RCCOLA

Shkolla “Nazim Hikmet” në Dobërçan feston 75 vjetorin e ekzistencës në gjuhën shqipe

/ 7 minuta lexim
Fundamenti

Nga Rexhep Arifi – Në këtë vit jubilar në 75 vjetorin e hapjes së shkollës së parë në gjuhën shqipe në Dobërçan, në shenjë mirënjohje, respekti dhe falënderimi për të gjithë ata mësues e mësuese që u bënë shkëndijat e para për ndriçimin e rrugës së gjeneratave të tëra të Dobërçanit dhe rrethinës, po e botojmë këtë artikull për të përshkruar shkurtimisht rrugëtimin 75 vjeçar të shkollës sonë.

1. Historia e arsimimit dhe edukimit në fshatin Dobërçan

Fshati Dobërçan është një vendbanim i vjetër, lashtësia e të cilit dëshmohet edhe me praninë e një numri të madh të burimeve historike, si ato të shkruara, poashtu edhe materiale. Fshati Dobërçan, në dokumentet e shkruara përmendet në vitin 1437 me emrin Dobruzani. Ky vendbanim ishte Nahije në kuadër të Kazasë së Novobërdës, si dhe përmendet në defterin kadastral osman të vitit 1566 – 1574, me 26 shtëpi, poashtu paraqitet edhe në një hartë të vitit 1530.

Gjurmët e para të mësimit në fshatin Dobërçan, mund t’i hasim në një periudhë relativisht të largët në krahasim me fshatrat apo vendbanimet tjera të rrethinës. Me ndryshimet që kishin ndodhur në sistemin ligjor dhe arsimor në Perandorinë Osmane, në shek.XIX dhe në fillim të shek. XX, u rrit dukshëm numri i shkollave popullore-shtetërore, e krahas tyre edhe i shkollave fetare, të cilat mbështetjen si në aspektin organizativ poashtu edhe ate material e gjenin edhe nga pushteti por edhe nga pronarët privat. Nga të dhënat e paraqitura në bazë të “Sallnamesë” së Kosovës, nga viti 1874 në Gjilan kishte një mejtep dhe një medrese. Ndërsa në vitin 1887 numëroheshin gjithsej pesë shkolla fillore dhe dy medrese, njëra gjendej në Gjilan dhe tjetra në Dobërçan. Të dhënat për ekzistencën e këtyre vatrave të diturisë të cilat kishin më tepër karakter fetar, i vërtetojnë të dhënat e historianëve e studiuesve të ndryshëm, si: Dr. Skender Rizaj, Haki Kasumi, Jashar Rexhepagiqi etj.

Medreseja e fshatit Dobërçan, e hapur në fillim të gjysmës së dytë të shek.XIX, kishte funksionuar deri në vitin 1912, e cila ishte mbyllur për shkak të fillimit të Luftës së Parë Ballkanike. Në fillim të shek.XX, në shkollën fillore të fshatit Dobërçan mësonin rreth 60 nxënës, të cilët ishin të ndarë në tri paralele. Përveq fëmijëve të fshatit, këtu mësonin edhe fëmijët e fshatrave të rrethinës. Të dhënat tregojnë se Medreseja e Dobërçanit kishte gjithsej nëntë dhoma, të cilat ishin të ndërtuar nga një material mjaft i dobët dhe shërbenin kryesisht si mësonjëtore si dhe për banimin e nxënësve. Mësimi në këto medrese, kryesisht zhvillohej në aspektin fetar, për të përgatitur kuadro për nevojat e shërbimeve fetare, si: myderriz, hoxhallarë, etj., por, megjithatë, këto medrese luajtën një rol të rëndësishëm në arsimimin e popullsisë së Dobërçanit me rrethinë sepse përveç mësimit fetar, në këto medrese zhvillohej edhe mësimi shkencor, letrar dhe artistik, por kjo varej kryesisht nga përgatitja dhe niveli i kuadrit mësimor që jepnin mësim në këtë medrese e cila kishte funksionuar deri në fillimin e luftërave ballkanike më 1912-1913.

