Komandanti Murtez Ramiqi i pa kompromis në luftë (1941-1945) kundër serbo – komunistëve për të mos mbet Kosova dhe trojet shqiptare nën pushtimin jugosllav
Nga Sami Arifi – Murtez Ramiqi shumë herë gjuante nga pozicioni në këmbë, atij iu kishte dhënë vërejtje se mundë të rrezikohej nga ndonjë plumb serb, përgjigjja tij ishte: “Plumbat e shkaut nuk më rrokin, sepse nuk i kemi hak”.
Murtez Ramiqi (1920-1985)
Murtez Ramiqi u lind në vitin 1920 në fshatin Pozheran-tani komuna e Vitisë, Murtezi rrjedh nga një familje me taban kombëtar, ai ishte i biri i Ali Tafë Ramiqit. Ali Tafë Ramiqi kapët nga OZNA në fund të vitit 1944 dhe pushkatohet së bashku me Mulla Xhemë Sllatinën, Aqif Tetovë-Gjilanin dhe me mijëra shqiptarë të tjerë në masakrën e Gjilanit nga okupatori serbo-çetniko-komunist jugosllav…
Babai i Murtezit, Aliu ishte kryetar i fshatit në kohë e pushtetit gjatë Luftës së Dytë Botërore të viteve 1941-1945, ai kishte bërë mobilizimin në luftë kundër forcave serbo-çetniko-komuniste jugosllave në Velegllavë më 28 qershor dhe në Kikë më 26 korrik të vitit 1944 të cilën luftë e udhëheqte me sukses komandanti i përgjithshëm i vullnetarëve, Mulla Idriz Gjilani, dhe e kurorëzoi me fitore të pakontestuara në beteja.
Aliu, babai i Murtezit, ndër të parët kishte mobilizuar djalin e vetë Murtezin, i cili në atë kohë ishte 22 vjeçar. Murtezi kishte shkathtësi në përdorimin e armëve, ai në beteja ngarkohej me armë të rënda si me pushkomitrolez e të tjera.
Murtez Ramiqi shumë herë gjuante nga pozicioni në këmbë, atij iu kishte dhënë vërejtje se mundë të rrezikohej nga ndonjë plumb serb, përgjigjja tij ishte: “Plumbat e shkaut nuk më rrokin, sepse nuk i kemi hak”.
Në luftën e Ferizajt Murtezi ishte dalluar me rezistencë kundër forcave partizane. Thuhet se gjurmët e plumbave të mitrolozit të tij kanë qenë në kishën shqiptare katolike, ku kishte zën pozicion kundër ushtrisë serbo-sllave, ku ishte zhvilluar beteja në Ferizaj, deri në fillim të viteve 70-ta, derisa është renovuar faltorja. Murtezi përveç Luftës në Velegllavë, Kikë, Ferizaj kishte marrë pjesë edhe në Luftën e Gjilanit kundër forcave çetniko-komuniste serbe.
Murtezi ishte luftëtar i betuar për Shqipërinë Etnike…
Murtez Ramiqi posedonte aftësi luftarake, prandaj edhe arrinë të bëhet komandant i luftërave në mbrojtje të territoreve shqiptare në kufij me Serbinë, për të mos lejuar forcat serbe të depërtojnë në trevat shqiptare, për t’i pushtuar dhe për të bërë gjenocid në popullatën shqiptare…
Atdhetari, komandanti Murtez Ramiqi ishte bashkëveprues në aksione luftarake me Hysen Terpezën, Mulla Idriz Gjilanin, Musli Pirën, Bejtë Alidemën, Adem Gllavicën, Luan Gashin e shumë veprimtarë tjerë të çështjes kombëtare që luftonin për Shqipërinë Etnike…
Atdhetari Murtez Ramiqi me shumë luftëtarë të lëvizjes për lirinë e popullit shqiptar nga serbo jugosllavët komunistë, luftoi dhe veproi në malet e Kishnapolës, Sllakovcit, Tërpezës, por duke parë se tashmë me vendimin e ndarjes së sferave të interesit nga Fuqitë e Mëdha, Kosova dhe trojet shqiptare ishin mbet nën robërinë jugosllave, po edhe Shqipria në zonën e sistemit sllavo-komunist rus, vendosin ta lëshojnë vendin dhe të emigrojnë në Greqi, Turqi, Gjermani, Amerikë së bashku me shumë luftëtarë. Murtez Ramiqi, Bejtë Alidema, Hasan Ballaca shkuan në Turqi, por që Atdhetari Murtez Ramiqi me shokë vëmendjen e kishte te atdheu në vendlindjen e tij.
Atdhetari Murtez Ramiqi ndërrojë jetë në Turqi në qytetin e Izmirit në vitin 1985, ai la trashëgimtar djalin Jashar Ali Gjilanin.
Atdhetari, komandanti Murtez Ramiqi, mbetet përherë në kujtesën e popullit, pushoftë i çetë në dritën e pashtershme në amshim, Perëndia me Parajsë e pastë shpërblyer në përjetësi…