UBT

Sa shpejt harruam

/ 10 minuta lexim
RCCOLA

Nga Flaka Surroi – Me siguri nuk e kemi besuar se 16 vjet pas çlirimit ende do të duhet të luftojmë për ta mbijetuar të sotmen. Por kësaj radhe ta mbijetojmë një dhunë tjetër. Atë që dhemb më shumë – sepse po na e shkaktojnë me injorancë, arrogancë dhe pangopshmëri. Kurse ne po e ushqejmë me tolerancë.

Herën e parë më rastisi ta vizitoja Kukësin menjëherë pas mbarimit të luftës, në qershor të 1999-s. Arsye ishin dy: meqë nuk kisha pasaportë, i vetmi vend ku mund të udhëtoja pa më pyetur kush as për lejen e qarkullimit të veturës (të cilën atëherë e kisha të paregjistruar), e as për letërnjoftim (të cilin gjithashtu nuk e kisha, sepse ma kishin “zhdukur” policët serbë) ishte pikërisht Kukësi. Arsyeja e dytë ishte kureshtja për ta njohur vendin, që në ditët e para të bombardimit kishte arritur ta pranonte fluksin anormal të madh të të dëbuarve kosovarë, që përjashtoheshin me dhunë nga policia e ushtria serbe.

Ishte koha kur me mijëra njerëz po ktheheshin prej andej – llogaritej se afro gjysmë milioni kosovarë kishin kaluar nëpër qytezën e vogël për të gjetur strehim në Shqipëri. Shumë vjet më vonë, do të më përshkruanin sesi sheshi qendror i qytezës mbushej brenda periudhave të shkurtra kohore, për t’u zbrazur me shpejtësi marramendëse – sepse të gjithëve u gjendej një vend ku mund të rrinin të sigurt nga përndjekja.

Takimi i parë me qytezën ishte shumë dëshpërues. Përderisa prapa kishim lënë Kosovën e dërrmuar dhe të shkatërruar nga lufta, këtu ballafaqohesha me shkatërrimin që me vite e kishte kultivuar në emër të zhvillimit, të cilin e kishte imponuar një diktator i çmendur. Uzinat e shkatërruara buzë rrugës, shterpësia e fushave, qyteza me rrugë përplot vrima, pa kurrfarë rendi në komunikacion – dhe një këshillë që na e dha polici kufitar nga ana e Shqipërisë: “Mos e lini makinën vetëm në asnjë çast”.

E, megjithëkëtë, dhe me gjithë përshkrimin që e kishte bërë kirurgu australian Jurisevic në librin e tij “Duart e përgjakura”, për Kukësin mafioz e problematik, kjo qytezë e pazhvilluar e Veriut të Shqipërisë ua kishte shpëtuar jetën shumë e shumë shqiptarëve nga Kosova, që tashmë i kishin humbur të gjitha shpresat se ndonjëherë do të bëhej mirë.

Sot, 16 vjet pas pogromit, Kosova thuajse më nuk ka veshë për Kukësin. Në “Ditën e bujarisë” do të mblidheshin një grusht kosovarësh që do t’ua shprehnin mirënjohjen kuksianëve. Asnjë kryetar komune, asnjë përfaqësues ekzekutivi e as Kuvendi. Kosova do të mjaftohej me prezencën e ambasadorit të vet, që madje as nuk është ambasador (sepse ai tjetri, që është zyrtarisht i emëruar dhe me gjasë ende gëzon beneficione për titull, rri në burg) – thuajse kuksianët na kanë pasur borxh.

Sa shpejt harruam.

Harresa

Po në të njëjtën mënyrë e patëm harruar edhe mikpritjen e shqiptarëve të Maqedonisë, posaçërisht kur krisi lufta edhe atje. Atëherë u treguam jofalënderues dhe injoruam nevojën për ndihmë që kishte pasur popullata e rrethit të Pollogut, e kapluar nga luftimet. Tashmë ishim rehatuar, dhe aq na bënte nëse ata që na i kishin dhënë të gjitha, mund të gjenin strehim e t’i shpëtonin më të keqes. Fytyrën u përpoq të na e shpëtonte diaspora, e ne u koritëm.

