UBT

Shembulli më i mirë i kuptimit real të demokracisë dhe arrogancës

/ 8 minuta lexim
Fundamenti

Nga Muhamet Pajaziti – Ka disa vite që i përcjell shumë shtruar zhvillimet politike në Komunën e Gjilanit, aty edhe ku jetoj prej 14 vjetësh, por asnjëherë nuk arrij të kuptoj veprimet e disa njerëzve të një qyteti, ku shumica dërmuese e qytetarëve kanë përqafuar demokracinë me të cilin opsion edhe jemi çliruar nga një regjim famëkeq serb. Ku jemi tash?! Në cilin udhëkryq kemi arritur; dhe cilën rrugë do të ndjekim në proceset tona që janë të shumta, të mundimshme, por të rëndësishme.

Personalisht, miqve të mi qytetarë të këtij vendi, dua t’u shkruaj diçka në retrospektiv. Ishim të izoluar me botën për shkak të regjimit që kishim mbi kokë para më shumë se një dekade, por, u çliruam si popull falë angazhimit të djemve dhe vajzave të rinj që e nisën dhe iu bashkuan luftës Çlirimtare të UÇK-së, përkrahjes së fuqive të botës perëndimore, falë fatit të madh të popullit tonë, për të shpëtuar nga shfarosja përfundimtare, rrugë të cilën na kishte diktuar një regjim i cili për fatin tonë ishte vrasës, eliminues, sabotues dhe mohues i çdo të drejte elementare të një populli të vendosur prej moti në këto troje.

Proces tjetër i rëndësishëm, të nderuar miq, ishte marrëveshja në Rambuje, që Kosova me, apo pa dijeni, doli fituese sepse bota perëndimore e mbështeti idenë e mendjes së ndritur intelektuale shqiptare.

Kishim një monitorim ndërkombëtar – UNMIK, i cili poashtu iku me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, të cilën disa nga brenda as sot nuk e pohojnë dhe nuk duan ta pranojnë një punë aq të madhe të bërë nga elita jonë e këtyre proceseve politike e mbështetur nga shumica e subjekteve politike, faktori ndërkombëtar, dhe përsëri jemi fitues, sepse ne sot kemi një listë prej më shumë se 100 shtetesh që e kanë njohur Kosovën e pavarur, e kanë njohur flamurin dhe himnin e shtetit tonë.

Nisën shumë procese të tjera me shtet të ri, kemi Kosovën krejt ndryshe nga ajo që kishim para vitit 2008, por as këtë nuk e shohin disa njerëz koprrac. A thua vallë pse kështu, kur një numër i madh i njerëzve i rrahën duartrokitje këtyre proceseve edhe pas 2008-ës, e sot, sot duan të mbajnë leksione politike njerëzve të cilët e bëjnë politikën sepse kanë ecur që nga fillimi nëpër politikën e këtij shteti të vogël dhe me vizion për të ardhmen.

Duke u bazuar në të gjithë këto procese, nga të cilat është përfituar krejt ajo çka ka qenë e mundur të merrej në favor të Kosovës, të cilën disa edhe po e djegin e po trembin njerëzit dhe qytetarët kalimtarë të këtij vendi në kohë pa kohë, jam i bindur se përsëri Kosova do të marrë gjithçka që është e mundur të merret edhe në këtë proces. Këtë nuk e them vetëm unë dhe nuk e thonë vetëm shqiptarët, por e kanë thënë dhe po e thonë edhe tani analistë ndërkombëtar respektabël. Është thënë ndarja e Kosovës do të ndodh ajo nuk ndodhi, është thënë republika sërpska as ajo nuk ndodhi, është thënë humbje e sovranitetit as ajo nuk ndodhi e shumë çka tjetër… Prandaj desha të shkruaj këto fjalë që janë të fundit të cilat dua t’i shkruaj në këtë relacion me këta far djem e çika.

