Fundamenti

Shpalim i vlerave për poezinë bashkëkohore shqiptare

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Nga Bilall Maliqi – (Sinan Sadiku “Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqiptare”, botoi Sh.B. “Beqir Musliu”, Gjilan, 2013, faqe, 288).

1.
Për poezinë bashkëkohore shqiptare kanë shkruar dhe janë marrë seriozisht kritikë e studiues letrarë në Kosovë, të cilët këto kritika dhe studime për poezinë i kanë prezantuar nëpër gazeta të ndryshme që dalin në Kosovë e gjetiu në gjeografinë shqiptare, por edhe në librat e tyre me kritikë letrare, duke dhënë kështu nota vlerësimi për librat e lexuar.

Kështu nuk ndodh edhe me shumë kritikë të tjerë të cilët shkruajnë sot vlerësime dhe recensione në baza shoqërore, miqësore dhe të përfitimeve materiale, por në njëfarë mënyre këto shkrime e dëmtojnë letërsinë tonë, poezinë dhe librat e autorëve të trajtuar.

Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqiptare: titull interesant dhe mjaft i thukët e përmbajtjesor, titull ky i librit më të ri të poetit dhe kritikut Sinan Sadiku, i cili pa dritën e botimit para disa ditëve, libër ky me kritikë e studime në të cilën hedhen në dritë shkrimet e kritikëve më me zë të poezisë bashkëkohore shqiptare, nëpër etapa të caktuara të cilët lanë vulë në selektimin dhe ndarjen e vlerës nga pseudovlera si: Dr. Ibrahim Rugova, Dr. Agim Vinca, akademik Ali Aliu, Dr. Robert Elsie etj., e që Sinan Sadiku merr në trajtesë pikërisht vlerësimin e këtyre emrave të njohur mbarëkombëtare për poezinë bashkëkohore shqiptare.

2.
Nëpër etapa kohore të ndryshme, e sidomos më herët kritika letrare ka pasur qasje shumë më objektive dhe ato libra të lexuara iu kanë nënshtruar kritereve bazë për vlerësim sa më real, ndonëse atë kohë (vitet e shtatëdhjeta dhe të tetëdhjeta) ka qenë një numër shumë më i vogël krijuesish të poezisë, por ka qenë një brez elitar i poetëve që me poezitë e tyre kanë lënë gjurmë të pashlyera në poezinë e sotme.

Duke e lexuar librin e Sinanit vërejmë se ai është marrë një kohë të gjatë me studimin e kritikës letrare të Dr. Ibrahim Rugovës dhe të kritikëve të tjerë që janë të pranishëm në libër, duke shpalosur mënyrën dhe dhënien e mendimit të Dr. Rugovës për librat e analizuara me një stil të veçantë të vlerësimit, ku jepen mendimet e tij për librat me poezi, për një numër të poetëve të prezantuar në botimet e tij, të cilat autori i studion mirë dhe më vonë na sjell edhe krahasime me kritikët e tjerë .

Poashtu Sinani sjell mendime e analiza edhe të studiuesve të tjerë të njohur gjithandej trojeve shqiptare si: Prof. Dr. Agim Vinca, Akademik Ali Aliu e Prof.Dr. Sabri Hamitit , Dr. Robert Elsie, por edhe pasqyron ngjashmëritë dhe dallimet në mes të kritikëve të lartpërmendur.

3.
Lënda e librit e ndarë në kapituj jep një studim serioz të autorit që nga kapitulli i parë i titulluar /Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqiptare/, ku jep një studim të thukët e përmbajtjesor të vlerësimeve të lartcekura të kritikëve dhe të studiuesve më me zë të poezisë së sotme shqipe në periudha të lartshënuara, por edhe paraqet antologjitë dhe vlerat e poetëve të përzgjedhur brenda kopertinave të tyre si: / Libri i hapur dhe Muza e mëmëdheut të Agim Vincës/, /Antologji e poezisë shqipe e Ali Aliut/, /Antologji e poezisë shqipe bashkëkohore e Bashkim Kuçukut/, /Dritaren lëre hapur, E frikshme dhe e bukur dhe Një gurë i çarë/ të Ali Podrimjes /Antologji e poezisë moderne shqipe e Ferdinand Lahollit/ , jep një pasqyrim të mirë të lëndës brenda këtyre Antologjive të shtjelluara nga autori, por jo vetëm kaq ai bënë edhe krahasime në mes të antologjive me vlerat e poetëve të prezantuar në to.

RCCOLA

Në kapitullin e dytë Sinani e bën një analizë të thukët lidhur me poezinë shqiptare të tri dekadave të fundit, shkruan për ndryshimet në rendin e vlerave në poezinë bashkëkohore shqiptare gjatë dy dekadave të fundit, për ta përmbyllur këtë kapitull me /kritika letrare dhe poezia shqiptare e tri dekadave të fundit/, duke shprehur mendimin se sot kritika letrare është në nivel shumë të ulët edhe atë duke filluar që nga viti 1990 e këtej.

Me këtë mendim pajtohem edhe unë, sepse që nga ajo kohë e sidomos kohët e fundit kritika letrare është shndërruar më shumë në materializim dhe familjarizim, gjë që në masë të madhe e dëmton vlerën e poezisë së sotme shqipe e cila ka poetë të mirë që meritojnë të jenë edhe brenda kopertinave të Antologjive e nuk janë, por tani nëpër disa antologji hyjnë disa krijues që sapo kanë dalë në sipërfaqe e ua zënë vendin poetëve që i ka dëshmuar koha.

4.
Sinan Sadiku në kapitullin e tretë të titulluar /sprova kritike/, merr në trajtesë një numër të librave të lexuara, të rilexuara disa herë dhe të analizuara me përpikëri nga këndi perceptues i autorit.

Shihen qartë shprehjet e zgjedhura kritike të autorit të cilat i ka shpërndarë gjithandej librave të analizuara. Duke i lexuar në vazhdim qasjet e tij kritike për librat e lexuara shohim se autori është shumë origjinal, ka mendimin e tij, e mbron mendimin e tij dhe e argumenton atë me një përpikëri shtjelluese, gjë që len të kuptojmë se Sinani është gjurmues i kujdesshëm i vlerave të librave të trajtuara.

Brenda këtij kapitulli shohim se kritiku letrar Sinan Sadiku ka shtjelluar këta poetë: Sabit Rrustemin me librin “Paqja e brishtë”, Nexhat Rexhën me librin “Ndrydhje e pikës K”, Aziz Mustafën me librin “Matja e kohës së ndalur”, Baki Krasniqin me librin “Zogu i qyqes”, Fehmi Ajvazin me librin “Porta e hapur”, Gani Sadikun me librin “Strehim i qenies”, Bilall Maliqin me librin “Lutje të lagura”, Arif Kutleshin me librin “Perdja e diellit” dhe Shpresë Ajvazin me librin “Kufij kam në mes”.

Librat e trajtuara nga autori kanë poezi të motiveve të ndryshme të cilat Sinani i ka analizuar e shtjelluar me kujdes duke e dhënë mendimin e tij për secilin libër të lexuar.

Në këtë libër përmbajtjesor e shkencor janë të shënuara edhe fusnotat dhe literatura me të cilat është shërbyer autori i tij.

Marrë në tërësi ky libër kritik e studimor i Sinan Sadikut e ka vlerën e vet duke iu shtuar kështu letërsisë shqiptare dhe bibliotekave tona një libër simpatik dhe mjaft tërheqës për lexim…