RCCOLA

Si u fitua “Lufta e Ftohtë”

/ 11 minuta lexim

Nga Blerim Shala – Ca shtëpi në Maryland, kurrë nuk do ta dinë se çfarë roli luajtën për happy endin e ‘Luftës së ftohtë’. Gorbachev shihte ëndrra, Bush e kuptoi realitetin. Të tjerat pastaj ishin teknikë. Këtë e dëshmon libri “A World Transformed”.

“Të shtunën shkuam në Camp David dhe e dija që kjo do të jetë një ditë e madhe. Gorbachev dhe unë ishim tok në helikopter, të shoqëruar, shih ironinë, nga ndihmësit ushtarak të cilët mbanin me vete kodet nukleare përdorimi i të të cilave mund të shkatërronte shtetet tona. Sidoqoftë, të ulur aty, ne flisnim për paqe. Gjatë fluturimit, Gorbachevi u magjeps nga shtëpitë që i shihte poshtë. Teksa kalonim mbi paralagjet e Marylandit, ai bëri një mori pyetjesh. Si blihet dhe shitet shtëpia? Si mund të huazohen paratë? Kush është pronar i shtëpisë? Çfarë duhet të bësh kur vendosish ta braktisësh atë shtëpi? Sa kushton kjo shtëpi apo ajo tjetra”? (f.286).

Është ky përshkrimi i George Bushit, Kryetarit të Amerikës në vitet 1988-1992, i cili, në të vërtetë, tregon pse fitoi SHBA-ja dhe pse humbi Bashkimi Sovjetik në Luftën e Ftohtë, më të rrezikshmën në Shekullin XX e cila kishte më së paku viktima në njerëz. Rrëfimi është i fillimqershorit të vitit 1990, kur George Bush dhe Mikhail Gorbachev, u takuan në Washington dhe në Camp David, pushimoren famëmadhe të kryetarëve amerikanë, për t’i dhënë fund Luftës së Ftohtë, me lejimin e bashkimit të Gjermanisë.

Të gjitha mjeshtritë diplomatike, shkathtësitë politike dhe avantazhet ushtarake, siç del nga ky përshkrim, s’mjaftuan dot për të bërë atë hapin vendimtar kah ngadhnjimi në garën ushtarake dhe politike, peng i të së cilës ishte bërë Evropa në vitet 1945-1990. Por ja, një rrebesh pyetjesh të Politikanit Nr1 të Superfuqisë sovjetike, për çështjet e pronës dhe të shtëpive, tregoi se çfarë ishin hesapet e njëmendta në raportet midis Washingtonit dhe Moskës. Ca shtëpi aty në Maryland, kurrë nuk do ta marrin vesh se çfarë roli luajtën për happy endin e luftës midis Perëndimit dhe Lindjes.

Libri “A World Transformed”, i George Bushit dhe Brent Scowcroftit, Këshilltarit të Presidentit amerikan për Siguri Kombëtare, i dedikohet ngjarjeve më të rëndësishme ndërkombëtare të viteve 1989-1991, të cilat ndërruan me themel Botën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Raportet midis SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik, rënia e Komunizmit dhe unifikimi i Gjermanisë, lufta në Kuwait, zhvillimet në Kinë, posaçërisht në lidhje me protestat e mëdha studentore të vitit 1989, janë ngjarjet për të cilat flet ky libër. Bush dhe Scowcroft këtu nuk flasin pothuaj fare për luftën në ish-Jugosllavi, e cila shpërtheu në pranverë të vitit 1991. Washingtoni, pas fitores së madhe në luftën kundër Irakut, në shkurt të vitit 1991, nuk kishte as gatishmëri dhe as vullnet të mirret me krizën më të madhe të Evropës post-bllokiste. Siç do të del nga

përvoja e viteve të ardhme, bindja e Washingtonit dhe qasja e Brukselit që kriza në ish-Jugosllavi është sprova për Evropën Perëndimore dhe që ajo duhet ta zgjidhë këtë problem që tronditte Evropën, u tregua e gabuar. Dhe ky gabim kushtoi tepër shtrenjë.

Por, t’i kthehemi librit “A World Transformed”. Kur lexuesi mbërrin në fund të kësaj vepre voluminoze, vështirë që mund t’i ikë një shpërthimi emocionesh. Ngjarjet e viteve 1989-1991, janë të paharrueshme dhe ato kthyen kah e mbara fatin e Evropës e cila ç’prej vitit 1945 u gjet në mes të dyluftimit më të madh në historinë e Qytetërimit perëndimorë. Armët bërthamore, në një anë, kërcënonin zhdukjen e mbarë njerëzimit. Në anën tjetër, ato, me këtë kërcënim, pakuptimësonin luftën, sepse “skema atomike” s’njihte dot fitues dhe humbës, por vetëm viktima. Por, nëse në vitet e gjashtëdhjeta dhe shtatëdhjeta, në Washington mbizotëronte bindja që koekzistenca midis dy blloqeve do të jetë afatgjate, pas hyrjes të tanksave sovjetikë në Afganistan, në vitin 1979, u kuptua që Moska nuk pranon këtë koekzistencë dhe se Bashkimi Sovjetik, të cilin Ronald Reagan, Kryetari amerikan në vitet 1980-1988, e quante “Perandoria e të se Keqes”, duhet të gjunjëzohet.

