Rrustemi: Përmes librit po protestojmë ndaj zhvillimeve aktuale

Gjilan – Sabit Rrustemi një emër i njohur në fushën e kulturës, publicistikës dhe dikur edhe i politikës tashmë është kyçur aktivisht në jetën letrare. Pos angazhimeve që ka të shumta me Ars Clubin “Beqir Musliu” ku ka arritur të botojë disa vepra gjatë këtij viti të autoreve të ndryshëm, së fundit ishte edhe fitues i Mitingut të poezisë në Gjakovë. Sabit Rrustemi në bisedën me rajonipress flet hapur për tërë veprimtarinë e tij të bujshme, sfidat e të ardhmes, për gjeneratat e reja dhe të ardhmen e tyre, për rolin e shkrimtarit dhe heshtjen e tyre në Anamoravë, për pozitën e shkrimtareve sot etj.
Rajonipress: Zoti Rrustemi që kur jeni “shmangur” nga politika keni filluar të jepni rezultate të mira në fushën tuaj, pra në kulturë. Tash së fundit në Gjakovë si çmim kryesor i Mitingut nga organizatorët ju nda për veprën më të mirë të botuar mes dy mitingjeve “Në fytyrën e një gjethi”. Cila është domethënia këtij çmimi për ju?
Sabit Rrustemi: Krijohet kjo përshtypje, jo vetëm nga ju. Edhe nga të tjerë. A, në të vërtetë, edhe kur jam marrur më dendur me politikën, si pjesë e një vizioni rugovian për liri, pavarësi e demokraci, nuk e kam shmangur për asnjë çast kulturën, letërsinë.
Veprat e mia, qofshin në poezi apo në prozë, janë botuar pas vitit 1990 e këndej ( anise nja dy priten për dhjetë e më shumë vite nëpër sirtarët e redaksive të kohës që merreshin me botimin e librit.
As tash, kur në masë të madhe ju kam kthyer letërsisë ( se realisht kisha nevojë për t’ mos i munguar më gjatë), politikën nuk e kam mënjanuar tërësisht. Por, prioritet për mua tash është kjo fushë.
Dhe, nga viti 2009 e këndej, si rezultat i këtij angazhimi, vijnë katër vepra të reja poetike, të cilat nuk kaluan krejt pa jehonë. Dy prej këtyre, nëpër vitet përkatëse, 2009/2011, hynë në rrethet e ngushta për libra viti nga juri të ndryshme letrare.
Qëlloi që libri më i ri imi, si i treti që hyri në rrethin e ngushtë të vlerësimeve, “Në fytyrën e një gjethi”, botuar kah fundi i vitit 2012, të vlerësohet bashkë me një tjetër (Ibrahim Berisha: Fundi është i mundshëm), si libri më i mirë poetik, mes dy mitingjeve.
Ky Çmim, natyrisht ka peshën e vet, jepet nga një Manifestim, i cili është më jetëgjati në Kosovë, i 49 –ti me radhë. Pastaj, nga një Miting i përmasave kombëtare e më gjerë, ku tradicionalisht janë vlerësuar arritjet dhe prurjet e poetëve. E, kjo nuk është pak. Sidomos kur një vlerësim të tillë e jep Gjakova…
Rajonipress: Jeni udhëheqës i Ars Clubit “Beqir Musliu”, i cili viteve të fundit ka bërë revolucion pozitiv për ta afirmuar e avancuar jetën kulturore në Gjilan dhe Anamoravë. A mund të na jepni një pasqyrë të publikimeve dhe punës konkrete të tanishme të Ars Clubit.?
Sabit Rrustemi: Nga viti 2009 –të e këndej, Ars Clubit “Beqir Musliu”, falë miqve krijues ( jo vetëm nga Gjilani, jo vetëm nga Kosova), ju përkushtuam më shumë. Madje, si themi nganjëherë, e shkelëm edhe të pestën shpejtësi. Për faktin se, ish ba një kohë e gjatë e, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës nuk e gjeti s’i duhet veten, pastaj, thuaja të gjitha veprimtaritë kulturore u zhvendosën dhe u përqendruan në Prishtinë…a, Gjilani, që në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit të kaluar, u pat cilësuar me të drejtë si epiqendër e kulturës në Kosovë, thuaja mbeti nën hije. Nuk mjaftonte vetëm “Flaka e Janarit”, apo edhe ndonjë festival ad – hoc i muzikës.
Prandaj, Ars Clubi u rikthye më fuqishëm, si një alternativë e re shkrimtarësh, krijuesish dhe, kjo, u pa, qoftë nga artdashësit, krijuesit, po, edhe institucionet.
