Eko Higjiena

Rrëzëllima poetike që rrjedhin furishëm në artin letrar

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Zejnepe Alili Rexhepi- Rreth vëllimit poetik të poetes Edona Haliti, “Merrmë me nisjen”, botoi Shtëpia Botuese BEQIR MUSLIU, maj 2014.

Edona Haliti, është zëri lirik që kërkon të çlirohet nga magjepsja e moshës, artikulimi i fjalës…, veçmas nga mbërthimi i artit! Këto janë fije emocionale që natyrshëm qëndrojnë pranë e pranë. Në librin “Merrmë me nisjen” vihet re një gjithëpërfshirje motivacionesh të artit poetik.

Poetja, nuk krijon vetëm për idealin individual, por u jep jetë situatave të rëndësishme shoqërore, që janë nisma dhe shtytja vendimtare e frymëzimit të saj prej femre…, vizionare situatash që i ka mpiksur në bindjet e kahershme. Me vetëdije të formuar, e njohur edhe me rrethanat jetësore midis vendlindjes dhe Prishtinës, një linjë që e përshkon domosdoshmërisht, si pjesë e studimeve dhe emancipimit të saj e skicon aktualitetin e kohës, ashtu të lakuriqësuar, nën optikën e imanencës kulturore që ka, duke i risjellë ato në artin poetik, me një tis koloriti artistik.

Ky është ai parakushti plotësues, i nevojshëm për të krijuar vepra përmbajtësore reale mbi baza estetike mjaft fine. Poetja Edona Haliti, pas librit “Buzëqeshi dritës”, vjen edhe më bindëse me “Merrmë me nisjen”.

Ekspresiviteti brenda vargjeve

Se sa është diskrete poetja, në përzgjedhjen e objektit të frymëzimit apo sa është e pakapshme në këtë spektër të lirikës, flasin ngjyrimet e poezive, madje një numër i madh sosh, të cilat marrin jetë nga jeta e gruas, frymëzohen e formësohen nga pozita e padëshirueshme e saj. Tematikë, të cilën e bart në një farë mase edhe poezia erotike.

Ajo nuk është tërësisht e shlirë, larg orientimeve të përditshmërisë, ku socialja e ngulfatur nga rëniet ekonomike të para dhe pasluftës 1999, qe një politikë e destinuar për t’u rrënuar… Ajo, përmes vargut, e përvijon fizionominë e vet gjinore, në këndvështrime të gjera shqiptare.

A e shpërfill elegancën femërore, poetja, kur zhgërryhet në skëterrën pa alternativa për gruan shqiptare?

Pikërisht te Edona, shihen rrezëllimat e talentit të admirueshëm, që pak kohë më parë i vura re edhe te krijuesja e re, Xhenetë Çaka, teksa e lexoja librin me prozë “Grimca që prekin”, pastaj poeten Dinela Lero – Vehbiu, me vëllimin poetik “Kur lulëzoi pritja”…, e sa e sa autore të reja librash (që më ranë në dorë falë mikut tim, Sabit Rrustemi, krijuesit të njohur dhe editorit të Ars – Klubit “Beqir Musliu”), të cilat disi po e konsolidojnë brezin premtues të krijueseve me perspektivë, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë në hapësirat mbarëkombëtare.

Tani më, është e qartë se talenti i një poeteje si Edona, vjen si zë i brendshëm, në harmoni me përkapjet e përditshmërisë, ku ajo frymon…, po shtrohet dilema: cila shkëndijë e dritëzon muzën e poetes? Poezitë e saj nuk janë vetëm zhgaravitje mbi fletën e bardhë, e më pas të mbyllura në zarfin rozë të kujtimeve, por ato janë grimca të fildishta që i sublimojnë edhe zonat më të errëta të shpirtit.

FIDANISHTJA

Vallë, të jetë qielli magjik i sajuar në ëndrra, ky sfond i frymëzimit të saj…, ku ajo, ndonëse e re, e gdhend drejtpeshimin e jetës?!

