një përplasjeje publike, me të gjitha mjetet e mundshme, të partive politike të Kosovës.
Pastaj, doli që Kosova e patë atë ditë më të qetën që prej përfundimit të luftës, dhe që votimet dëshmuan pjekurinë e qytetarëve, të politikanëve, të gjithë shoqërisë kosovare.
Kësaj radhe, edhe pse kemi të bëjmë me zgjedhje lokale, këto votime do ta kenë peshën shumë të veçantë në dy drejtime kapitale për zhvillimet politike në Kosovë në muajt dhe vitet e ardhshme.
Drejtimi i parë ka të bëjë me integrimin e plotë të qytetarëve të Veriut të Kosovës në institucionet e vendit. Organizimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike në Veri, do të jetë lajm shumë i mirë për Kosovën por edhe për rajonin.
Drejtimi dytë përkon me domosdoshmërinë e përsëritjes së suksesit, sa i përket vetë cilësisë të zgjedhjeve, të votimit të vitit 2000, dhe të lënies në harresë të dështimit të madh të zgjedhjeve të dhjetorit të 2010.
Nëse zgjedhjet e vjeshtës së këtij viti do t’i sjellin këto dy rezultate themelore për vendin, atëherë do të arrihet qëllimet kryesore në politikën kosovare.
E kundërta, mbase, sjell parashikime tepër të këqija për Kosovën.