Çmimi Letrar “Beqir Musliu” u bë i përvitshëm, ashtu siç edhe ishte në fillim. Falë mirëkuptimit nga Komuna, apo thënë më drejt, nga kryetari i komunës, zotit Qemajl Mustafa.
Pastaj, ideuam, projektuam dhe, nisëm një Manifestimin të ri letrar, “Vjeshta letrare e Gjilanit”, ku përurohen vlerat, veprat, autorët …nga të gjitha trevat shqiptare…por, në rend të parë, në Gjilan. E, herë pas here, edhe në qytete të tjera. Deri më tash kemi realizuar tri edicione. A, sa për dijeni, ky Manifestim, kryesisht mbështetet dhe realizohet , falë një mirëkuptimi mes shkrimtarëve, mbështetësve të tyre dhe, angazhimit vullnetar që e bëjnë anëtarët e Ars Clubit. Është edhe manifestim i gjatë. Mbi dy muaj e gjysmë ku, në çdo dhjetë ditë organizohet nga një veprimtari letrare.
Si rezultat i këtij Manifestimi, sot Gjilani dhe artdashësit e tij ( kuptohet falë krijuesve të vet) është afruar më shumë me Kosovën Lindore e shumë qytete tjera si, Ferizaj, Prishtina, Klina, Gjakova, Peja, po edhe Kumanova, Shkupi, Tirana, Durrësi, Pogradeci, Saranda…
Po, nuk mbetëm vetëm me “Vjeshtën letrare…”.
Nga viti 2011, erdhëm edhe me një Manifestim të ri letrar, Manifestimin Rajonal të Poezisë “Trekëndëshi Poetik i Paqes”, i cili organizohet si përkushtim i Ditës së Lirisë për Kosovën ( 12 Qershori) dhe, Çlirimin e Gjilanit ( 15 Qershori) e ku marrin pjesë ( deri tash) rregullisht katër shtete të rajonit, shtetet që lidhen me titullin e këtij Manifestimi dhe, Shqipëria. Nga viti i ardhshëm do kemi shkrimtarë mysafirë edhe nga shtete tjera.
Si njëri, ashtu edhe tjetri Manifestim, janë shoqëruar edhe me botime përkatëse, në formë edicionesh.
Por, kishim dhe veprimtari tjera përkushtuese për emblemën moderne të letërsisë shqipe, Beqir Musliun, Rexhep Elmazin etj…Ndërsa në vazhdimësi kemi qenë dhe pjesë e bashkëorganizimit të Manifestimit” Flaka e Janarit”, pjesa letrare. Si dhe e Manifestimit tjetër, “Ditët e Agimit”, poashtu pjesa letrare e njohur si “Muza e Agimit”
Ndërsa, ju rrekëm dhe veprimtarisë botuese. Fillimisht përmes Ars Clubit. E, më pas, shkaku i shtrëngesave ligjore, me Shtëpinë Botuese “Beqir Musliu” ( si pjesë përbërëse e veprimtarisë së Ars Clubit), ku, deri tash, kemi botuar afro 40 tituj librash, kryesisht letrar. Po, edhe publicistikë.
Rezultatet nuk janë të vogla karshi rrethanave në të cilat po veprojmë.
Deri më tash, dy nga botimet tona ( më 2012 e 2013) u vlerësuan si më të mirat në Kosovë.
Rajonipress: Kur jemi tek kultura, sa mendoni se në provinca mund të zhvillohet kulturë e mirëfilltë. Ju si njeriu i kësaj sfere a jeni i kënaqur me tretmanin që i bëhet kësaj sfere nga ana e pushtetit komunal?
Sabit Rrustemi: Termi “provincë” tash në kohën e internetit dhe globalizimit, thuaja është i tejkaluar. Por, fatkeqësisht, mentaliteti provincial nuk po fshihet lehtë. Njerëzit po shohin çka po ndodh anekënd botës, si po organizohen ngjarje të ndryshme, andej e këndej. Po shohim edhe ne, madje të vetëdijshëm për kërkesat në rritje të publikut.
Prandaj, domosdoja e një zhvillimi të mirëfilltë kulturor, tash imponohet më shumë se kurrë. Sepse, po nuk e arrite këtë, e humb hapin me publikun. Shih për këtë, nevoja për një mbështetje më të madhe institucionale, shtrohet më shumë se deri tash. Sepse, për organizime të mirëfillta, përveç vullnetit, profesionalizmit, duhen dhe para.
Nuk mund të them se nuk kemi gëzuar mbështetje nga pushteti komunal. Por, kërkesat tona janë më të mëdha.
