Hidromorava

Shumë pak përkthime nga filozofia dhe sociologjia

/ 6 minuta lexim
ARKATANA

Filozofia e sociologjia janë prej fushave më të rëndësishme të shkencave sociale. Por, tek ne në Kosovë gjejmë pak e aspak përkthime nga këto lëmi, ndonëse sot shumica e librave më serioze të filozofisë dhe të sociologjisë janë të shkruara në gjuhë të huaja, kryesisht në gjuhën angleze.

Studentët e këtyre dy departamenteve të Fakultetit Filozofik vazhdojnë të studiojnë përmes skriptave që i marrin nëpër fotokopjet e kryeqytetit, librave të paktë nga autorë shqiptarë ose përkthimeve akoma më të rralla.

Edhe pse dikur Kosova, gjegjësisht ndërmarrja e saj botuese “Rilindja”, shquhej për botimin e titujve më seriozë në lëmin e filozofisë dhe të sociologjisë, por edhe të historisë, të gjuhësisë, të etnologjisë, të ekonomisë politike etj., sot, në kohën e derregullimit të tregut të botimit të librave, sikurse edhe të sektorëve të tjerë, shumica e librave që përkthehen janë nga letërsia, sidomos letërsia me tema të lehta, kurse kemi shumë pak libra seriozë filozofikë apo sociologjikë të përkthyer në gjuhën shqipe.

Studentët apo studiuesit e filozofisë dhe të sociologjisë po patën njohuri nga gjuha angleze, eventualisht gjermanishtja apo frëngjishtja, mund edhe të kenë qasje në libraritë e pafundme në internet, ku kanë qasje në titujt më të vlerësuar, por edhe në titujt më të ri, të botuar në Britani të Madhe apo SHBA, Gjermani a Francë, të librave të filozofisë e të sociologjisë, por edhe të historisë apo të ekonomisë politike.

Profesori i sociologjisë në UP, Ardian Gola, tha për “Zërin” se “Në Kosovë gjendja është shumë e keqe, ndërkohë që në Shqipëri ka përkthime, ndonëse fokusi i tyre është kryesisht letërsia. Cilësia e përkthimit, me përjashtime, lë shumë për të dëshiruar. Arsyeja kryesore është se përkthimet bëhen nga gjuhëtarët, të cilët nuk janë të familjarizuar me fushat gjegjëse. Të paktën ishte dashur që redaktimi të bëhet nga profesionistë të fushës. Disa tekste klasike konsideroj që duhet të kenë trajtim të veçantë dhe kërkohet punë ekipore. Për shembull, përkthimi në anglisht nga gjuha gjermane e kryeveprës së Weberit, “Ekonomia dhe shoqëria”, është rezultat i një pune ekipore ku kanë marrë pjesë dhjetë përkthyes..”

ARKATANA

Agon Hamza, autor dhe koautor i disa librave në gjuhën shqipe dhe angleze nga fusha e filozofisë, për “Zërin” tha se “në Kosovë e Shqipëri, në parim përkthehen shumë pak libra. Ndërsa, librat filozofikë përkthehen jashtëzakonisht pak. Përkthimi zakonisht bëhet nga njerëz që nuk janë ekspertë të fushës dhe ka probleme – jo vetëm në terminologji, por edhe në shqipërimin e prozës. Kualiteti i librave të përkthyer nuk është më i mirë sesa niveli i përkthimeve. Klasikët e filozofisë akoma nuk janë të përkthyer në shqip”.

Profesori tjetër i UP-së, ligjëruesi i “Teorive Politike”, Bekim Baliqi, na tha se “librat e filozofisë dhe të sociologjisë në Kosovë botohen shumë pak, pothuajse aspak. Cilësia e përkthimeve lë mjaft për të dëshiruar dhe kjo për një varg arsyesh. Së pari nuk ka shtëpi botuese serioze dhe treg të qëndrueshëm që të jenë rentabile nga ana financiare. Pastaj, përkthyesit zakonisht nuk kanë njohuri shkencore, por vetëm gjuhësore. Po ashtu mungon një fjalor terminologjie të përdorur për shumë koncepte e terme nga këto fusha. Edhe titujt përzgjidhen sipas shijes së përkthyesve ose për t’iu përshtatur shijes së masës”.

Kurse, Shkodran Ramadani, student i shkallës master i Sociologjisë pranë Universitetit të Prishtinës, rreth temës së përkthimit të librave filozofikë e sociologjikë në gjuhën shqipe, për “Zërin” tha: “Është paksa e vështirë t’i përgjigjesh pyetjes rreth sasisë së përkthimeve nga sociologjia për shkak që nuk ka ndonjë matës përmes të cilit do të mundë të vinim tek një rezultat konkret. Megjithatë, përmes vëzhgimeve josistematike mund të them se sasia e përkthimeve në sociologji dhe filozofi është tejet e varfër. Në një përgjigje më përgjithësuese do të thosha se cilësia e përkthimit është ende e ulët. Po të marrim shembull fushën e sekularizmit, që është fushë që sot diskutohet shumë shpesh, vërejmë se gjendemi në një terr të plotë.”

Në pyetjen tonë se cilët janë tri filozofët apo sociologët për të cilët kemi shumë nevojë të përkthehen në shqip, por që akoma s’janë përkthyer, profesor Gola listoi Pierre Bourdieu, Jurgen Habermas dhe Richard Rorty, duke shtuar se i ngelet borxh shumë teoricienëve që meritojnë të përkthehen, Agon Hamza theksoi se përkthimi i klasikëve të filozofisë është çështje urgjente, pa dashur të dalloj ndonjë emër, profesor Baliqi radhiti Will Kymlickan, Seyla Benhabibin dhe Ernesto Laclaun, edhe pse tha se “aq shumë kemi nevojë, saqë cilido filozof apo vepër që të përkthehet, do të ishte i mirëseardhur”, derisa Shkodran Ramadani rekomandoi Pierre Bourdieun, Olivier Royn dhe Jacques Derridan.

Edon Zeneli nga shtëpia botuese “Buzuku” rreth kësaj teme për “Zërin” tha se “shtëpia jonë botuese është e profilizuar kryesisht në botime të librave nga letërsia, kurse librat e natyrës filozofike apo sociologjike i botojmë vetëm nëse ndërlidhen me letërsinë, siç janë për shembull librat e Todorovit. Por, çfarë vlen të përmendet është fakti se në dy vjetët e fundit tek të gjithë botuesit ka rritje të interesimit për të botuar libra nga fusha e filozofisë dhe e sociologjisë. Në treg aktualisht gjenden mbi 1000 tituj librash filozofikë e sociologjikë. Në librarinë tonë kemi disa tituj librash filozofikë që kërkohen vazhdimisht nga lexuesit, por që akoma nuk gjenden të shqipëruara në tregun shqiptar, si p.sh. “Fenomenologjia e frymës” e Hegelit apo “Kritika e arsyes së kulluar” e Kantit”./zeri/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.