FIDANISHTJA

Shëngjini nën presionin e turizmit, mikpritje pa përgatitje për fluksin e kosovarëve

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Shëngjini, një nga destinacionet më të frekuentuara të bregdetit shqiptar, këtë 1 Maj u përball me një realitet që e nxori në pah më shumë për mungesat sesa për potencialin. Mijëra qytetarë nga Kosova iu drejtuan këtij qyteti bregdetar për pushime, por gjetën një infrastrukturë turistike të papërgatitur për të përballuar fluksin. Hotelet, ndonëse në pamje të parë pretendojnë standarde, rezultuan me kapacitete të kufizuara dhe staf të papërgatitur për menaxhimin e një numri kaq të madh vizitorësh.

Pamja në terren ishte larg asaj që një destinacion turistik duhet të ofrojë në prag sezoni: mbeturina të shpërndara, trotuare të dëmtuara dhe hapësira publike të lëna pas dore. Plazhet, që duhej të ishin karta identitare e kësaj zone, shfaqeshin të papastra dhe pa asnjë përkujdesje elementare, duke krijuar një kontrast të fortë mes bukurisë natyrore dhe neglizhencës institucionale.

Bashkia e Lezhës, në vijimësi, ka dështuar të ndërtojë një qasje serioze dhe të qëndrueshme për menaxhimin e turizmit bregdetar, duke lënë pushuesit, veçanërisht ata nga Kosova, pa kushtet elementare të komoditetit dhe mirëpritjes.

Ndërsa në sipërfaqe Shëngjini ofron një imazh joshës dhe potencial të dukshëm turistik, realiteti në terren rrëzon çdo pritshmëri, plazhe të pa mirëmbajtura, infrastrukturë e dëmtuar dhe mungesë e theksuar e standardeve bazë të higjienës. Ky kontrast i fortë mes fasadës dhe përmbajtjes jo vetëm që krijon pakënaqësi te vizitorët, por dëmton drejtpërdrejt besueshmërinë e këtij destinacioni si pikë serioze turistike.

Ky nuk është një sulm ndaj turizmit shqiptar, por një thirrje e drejtpërdrejtë për reflektim. Potenciali i jashtëzakonshëm i bregdetit shqiptar po zbehet nga mungesa e menaxhimit dhe e përgatitjes minimale. Institucionet përgjegjëse, në radhë të parë Bashkia e Lezhës dhe strukturat qendrore, duhet të dalin nga pasiviteti dhe të ndërmarrin masa konkrete për mirëmbajtjen, pastërtinë dhe organizimin e hapësirave turistike.

Për kosovarët, bregdeti shqiptar nuk është thjesht destinacion turistik, por hapësirë identitare dhe emocionale, ndaj edhe e drejta për të kërkuar standarde më të larta është legjitime dhe e domosdoshme.

Në një kohë kur turizmi pretendohet si prioritet kombëtar, pamjet e papastërtisë, infrastrukturës së dëmtuar dhe mungesës së mirëmbajtjes në zonat më të frekuentuara janë jo vetëm zhgënjyese, por edhe alarmante.

Mobi Casa

Reagimi i pushuesve nga Kosova nuk është kritikë boshe, por një thirrje për ndërgjegjësim institucional, ndërsa pasiviteti i Bashkisë së Lezhës, që shpesh kufizohet në spektator, e thellon hendekun mes potencialit dhe realitetit.

Megjithatë, paradoksi mbetet: pavarësisht kushteve jo dinjitoze, kosovarët dhe diaspora vazhdojnë ta frekuentojnë dhe ta duan këtë bregdet, duke dëshmuar se lidhja emocionale shpesh është më e fortë se zhgënjimi racional.

Në të kundërtën, rreziku është i qartë, një destinacion që vizitohet nga zakoni, por braktiset nga zhgënjimi.

Shëngjin, zgjohu! Heshtja nuk është më zgjedhje, por bashkëfajësi. Në një kohë kur problemet prekin drejtpërdrejt mirëqenien qytetare dhe dinjitetin e hapësirës publike, indiferenca bëhet po aq e dëmshme sa vetë dështimi institucional.

Është momenti që intelektualët, krijuesit, gazetarët dhe shoqëria civile të dalin nga komoditeti i heshtjes dhe të artikulojnë zërin e përgjegjësisë publike.

Sepse qyteti nuk ndërtohet vetëm me beton, por me vetëdije, reagim dhe guxim për të kërkuar llogari./rajonipress/