Eko Higjiena

Sfidat e Kosovës në fundvit

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Bekim Thaqi – Kosova si një shtet i ri dhe i pavarur, në përgjithësi ka ndjekur një politikë paqësore, defanzive, dhe herë herë , edhe pak a shumë nënshtruese dhe të dëgjueshme ndaj ambasadorëve dhe vendeve të BE -së. Kjo është bërë në radhë të parë për shkak të respektit që Kosova e ka për ndihmën e këtyre shteteve gjatë dhe pas luftës në Kosovë e sidomos SHBA -së pa të cilën do të ishte i pamundur pavarësimi i saj. Si rrjedhojë, edhe këto vende, e sidomos BE -ja e përfshirë si fasilituese në procesin e dialogut, së fundmi ka përdorur politika të barazimit të Serbisë e Kosovës, në dialogun mes këtyre dyjave bile edhe duke i dhënë përparësi palës serbe, ku shpeshherë duke neglizhuar palën kosovare si dhe duke mospërfillur respektimin e marrëveshjeve ka dhënë sinjale se për ta më shumë ka rëndësi një afrim apo futje e Serbisë në BE sesa zgjidhjet dhe respektimi i marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Tashmë, në këtë fazë ku jemi dhe në vitin 2018, ku Kosova ka mbetur e izoluar dhe ku po zhvillohet një ofanzivë serbe ndaj çdo embleme të shtetit kosovar, janë bërë disa hapa që mund të mos jenë planifikuar më së miri por që në të vërtetë janë elemente të patjetërsueshme dhe të dobishme të cilat e plotësojnë sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.

1. Taksa 100% ndaj produkteve serbe. Një vendim që ndoshta është dashur të merret shumë kohë më parë mirëpo fillimisht ndoshta edhe për shkak të administrimit të Kosovës nga UNMIK-u dhe drojës së këtyre të fundit se mund të prishet stabiliteti dhe paqja ka qenë e pamundur të bëhet. Më vonë kësaj i ka kontribuar edhe bashkëpunimi i tregtarëve shqiptarë dhe serb dhe në një mënyrë apo tjetër tregu ka qenë i furnizuar me prodhime serbe në shumicë. Ka pasur kohë kur është tentuar të bëhet diçka në këtë drejtim me anë të bllokimit fizik të kamionëve me mallra serbe dhe fushatave te ndryshme por as kjo nuk ka patur ndonjë sukses të madh.

Mobi Casa

Zhvillimet e fundit si lobimi serb kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe çështje tjera diskutabile sikur e bënë qeverinë të mendoj dhe reflektoj se jo gjithmonë në politikë duhesh të jesh vetëm i dëgjueshëm dhe mos të ndërmarrësh hapa në drejtim të mbrojtjes së interesave shtetërore. Taksa godet cakun në dy mënyra ku e para është që Serbisë i shkakton një dëm të konsiderueshëm ekonomik por edhe ka efektin tjetër se edhe ne dimë dhe mundemi të ndërmarrim masa atëherë kur duhet të mbrojmë interesat shtetërore. Edhe bashkësia ndërkombëtare duket se e ka marrë një mesazh në te cilin kushtimisht thuhet se nuk mund të na kushtëzojnë për shumë gjëra e pastaj të na kërkojnë qe ne të jemi të dëgjueshëm pafundësisht edhe kur diçka është në kundërshtim me interesin tonë shtetëror.

2. Formimi i ushtrisë së Kosovës. Me vite të tëra, nën monitorimin e NATO-s dhe aleatit tonë kryesor strategjik Amerikës fillimisht TMK dhe më pastaj edhe FSK kanë kryer ushtrime si ushtarake ashtu edhe të mbrojtjes nga rreziqet natyrore që ka qenë edhe misioni i saj zyrtar mirëpo në njëjtën kohë ka qenë edhe një ” fshehtësi zyrtare” se herdokurdo kjo forcë do të bëhet ushtri. Kemi reagime se ndoshta po ngutemi dhe nuk është koha e duhur, por në fakt cila është koha e duhur? Aleati jonë kryesor strategjik Amerika duket se është e pajtimit që Kosova të ndërmarrë këtë hap dhe kjo na mjafton si mbështetje. Nëse presim më tepër vetëm se sa do dobësohet pozita jonë si shtet. Themelimi i ushtrisë së Kosovës në një kohë ku po ndryshojnë gjeopolitikat shpejt është një garancë se së paku në aspektin Ballkanik nuk do të mund te jemi të kërcënuar dhe shantazhuar.

Duket se edhe ShBA e ka kuptuar këtë prandaj e përkrahu menjëherë. Ushtria do të thotë siguri për qytetarët dhe siguri për kufijtë e Kosovës, sigurisht se gjithmonë në koordinim me aleatin strategjik SHBA por edhe NATO-n e cila për shkak të disa vendeve anëtare po heziton që të përkrah direkt formimin e ushtrisë në planet e saja afatgjate e ka paraparë këtë. Nëse tregojmë vendosmëri në këto dy çështje Kosova do të merret seriozisht si palë në bisedime dhe çështje tjera të rëndësishme e jo vetëm si një lojtar pa zë e pa gojë në terren./rajonipress/