Gara në armatim, e intensifikuar në mesvitetet e tetëdhjeta, derisa vazhdonte të ishte e përballueshme për ekonominë gjigante amerikane dhe të shteteve perëndimore, ishte bërë lak në fytin e Bashkimit Sovjetik i cili gjithnjë e më shumë thellohej në krizë ekonomike. Perandoria sovjetike, e cila shtrihej prej Nikaraguas, Kubës e deri në Afganistan dhe Vietnam, kishte nisur, thënë figurativisht, të vdiste urie. Ishte ky fakti vendimtar që i dha kahje të pakthyeshme fundit të Komunizmit dhe të Bashkimit Sovjetik. I gjithë procesi u shpejtua, kur Mikhail Gorbachev, Lideri i fundit i BRSS-së, vlerësoi që perandoria sovjetike mund të ngopet bukë, mund të reformojë ekonominë dhe politikën në shkapërderdhje e sipër, duke ruajtur sistemin njëpartiak, ekonominë e kontrolluar dhe fuqinë ushtarake para së cilës dridhej Evropa prej Islandës deri në Kretë, prej Baltikut deri në Adriatik. Ishte pra një qasje alkimiste e Gorbachevit e cila do të përballet me një ofensive të madhe politike dhe diplomatike të presidencës së George Bushit, i cili do të kuptojë që ka ardhur çasti kur duhet dhënë fund Perandorisë së “amshueshme” sovjetike, duke realizuar kështu porosinë e paraardhësit të tij Reaganit.

UBT

Derisa Gorbachev pra shihte ëndrra, Bush e kuptoi realitetin.

Të tjerat pastaj ishin teknikë. Komunizmi do të bie në vitin 1989 me një shpejtësi të madhe, të pakapshme për shumë politikanë dhe ekspertë perëndimorë, sepse Gorbachev mendonte që “Perestrojka” (synimi për të bërë reformë) e tij e jo tanksat rusë dhe kokat bërthamore do të mbajnë tok shtetet komuniste të Evropës lindore. Kur ra Polonia, me marrëveshjen historike midis “Solidarnoscit” dhe Gjeneralit Jaruzelski, nisi rënia e Komunizmit, me të famshmin “efekt domino”. Dyluftimi Amerikano-Sovjetik pastaj, përfundoi aty ku nisi, në Berlin, kryeqytetin e Luftës së Dytë botërore dhe të Luftës së Ftohtë. Washingtoni, siç kuptohet nga libri “A World Transformed”, kishte një politikë të qartë në ditët dhe javët kur ndërruan epokat në Evropë dhe në Botë.

Derisa evroperëndimorët kishin frustrimet dhe dilemat e tyre me idenë e bashkimit të Gjermanisë të cilat në masë të madhe i referoheshin përvojës së dy luftërave botërore dhe teksa Gorbachev, vlerësonte që lejimin e unifikimit të Gjermanisë Perëndimi duhet ta shpaguajë me neutralitetin e Gjermanisë, shpërndarjen e blloqeve ushtarake (të NATO-s dhe të Varshavës), dhe me largimin ushtarak dhe politik të SHBA-së nga Evropa, Bush dhe ekipi i tij e dinin se ç’duhet bërë. Kështu, Gjermania duhej bashkuar, tutje, ajo duhej të mbetej në Paktin NATO, të cilin duhej transformuar në konteksin e rrethanave të reja politike dhe të sigurisë në Evropë. Të gjitha këto duhej bërë për të ruajtur rolin dhe pozicionin e Amerikës në Evropë, i cili, aq sa ishte vendimtar për epilogun e mega-konfrontimit me BRSS-në, ishte me rëndësi të padiskutueshme edhe për ardhmëninë e Evropës. Bush këtu ishte i pakompromis: Komunizmin duhej varrosur, Evropa duhej të fitonte lirinë e plotë, NATO duhej të mbetej garant i kësaj lirie, Amerika, udhëheqëse e Paktit NATO. Fitorja pra duhej të ishte e plotë, joproblematike, e pakthyeshme. Bush këtë do të arrijë me një diplomaci të vendosur ndaj Gorbachevit por edhe ndaj aleatëve evro-perëndimorë. Rendi i ri botëror, koncepcionin të cilin e promovoi George Bush, nisi të paraqitej me fundin e Komunizmit por edhe me reagimin e Bashkësisë Ndërkombëtare ndaj krizës së madhe të Kuwaitit. Në gusht të vitit 1990, Saddam Husseini, Kryetari i Irakut do të pushtojë Kuwaitin. Ishte kjo sfida më e madhe për Bushin dhe Perëndimin në muajtë pas marrëveshjes me Gorbachevin për bashkimin e Gjermanisë. Lexuesi në librin “A World Transformed” e merr vesh se si është ndërtuar politika amerikane pas këtij provokimi aq brutal të Saddamit. Kjo pjesë është tepër interesante për lexuesin kosovar sepse këtu do të gjejë shumë momente të përbashkëta me politikën e Presidentit Clinton gjatë kulmimit të krizës në Kosovë, në vitet 1998, 1999. Ta zëmë, këtu mund të kuptohet se si funksionojnë presidenca amerikane dhe Kongresi në kohë luftërash. Janë këto ballafaqime interesante të cilat tregojnë se demokracia amerikane megjithatë është e veçantë. Këtu, është interesant të theksohet që në dy shekujt e fundit, Amerika dyqind herë ka përdorur forcën ushtarake por Kongresi Amerikan vetëm pesë herë ka shpallur gjendjen e luftës!

