Mobi Casa

Senatori Bob Doll mund të shpallet qytetar nderi i Gjilanit

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), në mbledhjen e të hënës, që e ka drejtuar Izmi Zeka, kryesues i Kuvendit Komunal, ka shqyrtuar dhe rekomanduar për miratim në Kuvend Komunal katër plane rregulluese për zonat “Dheu i Bardhë 1”, “Çezma e Petogocit, “Gllama” e Dheu i Bardhë 2”, të cilat i ka prezantuar Bahrije Mahmuti, drejtoreshë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, duke nënvizuar se planet i kanë kaluar të gjitha procedurat paraprake.

Plani i lagjes “Dheu i Bardhë 1” përfshin një sipërfaqe prej 110 hektarësh dhe është zonë e destinuar për banim individual, kolektiv dhe afarizëm. Lagja “Çezma e Petigocit” përfshin një sipërfaqe prej 21 hektarësh, që në tërësi janë prona private dhe është zonë ku nuk ka pasur asnjëherë plan rregullues. “Gllama” shtrihet në një sipërfaqe prej 18 hektarësh dhe është destinuar për banim dhe afarizëm, ndërsa “Dheu i Bardhë 2” kap një sipërfaqe prej 35 hektarësh dhe është e destinuar për banim dhe afarizëm.

Në të gjitha këto lagje, planet rregulluese parashohin edhe shkolla, çerdhe, administratë, shëndetësi dhe përmbajtje tjera publike, varësisht prej nevojave dhe kritereve urbanistike dhe zhvillimore, ka thënë Mahmuti.

Gjatë shqyrtimit të planeve rregulluese për këto zona, anëtarët e KPF kanë bërë propozime të ndryshme. Sokol Haziri (AAK) ka thënë se duhet të krijohet një standard për muret e oborreve, që tani janë të ndryshme për nga lartësia dhe madhësia. Arben Mehmeti (LDK) dhe Arben Maliqi (AKR) thanë se menjëherë pas miratimit të planeve rregulluese, Komuna duhet të bëjë trasimin e rrugëve të projektuara, përndryshe mund të shfaqen interesa të ndryshme të qytetarëve dhe planet të degradohen.

Sa i përket lagjes “Dheu i Bardhë 1”, Sadudin Berisha (LDK) ka ngritur shqetësime nga aspekti i sigurisë dhe ambientit në këtë hapësirë, e cila ndodhet viza-vijë me zonën industriale. Nëse i jepet përparësi zhvillimit industrial, atëherë gjendja në këtë lagje do të duhej të konservohej përmes një trajtimi të veçantë dhe të mos planifikohen zhvillime tjera, ka thënë Berisha.

Elisah Ymeri (PDK) ngriti shqetësime për lagjen “Dheu i Bardhë 2”, nga kalon largpërçuesi elektrik i tensionit të lartë, i cili paraqet rrezik për jetën e banorëve dhe kërkoi të dijë se si është planifikuar zgjidhja e këtij problemi.

Bahrije Mahmuti, drejtoreshë për Urbanizëm, ka thënë se zona “Dheu i Bardhë” ka një tampon mbrojtës dhe kjo nuk paraqet problem nëse gurthyesi i përfill kriteret ligjore për operim, ndërkaq sa i përket planifikimit të shkollave nëpër lagje, ajo sqaroi se planifikimi i tyre bëhet në bazë të numrit të banorëve, që duhet të jetë 5 mijë, si dhe kritereve tjera.

Fundamenti

Lagja “Çezma e Petigocit” nuk e plotëson këtë kriter për të pasur shkollë të veçantë, sepse e ka afër shkollën “Selami Hallaqi”. Ndërsa sa i përket tensionit elektrik, ajo ka sqaruar se KEK-u planifikon ndërtimin e infrastrukturës nëntokësore në të ardhmen.

Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës, ka thënë se pjesa më e madhe e zonës urbane është përfshirë në planet rregulluese. Për vitin tjetër mbeten për t`u trajtuar edhe rreth 600-700 hektarë dhe zona urbane mbulohet e tëra me plane rregulluese.

Por, sipas tij, problem kyç është mungesa e fondeve në komuna për shpronësime, prandaj po ndodh që planet rregulluese edhe të degradojnë ndonjëherë. Qeveria e Kosovës nuk parasheh mjete për shpronësime në komuna, ndonëse do të duhej të kishte, për të siguruar një zhvillim dinamik nëpër komuna, ka thënë Mustafa, duke nënvizuar se komunat i kanë mundësitë e kufizuara në ndarjen e mjeteve për shpronësime.

KPF ka rekomanduar për Kuvend Komunal edhe Strategjinë për zhvillim kulturor, kërkesën e Drejtorisë së Kulturës për ndarjen e mjeteve për mirëmbajtjen e stadiumit të qytetit, propozimin për ndarjen e subvencioneve për fëmijët e dëshmorëve, të cilën, siç tha kryesuesi i KPF, Izmi Zeka, ndërkohë do ta specifikojë kryetari i Komunës, propozimin e shoqatës “Miqtë e Amerikës” për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” senatorit Bob Doll si dhe propozimin për themelimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB).

Përfaqësuesi i LDK-së, Arben Mehmeti u deklarua kundër KKSB, me arsyetim se themelimi i këtij këshilli në bazë të udhëzimit administrativ të Ministrisë së Brendshme dhe MAPL, është ndërhyrje në kompetencat e komunave. Edhe Sokol Haziri (AAK) tha se është kundër kësaj forme të themelimit të KKSB.

Qemajl Mustafa tha se kryetarët e komunave kanë marrë pjesë në këtë proces, duke nënvizuar se udhëzimi administrativ rregullon çështjen e kompensimit të anëtarëve të KKSB si dhe numrin e seancave vjetore, që ka munguar deri tani./rajonipress/