Të nderuar bashkëqytetarë të mi, shembujt më të mirë të rrugës se kah do të ecim në të ardhmen mbrëmë i kishim dy të tilla në Gjilan, me një distancë kohore vetëm dy – tri orë. Kishim takimin e kryetarit të Degës së PDK-së në Gjilan, z. Zenun Pajaziti, me të rinjtë e këtij vendi, ku u bisedua për problemet që ata kanë, ambiciet, kërkesat, vizionin etj, të cilat u përcollën me një qetësi dhe me një bashkëbisedim të hapur në sheshin Rexhep Mala e Nuhi Berisha – dy vigan që ranë dëshmor për këtë vend dhe sollën lirinë tonë, e në Planifikimin e Komunës në atë hapësirë do të jetë një qendër rinore dhe nga ai takim të gjithë dolën me entuziazmin e tyre rinor për të ardhmen, sepse për herë të parë doli dikush në ambient të hapur dhe bisedoi poashtu shtruar dhe në mënyrë shoqërore me një grup prej mbi 300 vetash të gjithë të rinj.

Mobi Casa

Ndërsa krejt e kundërta ndodh dy orë më vonë. Një subjekt politik që thirret në patriotizëm e që ende nuk po e kuptojnë se janë të vonuar në këtë drejtim, dalin dhe bëjnë skena që as në filmat aksion nuk ndodh një gjë e tillë. Dalin në mesin e qytetit, djegin dhe e bëjnë flakë qendrën e këtij qyteti, për çka, kinse për njëfarë patriotizmi 14 vite pas çlirimit dhe 5 vite pas pavarësisë. Kjo është në kulturën e tyre, asgjë më shumë nuk dua të them, sepse të tillët kënaqen dhe rriten përditë me këso veprimesh.

Ajo që më së shumti më pengon dhe që më ka detyruar të bëjë shkrim për shokët, miqtë dhe qytetarët e mi, është t’u them vetëm një gjë me dy fjalë; këta far djem e çika që kërkojnë të bëjnë diçka patriotike në këtë kohë e kanë të humbur sigurisht rrugën se kah duan të shkojnë, e që po thërrasin përditë njerëz që t’u bashkohen. Unë e them një gjë, a thua kjo mënyrë e veprimeve, ku rastësisht njerëzit për një moment mendonin çfarë ndodhi, tjetri thoshte kush janë këta njerëz, tjetri, çka kanë këta…, e tjetri duke vrapuar për të parë nëse dikush u lëndua, apo …, por asnjëri nuk shkonte aty për tu kënaqur.

Ata që kënaqeshin bile edhe bënin thirrje “revolucionare” ishin këta qytetarët tanë në Vetëvendosje, të cilët sigurisht këto veprime i kanë shënuar si suksese, mirëpo unë u them se kanë bërë edhe një marrëzi të radhës, edhe një veprim adoleshent dhe asgjë më tepër. Të gjithë kanë përfaqësuesit e tyre, le t’i mbrojnë gjërat aty ku duhet të mbrohen e jo të dilet kështu e të shkarraviten nëpër rrugë. Rruga, në këtë formë askujt nuk i ka sjellë asgjë, amë bash asgjë, pos devijime dhe nxitje të urrejtjes për njëri tjetrin. Ju lutem si bashkëqytetarë i juaji që veprimet t’i bëni të matura dhe normale, e jo të frikësohen kalimtarët e rastit siç ndodhi mbrëmë.

Përsëri, dua t’u them, shikojeni të kaluarën e atij që mori mbi supe shumë procese të vështira, kryeministrin e Kosovës, i cili udhëhoqi luftën, arriti marrëveshje ndërkombëtare, fitoi mbështetjen e miqve, fitoi luftën, bisedoi përsëri, fitoi pavarësinë, bisedoi përsëri, po fiton njohje dhe po zhvillon vendin. Shumëkush sot do të donte të ishte sikur ai (Hashim Thaçi), por ai është një. Veprimet e mbrëmshme të VV-së s’dua as t’i komentoj, kjo i bie sikur të them unë tani, pasi isha i ri e në luftë s’munda të shkoj, po dal e po çirrem, e po thyej e gris, po djeg e po trishtoj, vetëm që të tjerët të thonë, sa patriot. A ia vlen, vlerësojeni ju vet.

Me respekt miqtë e mi, uroj të kemi veprime të matura e intelektuale në të ardhmen edhe të këtyre grupeve, e të mos bëhemi sikur në Siri, e gjithandej kah ka probleme. Jemi vend i shpallur demokratik. Ndaj merrni shembullin real të demokracisë, e jo të arrogancës!.

Autori është zyrtar për Informim dhe Qasje në Dokumente Publike në Gjilan