Në të njëjtën formë sivjet vendosëm me e harru 24 marsin, ditën kur nisën bombardimet historike që do të shpinin në çlirimin e Kosovës. Institucioneve as që iu kujtua ta shënonin ndryshe pos postimeve bajate në FB. Është vërtet irrituese të shohësh se as pas 16 vjetësh askujt nga institucionet nuk iu kujtua të propozonte vendosjen e bile një pllake përkujtimore në qendër të Prishtinës për 76 ditët e bombardimit të NATO-s (në këtë kontekst, mbase i vetmi send i mirë është që askush nuk ngriti përmendore për ta shënuar këtë ngjarje, se ishim turpëruar si me karikaturën e Bill Clintonit në Prishtinë). Nuk u dëgjua as kryetarja me ndonjë deklaratë, bile edhe patetike. Asgjë. Thuajse edhe këta na patën borxh. Thuajse e tërë bota duhet të sillet rreth nesh. Turp.

Po hajde që po dëshmohemi të pafalënderueshëm ndaj atyre që na e mundësuan mbijetesën. Atë që po e kam vështirë ta përpij është lehtësia me të cilën tash politikanët tanë sillen ndaj homologëve serbë – thuajse asgjë nuk ka ndodhur. Thuajse ne kemi pasur faj pse na kishin vrarë e dëbuar.

Ledhatimi që i bëhet Listës Srpska, të fuqizuar me marrëveshjen, që përherë e më shumë po dëshmohet, të keqe të Brukselit është neveritës. Panevojshëm të faktorizuar si anëtarë të koalicionit sundues, tash janë shndërruar në shantazhuesit e mirë që dinë të negociojnë: o ashtu siç thonë ata, o s’ka gjë prej asgjëje, për shkak se moti kemi dalë jashtë radarit të interesit dhe interesimit të ndërkombëtarëve, e posaçërisht të Evropës. Sado paradoksale që mund të tingëllojë kjo e fundit, duke i marrë parasysh të gjithë ato miliarda eurosh të shpenzuara në dështimin epokal të quajtur EULEX.

Por më neveritës ishte bllokimi i Prishtinës në ditën kur Daçiqi hyri në hotelin e Pacollit për të pirë kafe me Thaçin. E edhe për t’u takuar me të tjerët në një mbledhje rajonale. Heqja e simboleve shtetërore; referimi pa emrin e plotë të shtetit; falënderimi i posaçëm që bëhej për pjesëmarrjen e ministrit të Jashtëm serb, e mbi të gjitha parkimi i disa duzina veturash policie para hotelit në të dyja anët, dhe mbyllja e rrugëve për qarkullimin e qytetarëve, vetëm sa shkaktonin ndjenjë neverie e hidhërimi.

Uji Dea

Nuk thuhet kot se krimineli kthehet në vendin e krimit – e Daçiqi mund të mos ketë qenë Millosheviq, porse ka qenë zëdhënës virulent tiji, në kohën kur po ndodhnin episodet para dhe gjatë Kukësit të përshkruar më lart. Dhe ne, në vend se të vëmë kusht, që të tillë si ai nuk mund të shkelin në Prishtinë pa kërkuar falje për krimin ndaj kosovarëve, ne pimë kafe me ta – thuajse jemi miq. S’do të jetë e largët dita kur ai që pi kafe me Daçiqin edhe mbase të dalë e t’i kërkojë falje Serbisë për shkak se Serbia na vrau, shkatërroi e dëboi.