Veprimtaria letrare e Ars Clubit “Beqir Musliu”, i ka dhënë tjetër pamje kulturore Gjilanit, me vetë faktin se selinë e kemi këtu.
Është koha që projektet tona, të cilat drejtpërsëdrejti po ndikojnë në afirmimin e Gjilanit, nga pikëpamja letrare – kulturore, të jenë dhe pjesë e rregullt buxhetore e komunës. Sepse ne, deri më tash asnjëherë nuk ju kemi adresuar institucioneve gjilanase me kërkesa personale. Por, vetëm me projekte të përbashkëta dhe, që janë interes i publikut, qytetarit.
Këtë tretman do duhej ta gëzojnë dhe asociacione tjera joqeveritare, sidomos Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu”.
Komuna e Gjilanit, e ka këtë mundësi, vetëm i duhet një vlerësim i drejtë, profesional dhe i pandikuar politikisht për të arriturat e deritashme në fushën e kulturës, pse jo edhe të sportit, fusha këto që janë “ambasadore” e çdo vendi.
Rajonipress: Keni botuar shumë vepra të autorëve të rinj , por edhe të atyre më të vjetër. Nga prizmi i juaj kush mendoni se mund të ketë rezultate në të ardhmen qoftë si poet, shkrimtar, letrar apo prozator?
Sabit Rrustemi: Nëse vlerësojmë sipas tregut, nga ajo që shitet, e ardhmja ( si edhe e tashmja) i përket prozës. Megjithëse poezia, realisht shkruhet dhe, lexohet më shumë. Por ne i kemi shpërqendruar deri diku lexuesit, qoftë duke i imponuar libra pa vlera, qoftë duke i dhuruar libra të mirë por, të pavlerësuar nga kritika. Sepse, jemi dëshmitarë, jo që po na mungon kritika por, edhe ajo që po bëhet, po duket edhe prej ballanit, kritikë e porositur, madje edhe e stimuluar.
Prej emrave të rinj, domosdo do veçoja Linditë Ramushin ( poezi) e Kadire Sh. Pirën ( prozë). Po edhe Skënder Berishën, që, megjithatë është emër i ri në poezi, anise është i gjeneratës sime. .
Libri i tij “Njëqind vjet të kërkoj” të cilin i a botuam vitin e kaluar, u shpall libri më i mirë i poezisë nga MKRS-ja për vitin 2012-të… Por, kemi dhe emra tjerë që e kanë konsoliduar dhe avancuar shprehjen poetike – letrare si në prozë e poezi (Albinë Idrizi, Nexhat Rexha, Sevëme Fetiqi , Vaxhid Xhelili, Bilall Maliqi, Arsim Halili, Fahrije Krasniqi…apo te letërsia për fëmijë, Izet Abdyli, Gonxhe Letmi etj..)
Në fushën e kritikës, pa dyshim, do veçuar studimin e Sinan Sadikut “Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqiptare”, një libër i rrallë ky, i botuar viteve të fundit tek ne, të cilit i parapriu libri me vështrime kritike i Nexhat Rexhës (Emra dhe Vlera), i gjendur në rrethin e ngushtë për t’u shpallur si libër i vitit nga MKRS-ja për vitin 2012-të. Dhe një libër me vështrime kritike që pritet këtyre ditëve nga Bilall Maliqi.
Do përmendur këtu dhe dy përzgjedhje poetike, “Ama e dheut” me poete e artiste nga Anamorava dhe Kosova Lindore si dhe “Parnasi me aromë Gjilani” ku për herë të parë, vlerat e 16 shkrimtarëve gjilanas përmblidhen nën një titull e libër të përbashkët. Megjithëse dhe librat tjerë që i kemi botuar, në tërësi i përmbushin kërkesat artistike.Ose dhe ato që po presin botimin ku do veçoja një emër poashtu të ri, Muhamet Halilin që sjell aktualitetin e sotshëm përmes tregimeve, të cilat i thërret koha.
Rajonipress: A po mungon zëri i shkrimtarit dhe thirrja e tyre për të ecur përpara shoqëria kosovare. A janë fajtor (bashkëfajtor) edhe shkrimtarët e njerëzit e kulturës për këtë gjendje të mjerueshme në Kosovë?
Sabit Rrustemi; Varësisht nga cili kënd i vrojton…
Ka shkrimtarë që janë të angazhuar në jetën publike. Por, pa ndikim në vendimmarrje ose që vendimmarrjen ua përshtatë interesave personale. Dhe, kjo s’i bën nder atij. Ka shkrimtarë që shprushin dhe shprazin reagimet e veta, faqeve të gazetave. Por, “këshilltarët” e liderëve apo të “qeveritarëve” këto i lexojnë me një sy tjetër. Siç ka edhe letrarë që vazhdojnë me temenara…
Megjithëse, një pjesë e mirë shkrimtarësh, protestën e tyre ndaj zhvillimeve aktuale, po e shprazin brenda kopertinave të librave ( siç bëj dhe unë)…ama, kjo skenë e politikanëve injorantë, i injoron edhe këto protesta artistike.
