Fundamenti

Shkëlzen Maliqi: Pse u prisha me “Klanin”, te Edi Rama me çoi Batoni

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

I emëruar këshilltar i kryeministrit të zgjedhur Edi Rama për rajonin, Shkëlzen Maliqi vjen në një intervistë në “Gazeta Shqiptare” për punën e re. Ai rrëfen se si duhet të jenë marrëdhëniet me Serbinë, Greqinë dhe Maqedoninë dhe si duhet t’iu përgjigjemi sjelljeve e pretendimeve të tyre. Maliqi, pranon të hedhë dritë mbi akuzat e bëra ndaj tij për luftën në Kosovë apo lidhjet me Serbinë, por tregon përpos njohjes me Ramën në vitet ’90, edhe polemikat e përplasjet me Fatos Lubonjën, Aurel Plasarin, Mero Bazen e televizionin “Klan”.

Zoti Maliqi, që prej ‘emërimit’ tuaj si këshilltar i kryeministrit Rama, janë ngjallur debate pa fund. Kush janë për ju: Prof.Aurel Plasari dhe Mero Baze?

Me Aurelin kam zhvilluar një polemikë para 18 vitesh. E pata kritikuar pikëpamjen e tij mbi “rishfaqjen e Vijës së Theodosit” (imperatori që e ndau Perandorinë romake në dy pjesë), që ai e shihte si fatalitet që edhe sot i ndanë tokat dhe kokat shqiptare. Polemika ishte akademike, por edhe rreth rrënjëve evropiane të shqiptarëve. Koncepti i Aurelit ishte përjashtues, mendonte se vetëm katolikët dhe protestantët janë evropianë me rrënjë. Unë isha për qasje përfshirëse, se ideja e Evropës nuk i përjashton ortodoksët dhe myslimanët. Aurelit si duket edhe sot i ka mbetur hatri pse ideja e tij mbi Kosovën “matanë vijës së Theodosit”, ose jashtë Evropës dhe Perëndimit, nuk doli e saktë dhe vazhdon të më konsiderojë anti-evropian. Sa i përket Meros nuk kemi pasur ndonjë sherr, por as afërsi. Në vitet ’90 ai ka punuar për mediat kosovare që kanë shpifur ose ekzagjeruar argumentet kundër meje, ato që përmenden edhe sot (babai komunist i nomenklaturës titiste, pro-serb sepse kam studiuar në Beograd etj. Mero më së shumti reagoi pse Rama angazhoi dike që për televizionin “Klan” dhe Sali Berishën realizoi sondazhet, që në vitin 2005 dolën të sakta, e më 2009 e 2011 tejkaluan marzhën e gabimit në parashikim.

Ju e keni sqaruar tashmë etiketimin tuaj si “dorë e zgjatur e Serbisë në Kosovë”, megjithatë, do të ishte mirë të na thoshit pse nuk jeni i tillë. A mund të na thoni disa veprime/vendime tuajat që tregojnë të kundërtën?
Nuk kam unë si të sqarohem për këtë, ai që akuzon duhet t’i ketë provat. Mund të kërkoni emrin tim ose të shihni blogun tim (http://shkelzenmaliqi.wordpress.com) ku kam postuar një pjesë të artikujve dhe intervistave, prej disa mijëra sosh, si dhe librat e mi në shqip dhe anglisht. Një libër, intervistë e gjatë e Baton Haxhiut me mua është botuar në Tiranë më 2011 nga UET, me titull “Shkëlzen Maliqi: Shembja e Jugosllavisë, Kosova dhe rrëfime të tjera” dhe mund të shkarkohet edhe nga interneti. Aty janë të gjitha sqarimet.

Kur jeni ‘pajtuar’ me Ramën pas sondazheve të “Gani Bobit”? Ka të bëjë vetëm me sondazhet pas të cilave ai u bind që duhej të bashkohej me LSI, apo ka diçka më shumë se kjo?

Shikoni, ne që bëjmë sondazhe i analizojmë hollësisht edhe dështimet dhe dobësitë e tyre. Kanë hequr edhe më keq agjencitë me famë botërore, dhe kanë marrë mësime, kanë kërkuar ku ka qenë lëshimi. Duke bërë një seri sondazhesh në Shqipëri, mbi 15 në kohëra të ndryshme, e kemi vërejtur se në sondazhet ku kampioni është tërë Shqipëria marzhi i gabimit ka qenë gjithnjë më i vogël se kur kemi bërë sondazhe vetëm me kampionet e Tiranës dhe Shqipërisë së mesme. Dhe kemi konkluduar se në Shqipërinë e mesme problem është sinqeriteti i respondentëve nga viti 2008. Një shtresë e tyre e kishte frikë deklarimin e preferencës politike. Identifikuam se këta janë punonjësit në administratë dhe institucionet publike që votojnë PS-në dhe kanë frikë se pushteti po i kontrollon me sondazhe dhe se kjo ua rrezikon vendet e punës. Me televizionin “Klan” u ndava keq në vitin 2011, sepse nuk pranoi publikimin e parashikimit të korrigjuar, ku gara mes Ramës dhe Bashës tregohej e nivelizuar, por u insistua që me grafika ta nxjerrim si fitues Bashën me përparësi bindëse. Unë kam menduar se do të jetë e mjaftueshme nëse e them gojarisht korrigjimin, se kampioni është i devijuar dhe duhet pritur garë shumë e ngushtë, ose edhe e përmbysur në favor të Ramës, çka edhe doli pas numërimit të parë. Kjo është e regjistruar në emisionin e Blendi Fevziut, mund të verifikohet lehtë. Por, të gjithë u kapën për grafikët e parashikimit të devijuar.

