RCCOLA

Rryma, dyfish më shtrenjtë

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Kosovarët paguajnë mesatarisht 52 për qind më shumë për energji elektrike sesa vendet rajonit dhe ato të BE-së. Kjo nëse merren parasysh standardi i jetesës dhe fuqia blerëse. Shoqëria civile thotë se çmimi i energjisë pritet të rritet edhe më shumë pas privatizimit të distribucionit.

Çmimi i energjisë elektrike në Kosovë është më i shtrenjti në rajon dhe vendet e Bashkimit Evropian. Kjo nëse merret parasysh standardi i jetesës dhe fuqia blerëse e kosovarëve.

Sipas një hulumtimi të institutit GAP dhe FIQ, kosovarët paguajnë mesatarisht 52 për qind më shumë për energji elektrike.

“Por, përkundër faktit që kosovarët paguajnë çmim relativisht të ulët në krahasim me rajonin, po të përfshihet standardi i jetesës dhe parimi i fuqisë blerëse në modelin e krahasimit, atëherë shihet që kosovarët paguajnë mesatarisht 52% më shumë për energjie elektrike sesa qytetarët në cilindo shtet tjetër në rajon apo në BE”, thuhet në analizën “Çmimi i energjisë elektrike: trendët e ndryshimit dhe ndikimi ekonomik”.

Dren Pozhegu hulumtues në institutin GAP ka prezantuar disa faktorë, të cilët sipas tij ndikojnë në rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Sipas tij njëra nga kostot kryesore është ajo operative dhe e mirëmbajtjes.

“Kosto tjetër ose faktor tjetër është ngritja e tantiemës prej 0, 27cent në 3 euro për çmimin e qymyrit, e cila absolutisht do ta ngritë çmimin e energjisë elektrike. Nga kjo rritje e tantiemës Qeveria e Kosovës do të përfitojë 22 milionë euro në buxhetin e vet apo më saktë nëse marrim d.m.th. vetëm qymyrin të cilin e përdorim për prodhimin e energjisë elektrike, atëherë Qeveria e Kosovës do të rrisë të hyrat prej 13.5 milionë euro”, ka thënë ai.

Një tjetër faktor që do të ndikojë në rritjen e çmimeve është edhe privatizimi i distribucionit.

Pozhegu thotë se është paraparë që në distribucion të investohen 300 milionë euro në 15 vitet e ardhshme. Këto investime, edhe pse krijojnë kushte më të mira, prapë se prapë do ta rrisin çmimin e energjisë për shkak se investimet kërkojnë kthim të kapitalit.

Eco Higjiena

“Edhe kjo është një nga faktorët të cilët ndikon në ngritjen e energjisë elektrike. Faktori kryesor në ngritjen jo fer të energjisë elektrike janë humbjet teknike dhe komerciale”, ka thënë Pozhegu.

Sipas kësaj analize, faktorë tjetër është edhe eksporti dhe importi. Kjo sepse importet janë shumë më të shtrenjta se sa energjia e prodhuar në vend dhe ajo e eksportuar.

Kushtrim Puka nga Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) ka shtjelluar problematikën e çmimit të energjisë në krahasim me fuqinë blerëse të kosovarëve dhe në krahasim me vendet e rajonit. Për krahasim janë marrë shtetet e rajonit, përfshirë këtu edhe Kroacinë dhe Slloveninë, por edhe vendet e Bashkimit Evropian.

“Çmimi mesatar i energjisë elektrike për kategorinë e amvisërisë e cila është pjesa dërmues e shpenzuesve të energjisë elektrike për konsum deri në 5 mijë kilovat orë për vitin 2012 ka qenë 5.76 cent për kilovat orë në Kosovë. Ky çmim në terma absolutë nëse e krahasojmë me vendet e rajonit, Kosova paguan më shtrenjtë se Serbia dhe Maqedonia, ndërsa ka çmim më të ulët të energjisë elektrike se sa Shqipëria, Bosnja e Hercegovina dhe vendet e tjera”, ka theksuar Puka.

Sipas tij, nëse merret parasysh standardi i jetesës dhe fuqia blerëse, atëherë kosovarët paguajnë mesatarisht 52 për qind më shumë për energjie elektrike sesa qytetarët në cilindo shtet tjetër në rajon apo në BE.

Ai ka theksuar se rritja e çmimit të energjisë ndikon në rritjen e shpenzimeve për banim dhe në rritjen e shpenzimeve për ushqim.

Në bazë të të gjeturave të këtij punimi, Instituti GAP dhe FIQ rekomandojnë që humbjet komerciale të eliminohen në kohën me të shpejtë të mundur, ndërsa humbjet teknike të zvogëlohen deri në masën optimale. Ata po ashtu kanë kërkuar që Qeveria e Kosovës të ulë TVSH-në për energjinë elektrike.

Krahasimi me vendet e rajonit

Sipas kësaj analize, në krahasim me vendet e rajonit, Kosova paguan më shume për kWh sesa Serbia dhe Maqedonia, ndërsa çmim më të ulët se Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi. Kurse 27 vendet e Bashkimit Evropian në mesatare paguajnë rreth 14.16 cent për kWh, apo rreth 3 herë më shumë sesa Kosova. Por, përkundër faktit që kosovarët paguajnë çmim relativisht të ulët në krahasim me rajonin, po të përfshihet standardi i jetesës dhe parimi i fuqisë blerëse në modelin e krahasimit, atëherë shihet që kosovarët paguajnë mesatarisht 52% më shumë për energjie elektrike sesa qytetarët në cilindo shtet tjetër në rajon apo në BE.(express)