Presidenti Bush, do të duhet të bëjë “akrobacione” të llojllojshme politike, për të pasur përkrahjen e shumicës së Kongresit dhe Senatit amerikan, për të krijuar dhe mbajtur një koalicion të gjërë ushtarak dhe politik të shteteve arabe dhe perëndimore, për të fituar përkrahjen të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të menjanuar rezistencën ruse dhe kineze. Pra, Bush, do të duhet përditë të tregojë, para amerikanëve dhe mbarë botës, që lufta kundër Irakut është luftë e drejtë dhe se ajo nuk mund të fitohet vetëm me fuqinë e jashtëzakonshme ushtarake amerikane pa aleancën politike me shtetet tjera perëndimore dhe me ato arabe. Natyrisht, Bush, gjatë gjithë kohës, do të detyrohet të kalkulojë “faktorin Vietnamez” dhe rrezikun që viktimat eventuale amerikane në këtë luftë, t’i kushtojnë atij me humbjen e postit të presidentit. Por Bush, këtu nuk kishte dilema të mëdha: Iraku duhej të ndalej. Kjo punë natyrisht që i referohej edhe interesave shumë të rëndësishëm amerikan në Lindjen e Mesme dhe në Gjirin Persik. Por poashtu, Iraku në Kuwait dhe më vonë Slobodan Milosheviq me luftërat në ish-Jugosllavi, do të paraqesin sfidat më të mëdha për Perëndimin në fazën e pasluftës së ftohtë. Tani, rreziku i precedentit duhej të menjanohej dhe këtu, në rastin e Kuwaitit, nuk mund të kishte mëdyshje. Por, në anën tjetër, në rastin e Irakut, Washingtoni zyrtar do të adaptojë edhe qasjen e cila do të jetë diç e re në politikën amerikane: Edhe pse dihej që Saddam Husseini është fajtor për krime të mëdha në Kuwait dhe për shkeljen e të Drejtës Ndërkombëtare, SHBA-ja do të garantojë sovranitetin e plotë të Irakut, apo, thënë më mirë, nuk do të synojë të ndërrojë pushtetin e Husseinit në Bagdad.

I përmendëm këto detaje të politikës së Bushit ndaj krizës në Kuwait, sepse pothuaj e njejta qasje është përdorur edhe nga Administrata e Clintonit kur ishte fjala për krizën në Kosovë. Amerika dhe Perëndimi u ndalë në Kosovë dhe nuk synoi nënshtrimin e Milosheviqit në përgjithësi, por vetëm këtu, në Kosovë. Por, derisa disfata e Husseinit në Kuwait, përkundër llogarive të Shtëpisë së Bardhë, nuk solli ndërrimin e regjimit në Bagdad, humbja e Milosheviqit në Kosovë ishte, sipas të gjitha gjasave, momenti vendimtar që derivoi humbjen e Milosheviqit në zgjedhjet e shtatorit të këtij viti.

Libri “A World Transformed” i George Bushit dhe Brent Scawcroftit, përfundon me porosinë e ish Presidentit amerikan që si kurrë më parë nevojitet involvimi ndërkombëtar i SHBA-së. George Bush, aq më tepër pohon: “Nëse SHBA-ja nuk prinë, nuk do të ketë udhëheqësi”(Bota).

(Autori është kolumnist i rregullt i portalit lajmi.net)