Ndërkohë, në mbrojtje të shefit të vet do të dalë ministrja pa portofol, e cila sa herë që do të kritikohet për dialogun në Bruksel, do të përgjigjet me: “Me politika injorante dhe nihiliste, Kosova do të mbetej e izoluar”. Duke mos ditur se kështu e përkufizon më së miri politikën pjesë e së cilës është edhe vetë: duke iu falënderuar injorancës së klasës politike në pushtet, Kosova është i vetmi shtet qytetarëve të të cilit u duhen vizat për të udhëtuar jashtë; është i vetmi vend që nuk ka investime nga jashtë; është i vetmi vend të cilit i themelohet Gjykata Speciale, sepse s’ka kaçik me u marrë me të keqen e vetvetes. Se nihilizëm nuk është vetëm mohim, por edhe cinizëm – e për cinizëm s’ka kush t’ia kalojë kësaj Qeverie.

Sa shpejt harruam.

Grabitja

Por atë që nuk po e harrojnë zyrtarët tanë politikë është zbulimi i turli varianteve për ta përjetësuar veten në pushtet – drejtpërsëdrejti ose tërthorazi. E fundit është fizkultura e re në lidhje me zgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit.

Shumë tue pritë, e shumë tue kujtu, Ministria e Drejtësisë doli me projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për prokurorin e shtetit, ku po e kontrabandonte një ide të kamotshme, në emër të harmonizimit me kërkesat nga Udhëzuesi për liberalizimin e vizave, për ta sjellë dikë në krye të Kryeprokurorisë së shtetit, ani që lidhje me procedura penale nuk ka.

Kriteri i caktuar në ligjin aktual, sipas të cilit kandidatët për prokurorë duhen të kenë së paku dy deri në gjashtë vjet përvojë pune specifike si prokurorë, është hequr dhe zëvendësuar me një sipas të cilit prokuror shteti mund të bëhet cilido jurist që i ka 12 vjet punë. Pra, hiqet kërkesa specifike e përvojës së punës në prokurori – që logjikisht është kyç për dikë që duhet të merret me ndjekjen e veprave penale.

Kështu, u gjetëm në situatën në të cilën pos që grupi punues i konsultuar për këtë ligj përmban emra të gjyqtarëve dhe prokurorëve të huaj të apostrofuar në rastin Bamieh si keqbërës dhe të komprometuar me korrupsionin, na u ofrua një tekst ligjor që haptazi i hap rrugë dikujt, si kryetarit aktual të Kushtetueses të bëhet Baba i prokurorëve të shtetit. E që mbasi vendin e tij vakant ta zërë ministri aktual i Drejtësisë – pse jo: jurist njëri, jurist tjetri; profesor njëri, profesor tjetri; politikan njëri, politikan tjetri; interesi i njërit, është edhe interesi i tjetrit…

Me grabitjen e kamotshme të kontrollit mbi gjyqësorin na kanë sjellë në situatën ku s’ka sundim ligji, sepse ai nuk mund të zbatohet. Me grabitjen e të drejtës për të përpiluar ligje e për t’i kaluar ato në Kuvend me fuqinë e votave të kontestuara nga vetë anëtarët e tyre, sigurohen që askush të mos mundet t’i prekë në asnjë aspekt përderisa të jenë këta në pushtet. Me grabitjen e të drejtës për të shpërndarë poste, që në fjalorin e avancuar Ktyian quhen karamele, sigurohen që të kenë besnikëri dhe mjete me të cilat më pas kontrollohen ata që janë në rendin e dytë të hierarkisë.

* * *
As ata të gjysmëmilionëshit, të cilët i kishin detyruar të kalonin nëpër Kukës, e as gati po aq të tjerë që kishin kaluar nëpër Maqedoni e nga mos, me siguri nuk kemi besuar se nëse një ditë do të ktheheshim në shtëpi, do ta përjetonim harresën. Jo vetëm të vuajtjeve dhe luftës për ta mbijetuar të sotmen, por edhe të idealeve dhe të ëndrrave.

Me siguri nuk e kemi besuar se 16 vjet pas çlirimit ende do të duhet të luftojmë për ta mbijetuar të sotmen. Por kësaj radhe ta mbijetojmë një dhunë tjetër. Të asaj që dhemb më shumë – sepse po na e shkaktojnë me injorancë, arrogancë dhe pangopshmëri. Kurse ne po e ushqejmë me tolerancë.

Sa shpejt harruam.

[email protected]