UBT

Azemi i drejtohet publikisht Hysenit për qentë endacakë: “Sinqerisht, u bëmë horë me këtë problem”

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Çështja e qenve endacakë është rikthyer në qendër të debatit publik në Gjilan, këtë herë përmes një letre publike drejtuar kryetarit të Komunës, Alban Hyseni. Përmes një reagimi të gjatë të publikuar në rrjetet sociale, Ardian Azemi ka kërkuar nga institucionet komunale që të ndërmarrin veprime konkrete dhe të menjëhershme për trajtimin e problemit, duke argumentuar se situata vazhdon të jetë shqetësuese në disa hapësira të qytetit.

Në letrën e tij, Azemi i drejtohet drejtpërdrejt kryetarit Hyseni, duke rikujtuar deklarimet e mëhershme se Komuna e Gjilanit do ta trajtonte në mënyrë profesionale dhe përfundimtare problemin e qenve endacakë.

“Po ju drejtohem publikisht për një çështje që, sinqerisht, do të doja të mos kisha më nevojë ta përmendja. Qentë endacakë”, shkruan Azemi në hyrje të reagimit.

Ai thotë se pritshmëria e qytetarëve ka qenë që kjo çështje të merrte një zgjidhje konkrete, por, sipas tij, gjendja në terren vazhdon të dëshmojë praninë e qenve endacakë në zona të ndryshme të qytetit.

Një nga rastet që Azemi veçon në reagimin e tij lidhet me Spitalin e Gjilanit. Ai rrëfen se gjatë një vizite në këtë institucion shëndetësor, për shkak të pranisë së qenve endacakë në oborrin e spitalit, një infermiere, sipas tij, nuk kishte guxim të dilte nga reparti për të dërguar gjakun për analiza në laborator.

“A mund ta imagjinoni këtë, kryetar?”, pyet Azemi në letrën publike, duke e përdorur këtë rast si shembull të pasigurisë që, sipas tij, mund të krijohet në hapësirat publike dhe institucionale.

Ai thekson se problemi nuk kufizohet vetëm te hapësirat përreth spitalit. Në reagim përmenden edhe stacioni i autobusëve, lagjet, rrugët dhe hapësirat e tjera publike, ku, sipas tij, qytetarët përballen me praninë e qenve endacakë.

Vëmendje të veçantë Azemi i kushton edhe sigurisë së fëmijëve dhe nxënësve. Ai përmend nxënësit e shkollës “Thimi Mitko”, si dhe qytetarët që kanë nevojë të marrin shërbime në ambulantën kryesore të qytetit, duke ngritur shqetësimin se lëvizja në këto hapësira duhet të jetë e sigurt për të gjithë.

Në letrën e tij, Azemi argumenton se çështja nuk mund të mbetet në kuadër të deklarimeve apo premtimeve të përsëritura, por duhet të shoqërohet me rezultate të matshme në terren.

“Prandaj, nuk po kërkojmë më deklarata se problemi do të zgjidhet. Po kërkojmë ta shohim zgjidhjen në terren”, shkruan ai.

Në këtë drejtim, Azemi kërkon transparencë lidhur me zbatimin e kontratës që, sipas tij, është lidhur për trajtimin e qenve endacakë. Ai parashtron disa pyetje konkrete drejtuar institucioneve komunale:

Sa qen janë trajtuar deri tash?

Eco Higjiena

Sa prej tyre janë larguar nga hapësirat publike?

Në cilat zona është ndërhyrë?

Sa është realizuar nga kontrata?

Kur do të mund të ecë një fëmijë në Gjilan pa pasur frikë nga një tufë qensh?

Azemi sqaron se letra e tij nuk është konceptuar si sulm ndaj kryetarit të komunës, por si kërkesë publike për përgjegjësi institucionale dhe për siguri më të madhe në hapësirat publike.

“Nuk po e them këtë për t’ju sulmuar. Besomni që jo. Po e them sepse kjo është përgjegjësi e juaja si kryetar i Komunës dhe e jona si qytetarë që kemi të drejtë të kërkojmë siguri dhe shërbime publike funksionale”, shprehet ai.

Në fund të letrës, Azemi kërkon që kjo çështje të trajtohet me urgjencë dhe që qytetarët të mos detyrohen të përsërisin vazhdimisht të njëjtat ankesa.

“Prandaj, merre me urgjencë këtë punë, kryetar. Mos na detyro të bëjmë edhe një herë të njëjtën ankesë. Le ta mbyllim më në fund këtë temë”, shkruan ai.

Reagimin e tij e përmbyll me një ton më të drejtpërdrejtë, duke shprehur pakënaqësinë për faktin se problemi, sipas tij, vazhdon të mbetet i pranishëm në jetën e përditshme të qytetarëve:

“Sinqerisht, u bëmë horë me qentë endacakë. Një qytet që pretendon të ecë përpara nuk mund ta konsiderojë normale që qytetarët, fëmijët, pacientët dhe punëtorët shëndetësorë të kenë frikë të ecin në hapësirat publike.”

Letra e Ardian Azemit rikthen kështu në vëmendjen publike një problem të vazhdueshëm të menaxhimit urban dhe sigurisë në hapësirat publike të Gjilanit, duke kërkuar nga institucionet komunale jo vetëm ndërhyrje, por edhe transparencë mbi rezultatet konkrete të masave të ndërmarra./rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.