UBT

2. Hapja e shkollës në gjuhën shqipe më 1945 në Dobërçan
Sa i përket periudhës së shkollimit në Dobërçan pas mbylljes së medresesë nuk kemi shumë të dhëna, por dihet se pas ripushtimit të Kosovës nga Serbia, pas luftës së parë botërore, në kohën e regjimit të Jugosllavisë, sikurse në shumicën e vendbanimeve të tjera edhe në Dobërçan ekzistonte një shkollë në gjuhën serbe, në të cilën mësonin nxënësit shqiptar, ndërsa mësuesit ishin serbë të ardhur nga Serbia, misioni i të cilëve ishte ‘’shkombëtarizimi dhe asimilimi i shqiptarëve’’. Kjo vërtetohet në një raport të ‘’misionit të jashtëzakonshëm shkollor’’ i dërguar nga ministri i arsimit të Mbretërisë shqiptare, profesor Ernest Koliqi, i cili kishte për detyrë të studionte nevojat arsimore e shkollore të shqiptarëve në Kosovën e ndarë në tri zona pushtuese pas kapitullimit të Jugosllavisë (18 prill 1941), ku më pas zona pushtuese italiane në të cilën bënte pjesë Regjioni i Anamoravës iu bashkangjitën Shqipërisë. Në këtë raport vërtetohet se në Dobërçan, numri i nxënësve të cilët mësonin në gjuhën serbe ishte 50, ku 50% prej tyre ishin shqiptarë dhe 50% serbë. Pas kësaj kohe, kishte filluar menjëherë organizimi i kurseve verore për gjuhën shqipe, ku një rol të veçantë në nënprefekturën e Gjilanit në organizimin dhe realizimin e këtyre kurseve e kishte dhënë mësuesi Halit Isaja nga Dobërçani.

Në një raport të titulluar ‘’Gjilani don shkolla’’, pas pasqyrimit të gjendjes në qytet, ndër të tjerash përmendet edhe Dobërçani, ku thuhet se ‘’Mbasi folëm për qytetin tash po largohemi nga lindja e këtij dhe tue hecë kemi me u ndeshë me një katund me emnin Dobërçan i përbamë prej 250 shpijash e që mjerisht flasin si nëpër shtëpija ashtu edhe ku do gjuhën turqe. Pra, a nuk asht për me na ardhë keq e njikohësisht edhe marre që s’asht hapun deri më sot nji shkollë kombëtare, për me bamë që edhe këta banorë, të cilët janë brez mbas brezi shqiptarë, të flasin gjuhën e ambël kombëtare? Kuptohet pra vetiu randsia e madhe që asht hapja e nji shkolle kombëtare në këtë vend’’. Mirëpo, sipas dokumenteve që disponojmë, shkolla në gjuhën shqipe u hap në vitin 1945. Nga hulumtimet e bëra në arkivin e shkollës, kemi arritur të gjejmë librin amë në të cilin figuron viti 1945, atëherë kur dokumentohet se ka filluar për herë të parë mësimi në gjuhën shqipe. Në librin amë të vitit 1945, figurojnë të regjistruar gjithësej 137 nxënës të moshave të ndryshme nga 7 – 14 vjeç, të cilët kishin filluar klasën e parë. Nxënësit janë nga Dobërçani dhe fshatrat përreth, ndërsa mësues ishte Sejdi Hoxha dhe Abdylaziz Kadriu. Lëndët të cilat mësoheshin në klasën e parë ishin: Abetare, aritmetikë, mësim jete, punë dore, vizatim, bukurshkrim, këngë, gjimnastikë. Gjithsej ishin tetë lëndë mësimore.

Fotografi gjatë hulumtimeve në arkivin e shkollës (Rexhep Arifi & Selim Selimi)
Mësimi në gjuhën shqipe ishte ndërprerë përkohësisht në vitin 1951, për të vazhduar sërish në vitin shkollor 1958/1959 në gjuhën shqipe dhe në gjuhën turke. Mësimi zhvillohej në shkollën ku edhe më parë kishte funksionuar medreseja e Dobërçanit (në vendin ku sot ndodhet shtëpia e kulturës dhe ambulanta). Ndërsa, në vitin shkollor 1965/1966 ndërtohet shkolla ku edhe sot zhvillohet mësimi (kati i parë aktual) ndërsa në vitin shkollor 1978/1979, ndërtohet edhe aneksi tjetër (kati i dytë dhe i tretë) pjesë të cilat vazhdojnë të shfrytëzohen edhe sot për mësim.

Nga kjo shkollë përgjatë gjithë historisë së ekzistencës së saj, falë punës dhe përkushtimit të udhëheqësve dhe mësimdhënësve të cilët kanë punuar dhe atyre që vazhdojnë të punojnë edhe sot, kanë dalë dhe ende vazhdojnë të dalin kuadro të profileve të ndryshme të cilat kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë në të mirë të fshatit, komunës dhe të të gjithë Kosovës./rajonipress/

(Disa pjesë nga ky shkrim janë shkëputur nga monografia në dorëshkrim për shkollën e Dobërçanit e autorëve: Msc. Rexhep Arifi dhe Dr.sc. Selim Selimi).