ARKATANA

Rrëfimi që tronditi ndërgjegjen: ndërron jetë i mbijetuari i torturave, Skënder Selimi

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Njoftimi i familjes: Me dhimbje të thellë ju njoftojmë se ka ndërruar jetë vëllai ynë, Skënder Selimi. Detajet lidhur me ceremoninë e varrimit do t’ju bëhen të ditura me kohë.
Kujtimi për të do të mbetet përherë në zemrat tona. “Lamtumirë, vëlla”, ka shkruar Ymer Selimi. Ai i mbijetoi më të keqes, por plagët fizike dhe shpirtërore e shoqëruan gjatë gjithë jetës. Sa herë fliste për luftën, rrëfimi i tij shndërrohej në një përjetim të ri dhimbjeje, ndërsa sytë i mbusheshin me lot.

Kush ishte Skënder Selimi, rrëfimi i tij tronditës?

Lufta nuk harrohet lehtë. Ajo ka lënë plagë të thella dhe kujtime të rënda te shumë njerëz. Me këtë dhimbje jetoi edhe Skënder Selimi nga Zhegra, i lindur në fshatin Nasalë. Ai i mbijetoi më të keqes, por plagët fizike dhe shpirtërore e shoqëruan gjatë gjithë jetës. Sa herë fliste për luftën, rrëfimi i tij shndërrohej në një përjetim të ri dhimbjeje, ndërsa sytë i mbusheshin me lot.

Këta ishin lotët e një njeriu që kishte parë vdekjen me sy. 29 marsi i vitit 1999 mbeti i gdhendur në kujtesën e tij si dita e tmerrit. I kujtoheshin qartë fytyrat e maskuara të paramilitarëve serbë, të cilët, vetëm pse ishte shqiptar, e sulmuan brutalisht në shtëpinë e tij në Zhegër. Ai nuk kishte dashur ta braktiste shtëpinë, i dhimbsej, dhe deri në momentin e fundit kishte qëndruar aty, së bashku me nënën e tij, Hasiben.

“Atë ditë më rrënqethet trupi sa herë e kujtoj,” rrëfente ai. “Isha vetëm me nënën në shtëpi. Mendova se kjo gjendje do të kalonte. Por, kur pashë paramilitarët që vinin të armatosur deri në dhëmbë, duke bërtitur e kërcënuar, kuptova se rreziku ishte real.”

Rreth dhjetë autobusë me paramilitarë serbë u vendosën në hyrje të fshatit, pranë Kooperativës Bujqësore. Ishin njerëz me fytyra të egra, të etur për dhunë ndaj popullatës civile. Ata hynin nëpër shtëpi, kërcënonin dhe maltretonin banorët.

Në mbrëmje, krismat e armëve përfshinë të gjithë fshatin. “Ishte natë e errët dhe e frikshme. Nuk dinim çfarë do të ndodhte,” kujtonte Selimi. Ai dhe familjarët u përpoqën të qëndronin të bashkuar, mes frikës dhe pasigurisë, ndërsa lajmet për dhunë dhe dëbime shtoheshin.

FIDANISHTJA

Në një moment, paramilitarët hynë në shtëpinë e tij. E kërcënuan, e rrahën dhe kërkuan para, ar dhe armë. Pavarësisht se u përpoq të shmangte përballjen, dhuna ishte e pashmangshme. Një nga ushtarët i drejtoi automatikun dhe e qëlloi në këmbë, duke i shkaktuar plagë të rënda.


E pa vdekjen me sy, jetoi me plagët, lamtumirë Skënder Selimi

“Rashë për tokë. Gjaku rridhte pa ndalur. Isha në agoni,” rrëfente ai. Nëna e tij, Hasibja, e tmerruar, përpiqej ta ndihmonte, ndërsa vetë mbahej peng dhe kërcënohej nga ushtarët.
Pas torturave, ai u dërgua në spitalin e Gjilanit, ku u përball me një realitet tjetër të dhimbshëm: korridore të mbushura me të plagosur, britma dhe njerëz që luftonin për jetën. “Kam parë njerëz pa duar, pa këmbë, fëmijë, gra e burra të masakruar. Ishte një pamje që nuk harrohet kurrë,” tregonte ai.

Në ato rrethana të vështira, ndihmën ia ofruan disa mjekë dhe infermierë shqiptarë, të cilët, mes rrezikut, bënin çmos për të shpëtuar jetë. Më vonë, ai arriti të largohej nga spitali dhe, pas një periudhe të vështirë, u trajtua jashtë vendit.

Pas luftës, u kthye në Kosovë, por shtëpia e tij në Zhegër ishte djegur plotësisht. Megjithatë, ai shprehej mirënjohës që kishte shpëtuar gjallë dhe që kishte parë ditën e lirisë. “E shpëtova familjen, por plagët mbetën,” thoshte ai.

Rrëfimi i Skënder Selimit mbetet një dëshmi e gjallë e vuajtjeve të popullit shqiptar gjatë luftës në Kosovë, por edhe e qëndresës dhe mbijetesës përballë një dhune çnjerëzore. Ai jetoi me dhimbjen, por edhe me krenarinë se i mbijetoi së keqes dhe pa lirinë e vendit të tij./rajonipress/