Fundamenti

Rugova në “Der Spiegel”: Serbët po vijnë sërish si hakmarrës

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Intervistë e dhënë për “Der Spiegel” nga Dr. Ibrahim Rugova më 26 qershor 1989 mbi konfliktet nacionale në Jugosllavi.

Ibrahim Rugova, 44 vjeçar, profesor i letërisisë në Universitetin e Prishtinës, është kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të territorit autonom të Kosovës, pjesë e Sebisë.

Spiegel: Këtë javë serbët po e kremtojnë me shumë veprimtari përvjetorin e 600- të të Betejës në Fushë të Kosovës, kur perandoria mesjetare serbe humbi sulmin nga turqit. Pritet ardhja e mbi një milion patriotëve serbë. A e konsiderojnë shqiptarët këtë kremtë si provokim?

Rugova: Natyrisht se është një provokim. Është një kremtë e pastër shoviniste serbe. Unë do ta pranoja defileun po të kishim të bënim me një nderim kulturor të tërë Jugosllavisë për këtë ngjarje.

Spiegel: Por ishte një ngjarje ku populli serb i vetmuar luftoi kundër turqve?

Rugova: Ekzistojnë dëshmi të mjaftueshme historike, që vërtetojnë se edhe hungarezët, kroatët, boshnjakët dhe natyrisht shqiptarët morën pjesë në betejë.

Spiegel: Shqiptarët po, por në anën e turqve…

Rugova: Jo, në anën e princit serb, Lazar-it. Zatën më 1389 shqiptarët e Kosovës ishin ende të krishterë dhe luftonin poashtu kundër islamit. Besimin islam e kemi pranuar tek gajtë sundimit osman. Miti shovinist i Fushë Kosovës u krijua tek në shekullin XIX pas krijimit të shtetit serb.

Spiegel: A droni se do të vijë sërish deri tek konfrontimet e përgjakshme në mes serbëve dhe shqiptarëve?

Rugova: Vetëm merreni me mend: një milion serbë të ndërsyer të vendosur në hotele, pansione dhe bile edhe në dhoma private në tërë Kosovën. Aty do të pihet dhe do të thyhet. Një fjalë e gabueshme mund të jetë si një xixë në fuqinë e barotit.

Spiegel: Shqiptarët kanë shtirë tashmë kundër serbëve. A po përgatiteni për një luftë qytetare?

Rugova: Njerëzit nuk shohin më rrugëdalje tjetër. Kështu është me protestat: nëse ato mbesin pa jehonë, duhet thirrur me zë më të lartë.

Spiegel: Por, kush do të duhej t’ju përgjigjet Juve? Kryesia jugosllave e shtetit, qeveria serbe?

Rugova: Përshtypja ime është se në Jugosllavi ka forca që do të dëshironin sulme terroriste në Kosovë. Nëse do të kishte të shtëna tek ne, kjo do të shërnbente si justifikim për ashpërsimin e represionit. Dhe nëse rezistenca e shqiptarëve arrihet të denoncohet në botë si terrorizëm, mund të llogaritet se simpatia për çështjen tonë do të humbasë shpejt. Ju mund ta merrni me mend se kush spekulon kështu.

Spiegel: Të shkojmë nga ajo se serbët dhe udhëheqësi i tyre Milosheviq shpresojnë ta shtfytëzojnë acarimin e konfliktit? Por kryesia e shtetit dhe qeveria qendrore në Beograd nuk do të duhej të kenë interes nga një luftë qytetare?

Rugova: Ndoshta. Atëherë do të ishte koha e fundit që të ndërhyhet dhe të ndalet arbitrarizmi serb. Bile edhe përpjekja për rehabilitimin e ministrit të brendshëm , famkeqit Ranoviq, është pjesë e strategjisë represive, sepse me këtë përpiqet të justifikohet shtypja e përgjakshme e Kosovës në të kaluaren.

Spiegel: Para pak kohe ishte një delegacion i Parlamentit Evropian për t’u informuar mbi gjendjen. Delegatët biseduan edhe me Ju. Shtypi serb akuzoi se deputetët evropianë kërkuan takim vetëm me armiqtë e Serbisë.

Rugova: E kundërta është e saktë. Delegacionit iu ndalua çdo kontakt me njerëzit në rrugë. Për këtë arsye ata ndërprenë vizitën para kohe. Parlamentarë evropianë patën mundësi të dëgjojnë vetëm qëndrimet zyrtare: gjëra të mira për serbët dhe të këqia për shqiptarët.