Çdo hapërim rrugëve ku ajo bredh, mbledh fuqishëm, simbolikisht shprehur, ato “kaligrame” të Apolliner-it, që mjeshtërisht e bëjnë arnimin e ëndrrave. Poezia nuk është kaq e thjeshtë, as për kah pakufishmëria e gjuhës që e elaboron mendimin e kthjellët, e i rrah fort fenomenet politiko – sociale, as për kah bashkëjetesa e kësaj gjuhe, ndërlidhur ngushtë me vlera dialektore, morale e feministe…

Poezia e Edonës të nxit pamje tablosh nga jeta shqiptare, tipizon ambiente autoktone…, dhe vërtet vjen këndshëm bashkë me vlerat që ajo posedon. Do thosha se, poezia e saj shijohet si pikturë e bukur, e plotë në efekte ngjyrash, apo vetë poezia është pikturë që flet…, pasi edhe në formulimin gjuhësor artistik nuk është e kursyer, e shkruan vargun e pasuruar me dendësi figuracioni.

Ç`dimension tematik ka vargu i poetes?

Jeta e poetes, sado që akoma e brishtë, kryesisht eksplorimet rinore janë ato që i lindën poezitë e saj, me kaq pjekuri e fjalë urtake. Edona është simbiozë e mençurisë femërore dhe latencës poetike!

Po a është goditur ndonjëherë nga stuhi të jetës, poetja?! Natyrisht jo…, të shpresojmë se jo! Mirëpo, një gjë është më se e njohur, ajo përpiqet të ndalojë goditjet tek të tjerët dhe me ndjenjën përplot sugjestion human, e bën të pranishme veten. Në këtë këndvështrim tematik, e lartë është edhe fryma e përgjërimit, ca dromca vitesh të saj janë të shpërndara. Ç’natyrë urtake i kahëzon vargjet e Edonës…, pa udhëpërshkrime! Vetëm, duhet theksuar që në ato vargje e ndiejmë praninë e tërë qenësore të poetes.

Erotizmi, si ndjesi e pashmangshme, tek poetja vjen papandehur, megjithëse ajo e mëkon ndjenjën paraprakisht, me delikatesën e shpirtit, edhe pse ajo dashuri tinzare, nganjëherë sërish e zgjedh ikjen dhe mbetet si e tillë, midis fluturimit të një çasti të këndshëm dhe dhembjes që vjen po aq papritur. Në poezitë e këtij motivi, të lë mbresë se kujtimet tronditëse do të digjen në dimër, ndërsa në pranverë…, eh në pranverë, ato e ndiejnë ripërtërirjen e stinës, mbushen me freski imazhesh të reja.

Poezitë e Edonës të ngjajnë në rrëfenja, ku emocioni ndihet qartazi e dashuria merr zjarr…! Madje aq fuqishëm shpërndahet ai zjarr, sa në këto vargje ajo del shpërfillëse ndaj botës! Sigurisht, kjo ndodh kur poetja e njeh: mashtrimin, intrigën, pritjet sfilitëse…, edhe larg vendlindjes së saj…, ku futen në lojë ditët studentore.

Duke i lexuar këto poezi, sikur ndodhemi para linjash tjera vrojtimi, atëherë pyetemi se, çfarë dimensionesh ka dhembja? Pse poetja e parapëlqen dashurinë: lojë – kurth…, e aty sikur e derdh tërë fluksin e emocionit të akumuluar…?! A ka sinqeritet vargu apo gjithçka është vetëm trill i poetes?! Në to, sikur ndien pëshpëritjen: përjetësoje kulmin e lumturisë…, e kjo rrokullisje e natyrshme e gjërave, mund të ketë efektin e një loje dashurie.

Komunikimi i drejtpërdrejtë, megjithëse me tisin e diskrecionit emotiv brendave kornizave të artistikes, e shtynë poeten që të mos ketë droje për një lloj frenimi të brendshëm, pastaj edhe në rrafshin struktural, të sjellë në formë partiturash poetike, ato fragmente përjetimesh prej poeteje… Ajo nuk shkruan, por të duket se rrëfen me të gjitha përmasat e ekspresivitetit të moshës…, madje duke përcjellur përmes vargut, mesazhe të largëta në kohë. Me këtë rezonancë artistike, poetja, Edona Haliti, mbi supet akoma të njoma, do të duhet ndërgjegjshëm, ta bart gjatë në kohë dhe pa u lodhur, forcën e zërit krijues!/rajonipress/