Eco Higjiena

Një tjetër konkludim që kemi nxjerrë nga sondazhet ka qenë se e majta e ribashkuar ka potencialisht më shumë votues se sa e djathta e bashkuar. Këtë storie e kishte dëgjuar Edi Rama dhe e porositi një sondazh të freskët në vjeshtë të vitit 2011, jo nga Instituti ‘Gani Bobi’, por me angazhimin e stafit të këtij instituti dhe nën drejtimin tim, ku e testuam edhe idenë se si do të pritej nga elektorati ribërja e koalicionit të PS-së me LSI-në. Mësimi ishte se kjo mund dhe duhet të ndodhë. Tjetri mësim ishte se Shqipëria tregohej e lodhur nga konfliktualiteti dhe se edhe një pjese të votuesve të djathtë po u dilte qejfit Berisha. Kjo është historia e rastit, e mësimeve nga gabimet, dhe s’ka asnjë të fshehur tjetër.

Keni deklaruar se me Ramën keni miqësi të hershme. Cilët janë miqtë tuaj të përbashkët?

Në vitet ’90 kam qenë më i afërt me një grup intelektualësh rreth fondacionit “Soros” në Shqipëri, një kohë ata na u bashkuan në nxjerrjen e shtatë numrave të revistës MM që e botonim në Prishtinë. Është projekt i parë i tillë i përbashkët, në kushtet e vështira, kur i patëm kontrabanduar 500 ekzemplarë të revistës me varka nga ana e Liqenit të Shkodrës, ose i bartnim në sasi më të vogla përmes Maqedonisë me valixhe personale, për ta distribuuar në Shqipëri. Kurse miqësi më të ngushtë kisha me Ramën dhe Fatos Lubonjën, kur edhe ata të dy ishin të afërt. Vetëm se kur Rama filloi karrierën politike Lubonja nuk e priti mirë “ndryshimin” dhe “përshtatjen” e Ramës me ambicien politike, që atij i dukeshin si “tradhti” e idealeve të aktivistit të shoqërisë civile. Me Lubonjën në atë kohë pata zhvilluar polemikë private përmes postës elektronike, ku unë e arsyetoja Ramën, kurse ai e kritikonte gjithnjë e më ashpër. Rama atëherë perceptohej si “parashutist” në politikë, një si kalorës i vetmuar që nuk mund të bëhet lider me përkrahje të gjerë. Ishte atipik, individualist, me shije të veçantë, cinik, por me një karizëm të një njeriu që ka vizion dhe sheh më larg dhe e bën ndryshimin. Ai kishte ide largpamëse edhe si ministër i Kulturës, por shkëlqeu si kryebashkiak, duke e transformuar Tiranën në mënyrën që nuk ia gjen krahasimin. Nuk ka qenë vetëm pastrim dhe pikturim fasadash i një çorodie dhe shëmtie të anarkisë që kërcënonte me urbanicid, por injektim i frymës së re që Ramën e bëri të pëlqyer dhe popullarizuar, shpresë e të gjithë atyre që ishin të lodhur nga konfliktualiteti i binomit Sali Berisha – Fatos Nano… Rama i dha tranzicionit shqiptar një dimension të kreativitetit në politikë që hapte rrugët përtej karakterologjisë së politikanëve të tranzicionit që edhe ish-enveristët edhe anti-enveristët i shndërroi në kreatura pragmatiste dhe llomotiste, në neo-bizantinë që ushqehen vetëm me teori komploti dhe intriga, dhe mbahen në pushtet dhe opozitë jo me programe konkrete, por duke akuzuar dhe sulmuar tjetrin. Ky ishte binomi Berisha-Nano. Rama, edhe me mjete të politikës bizantine, sepse ndryshe s’do të realizohej, e mundi Nanon dhe tani edhe Berishën. Sot Rama promovon një program dhe ekip krejtësisht të ri. Kjo e ka rrezikun e vet, kafshët politike bizantine nuk e kuptojnë, por është përpjekje legjitime dhe me sharmin e ribërjes së skenës politike, gjë që duhet të reflektohet edhe nga demokratët e Bashës, nëse marrin mësime nga humbja e thellë e 23 qershorit.

Si janë raportet tuaja me të djathtën tani që ju u pozicionuat majtas? Keni pasur kontakte me emra të së djathtës dhe me shefin e ri të opozitës?

Me orientim politik unë jam më afër demokracisë sociale, kam qenë edhe themelues i një partie të këtij orientimi në Kosovë në vitet ’90, edhe anëtar i Kuvendit të Kosovës që nuk u themelua kurrë, derisa nuk ua delegova të tjerëve vullnetarisht postin e kryetarit. Pas luftës kam qenë një herë në listën e Partisë Reformiste Ora, me Veton Surrojin, që ishte si një aleancë qytetare e parapaguar për dështim sepse injoroi elektoratin.(Shkrimin e plotë në Gazeta Shqiptare)(e.m.BalkanWeb)