UBT

Spiegel: Serbët në pranverë e imponuan një kushtetutë të re, që atyre ju jep më shumë të drejta. Ju dhe shokët Tuaj keni kërkuar një referendum popullor për këtë. Si do të ishin sipas mendimit Tuaj rezultatet e këtij referendmi?

Rugova: Më së shumti 10 deri 15 përqind e votuesve do t’i kishin miratuar ndryshimet. Populli është në anën tjetër.

Spiegel: Çka ka ndodhur me dhjetë parlamentarët shqiptarë, qe kanë votuar kundër kufizimit të autonomisë së Kosovës?

Rugova: Kryetari i parlamentit, natyrisht një serb, ka kërkuar shkarkimin nga postet e tyre. Ata pas kësaj me siguri se do t’i humbin mandatet e tyre.

Spiegel: Çka ka ndryshuar në Kosovë që pas hyrjes në fuqi të kushtetutës së re?

Rugova: Sipas kushtetutës, pesë fusha – policia, planifikimi ekonomik, jurisprudenca, mbrojtja territoriale dhe marrëdhëniet ndërkombätere – janë drejtpërdrejt nën mbikëqyrjen e pushtetit serb. Por nën slloganin “Uniteti i Republikës” domihnohen edhe të gjitha fushat e tjera.

Spiegel: Si ndikon kjo?

Rugova: Numri i klasëve të shkollave të mesme në gjuhën shqipe po reduktohet drastikisht. Këtë vit në mënyrë të detyrueshme duhet ta ndërprejnë shkollimin që me përfundimin e shkollës fillore 11’000 shqiptarë, mu sipas motos: “Shqiptarët budallenj janë më pak të rrezkshëm”.

Speiegel: Sipas njoftimeve të shtypit kroat 200 shqiptarë të Kosovës janë “izoluar” nga serbët. Çka do të thotë kjo konkretisht?

Rugova: Se ata mbahen të burgosur deri në tre muaj pa procedurë gjyqësore, pa të drejtë për mbrojtës dhe pa të drejtë vizite nga familjet. Më së paku 245 shqiptarë janë marrë në burgjet izoluese: shumica intelektualë, por edhe drejtorë fabrikash dhe punëtorë profesionalë. Disa janë keqtrajtuar rëndë në burgje. Qëllimi serbëve është që mundësisht t’i shkëpusin udhëheqësit nga rezistenca shqiptare. Kur Rankoviqi më 1966 nuk arriti t’i shmanget mosomëshirës së Titos dhe kur shtetmbajtësit serbë u frenuan, ata kërcënoheshin se një ditë do të ktheheshin si hakmarrës. Kjo ndodhi tash.

Spiegel: Gazetat serbe pretendojnë se Kosova po kërkon më shumë autonomi që të mund t’i bashkohet Republikës Popullore të Shqipërisë

Rugova: Kjo është një përrallë e vjetër propagandistike. Shumica dërrmuese e shqiptarëve të Kosovës e ka pranuar plotësisht integrimin në federatën jugosllave. Por, nëse shtypja vazhdon, populli do të kërkojë rrugëdalje.

Spiegel: Dhe, ku do të drejtohet?

Rugova: Ose kah Shqipëria, ose në një drejtim tjetër. Gjatë kohës së Rankoviçit kanë ikur me qindramijëra shqiptarë në Turqi. Që nga viti 1981 vendin e kanë lëshuar mbi 250 000 shqiptarë dhe jetojnë si punëtorë në Perëndim apo në republikat e tjera të Jugosllavisë.

Spiegel: Edhe 40’000 serbë e kanë braktisur Kosovën që nga kjo kohë. Gjoja ata janë dëbuar nga shqiptarët.

Rugova: Kjo është një gënjeshtër. Natyrisht se ka pasur grindje fqinjësh, por të tilla ka edhe në mes shqiptarëve. Në të vërtetë, serbët nuk mund ta përballojnë faktin se edhe shqiptarët mund të jenë në pozita udhëheqëse. Ata duan ta ndalin kohën. Pas vitit 1966 edhe ne shqiptarët patëm mundësi të arsimohemi në shkolla dhe universitete. Sot 90 përqind e popullësisë din shkrim dhe lexim dhe kërkon barazi.

Spiegel: Kundërshtitë mes serbëve dhe shqiptarëve a lënë ende mundësi për një zgjidhje paqësore?

Rugova: Nëse Serbia përpiqet që ta shtypë identitetin tonë nacional, atëherë do të ketë kryengritje. Unë vetëm mund t’ua bëjë me dije serbëve: edhe ata janë një popull i vogël. Gjithmonë kur një populli vogël në Ballkan u përpoq për supremaci, përfundoi me tragjedi të tij.(albinfo)