Krahasuar me pozitën në të cilën gjendet shkrimtari sot ( si dhe përgjithësisht shoqëria jonë) zërat që i thërrasin arsyes presin derisa të ndalet zhurma…pastaj të flasin. Por, zhurma s’ po ndalet…
Rajonipress: Cila është pozita e shkrimtarit sot në Gjilan e Anamoravë. Dhe nga këndi i juaj si do ta ndryshonit ose çka do të ndryshonit po të ishit në një institucion ku bëhet fjalë për kulturën?
Sabit Rrustemi: E them pa dorëza, asfare…
Shkrimtari ynë këtu, në Gjilan, po edhe gjetiu ( me ndonjë përjashtim të rrallë) përditë përballet me presionin e përditshmërisë, në sigurimin e kafshatës së gojës, shkollimin e fëmijëve, kërkimin e perspektivës për ata/ ato që i solli në jetë ( përfshirë dhe veprat e shkruara e të pabotuara), me përpjekjen për të siguruar një mirëqenie ekonomike, e cila mjerisht varet nga rreshtimet dhe pushtetet politike.
Librat sot, sjellin vetëm një mirëqenie shpirtërore, të përkohshme
Duhet lutur zotin të mos sëmuret, të mos i ndodh ndonjë fatkeqësi…sepse do duhej t’ ju drejtohej dhe të besojë ma shumë në ndihmën e miqve se sa të institucioneve. Përfshirë dhe Gjilanin. S’ kujtohet kush madje as të të thërras apo falënderojë për kontributin tënd, në përvjetorë të rëndësishëm, siç ishte ky që sapo na iku, e që ka të bëjë me një emër të madh që e ka nderuar ma shumë se Gjilanin, letërsinë tonë. Musa Ramadanin. E pati 70 vjetorin e lindjes, 50 vjetorin e krijimtarisë. Dhe, as një kafe nuk i a dhamë si institucione…qofshin ato në Prishtinë apo këto këtu në Gjilan.
Çka do bëja unë, po të isha ai që mund të marrë vendime ?
Në rend të parë, do duhej të isha në atë pozitë për t’u parë kjo sepse çka do që të them, sado bukur të tingëllojë, nuk do ketë efektin e dëshiruar.
Rajonipress: A mund të presim tituj tjerë nga dora e juaj dhe cili është fokusi i juaj i investimit në jetën kulturore?
Sabit Rrustemi : E ç’ mund të presësh nga një shkrimtar, i cili qe tri vite, të vetmen punë të përditshme ka veç shkrimin?
Katër tituj të rinj presin që moti. Tituj të tjerë librash janë në ardhje e sipër. Veç ishalla nuk m’i djeg rryma apo nuk m’i fshinë ndonjë virus, sado që nuk rri pa anti virusa. Pse m’i vjedh Ëikiliksi, nuk merakosem shumë…
Ndërsa në jetën kulturore, mbajtjen, organizimin dhe përsosjen e mëtejme të veprimtarive me të cilat është identifikuar Ars Clubi “Beqir Musliu”. Plus, zgjedhjen e kryesisë së re dhe të kryetarit të këtij asociacioni.
Tash më jemi në prag të dy veprimtarive që do zhvillohen gjatë qershorit, Manifestimit Rrajonal të Poezisë, “Trekëndëshi Poetik i Paqes” dhe, Çmimi letrar “ Beqir Musliu”.
Rajonipress: Kush është Sabit Rrustemi në jetën private…
Sabit Rrustemi: Një njeri i thjeshtë, si bashkëkombësit e tij me të cilët ndan të mirat e të këqijat, përditë, aty ku nis Gryka e Karadakut, në një shtëpi që mezi e përshtati për banim në gusht të vitit 1999 –të e, që ende nuk e ka përfunduar që të duket tamam shtëpi, ku jeton me gruan dhe fëmijët e tij, të cilët, disa në masë të kënaqshme e disa pjesërisht, mezi i shkolloi. Vajzën e madhe e ka të martuar, të tjerët presin në radhë…të mos mbesin vetëm me punë shkrimi, si babai i tyre, i cili asnjëherë s’u bëri presion për ta ndjekur rrugën e tij ! Rrugë që e përballi me shumë e shumë sfida por, asnjëherë nuk e la pa miq…/rajonipress/