UBT

Shteti në “grusht” të Devollit!

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Nga Lavdim Hamidi – Prej se është zgjedhur në krye të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, Ekrem Hoxha, me “mish e me shpirt” është vënë në shërbim të një biznesi vendor.

Ai e ka për qëllim që sa më shpejt ta fuqizojë operatorin mobil virtual “Z Mobile”, apo “Dardafon.net”, pronë e familjes Devolli nga Peja, duke e bërë këtë edhe më atraktiv se operatori i parë mobil “Vala” dhe i dyti IPKO, pavarësisht se këta të fundit kanë investuar qindra miliona euro për ta siguruar një pjesë të konsiderueshme të tregut.

Si zakonisht, e mira kthehet me të mirë: Hoxha i gatshëm ta japë ndihmën e pakursyer për “Z Mobile”, ndërsa vëllezërit Devolli nëse asgjë më shumë, ia kanë hequr dertin e punës për bashkëshorten në biznesin tjetër të tyre milionësh, përkatësisht në Qendrën e Automjeteve të Kosovës (QAK).

Nga kjo qendër, bashkëshortja e Hoxhës merr pagë vjetore prej 4800 euro, të ardhura të cilat janë të paraqitura edhe në formularët e Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit.

Përderisa “Z Mobile” iu deshën fare pak investime dhe pak të punësuar për ta marrë një pjesë jo të vogël të tregut të telefonisë në Kosovë, operatori IPKO vetëm licencën e dytë të telefonisë mobile në vitin 2007 e pati paguar 75 milionë euro dhe për 5 vjet investoi në rrjetin e telefonisë edhe 150 milionë euro të tjera. Pra, me hiç më pak se 230 milionë euro investime dhe më shumë se 6 vjet në treg të telefonisë, mbi 600 punëtorë të punësuar, operatori IPKO mezi arriti t’i ketë 500 mijë konsumatorë në Kosovë, së paku ashtu u deklaruan muaj më parë.

Ndërsa për licencë “Z Mobile” ka paguar vetëm 50 mijë euro, nga e cila i siguroheshin vetëm 200 mijë numra, ndërsa së fundi edhe 100 mijë numra i janë dhënë “dhuratë” nga Hoxha.

Këta 100 mijë numra prodhojnë miliona euro në vit shtesë për pronarët, ndërsa një përqindje e ulët nga të hyrat shkon për operatorin e parë, i cili që disa muaj është privatizuar.

UBT

Operatori virtual i merr numrat nga operatori i parë mobil, e shfrytëzon gjithë infrastrukturën telefonike të këtij të fundit dhe në fund del në treg me një ofertë dukshëm më të lirë për konsumatorët e vet.

Kështu nuk ndodh askund në botë. Pra, “Z Mobile” me të vërtetë është rast sui generis.
Kjo i ndodh vetëm këtij operatori virtual, pasi që për ta fuqizuar këtë të fundit janë kujdesur gjithë zyrtarët më me ndikim të politikës në Kosovë.

Duke ia dhënë licencën e operatorit mobil virtual, ata e kanë dobësuar tej mase financiarisht kompaninë publike, Postë Telekomin e Kosovës, e cila muaj më parë u shit për vetëm 277 milionë euro, ndonëse vlera e saj para se të licencohej “Z Mobile” vlerësohej në rreth 1 miliardë euro.

Realisht nuk është vetëm operatori virtual, i cili ia uli vlerën kompanisë publike, mirëpo kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim dha edhe keqmenaxhimi i kompanisë dhe rritja e punësimeve, duke u shndërruar kështu në çerdhe për militantët partiakë të partive në pushtet.

Licencë si ofrues të shërbimeve mobile virtuale nga operatori IPKO ka edhe kompania D3, e cila është pronë e biznesmenit tjetër nga Peja, Ekrem Lluka, mirëpo ky operator ka mbetur një miniaturë e operatorit tjetër virtual “Z Mobile”.

Konsumatorë të D3 janë vetëm punëtorët e korporatës “Dukagjini” të Llukës, pasi që asnjë konsumator tjetër nuk e ka parë të leverdishme t’i marrë sim-kartelat (numrat) e këtij operatori, i cili nuk ka pasur mundësi t’i shesë impulset më lirë se IPKO, krejtësisht e kundërta gjë i ka ndodhur operatorit publik “Vala”.

Duke i krahasuar këta dy operatorë mobilë virtualë (D3 dhe Z Mobile) dhe njëkohësisht duke e parë favorizimin e operatorit “Z Mobile” në dëm të kompanisë publike del se Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit, tashmë me emër të ri Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, nuk e ka luajtur rolin e një trupe rregulluese, por është shndërruar në një turp rregullator, duke i favorizuar bizneset e fuqishme dhe të lidhura me politikën dhe duke e zhvleftësuar kompaninë publike.