Islam Osmani, profesor, gazetar dhe redaktor, një kontribut që mbeti i gjallë në arsim, media dhe shoqëri
Gjilan – Karriera profesionale e Islam Osmanit përfaqëson një rrugëtim të rrallë përkushtimi, dijeje dhe përgjegjësie qytetare. Ai e nisi veprimtarinë e tij si profesor në disa shkolla të mesme, duke ndikuar drejtpërdrejt në formimin intelektual të brezave të rinj. Në vitin 1976, me një vizion të qartë dhe ndjenjë të lartë misioni shoqëror, ai kaloi nga fusha e arsimit në gazetari, duke hapur një kapitull të ri të rëndësishëm në jetën e tij profesionale. Doajeni i gazetarisë në Anamoravë fillimisht u angazhua si gazetar në Radio Gjilan, medium në të cilin më pas shërbeu edhe si redaktor dhe drejtor. Karrierën në këtë institucion e përmbylli me daljen në pension, por ndikimi i tij profesional në gazetari, kulturë dhe informim publik mbeti i gjallë, i qëndrueshëm dhe gjerësisht i vlerësuar.
Islam Osmani njihet jo vetëm si gazetar dhe redaktor, por edhe si studiues i fushave të ndryshme, ish-profesor dhe aktivist i palodhur. Në kohët më të vështira për Kosovën, gjatë okupimit dhe luftës, ai u shqua si patriot i përkushtuar, duke rrezatuar qetësi, guxim dhe përgjegjësi morale. Angazhimi i tij shtrihej përtej profesionit, ishte një mision i lidhur ngushtë me fatin e shoqërisë dhe të kombit.
Rrugëtimi profesional dhe misioni qytetar
Gjatë luftës, shtëpia e tij u shndërrua në një pikë të rëndësishme takimi, ku zhvilloheshin aktivitete të shumta kombëtare dhe patriotike. Ajo u bë një hapësirë bashkimi, reflektimi dhe veprimi, në shërbim të interesit të përgjithshëm dhe rezistencës qytetare.
Përveç kontributit profesional, Islam Osmani është i njohur për urtësinë, bujarinë dhe ndikimin e tij të thellë në komunitet. Ai ishte dhe mbeti pikë reference për shumë bashkëqytetarë, duke ofruar këshilla, mbështetje dhe ndihmë në momente të ndryshme jetësore.
Një rol të veçantë ai pati edhe në proceset e pajtimit dhe faljes së gjaqeve në Gjilan dhe rrethinë, duke dëshmuar se fjala e urtë dhe autoriteti moral mund të shërbejnë si ura paqeje në shoqëri.
“Jam shumë i nderuar që, kur flas për periudhën time shkencore, familjare dhe patriotike, flas me krenari dhe pa asnjë hezitim. Ajo periudhë ishte ndër më të lavdishmet e historisë sonë. Edhe si gazetar e redaktor jam përpjekur të jem gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe të përkrah kuadrot e reja,” shprehet Islam Osmani.
Periudha e artë në Radio Gjilan
Padyshim, pjesa më domethënëse e formimit të tij intelektual dhe krijues lidhet me angazhimin në Radio Gjilan, të cilën ai e konsideron periudhën më të lavdishme të karrierës së tij profesionale.
“Radio Gjilani mbetet për mua periudha më e mirë e angazhimit tim. Kishim vullnet, elan dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Punonim me orë të tëra, shpesh pa pushim, vetëm që ta informonim popullatën. Kishte rreziqe dhe sakrifica, por puna bëhej me ndërgjegje dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie,” kujton ai.
Duke reflektuar mbi gazetarinë e sotme, Islam Osmani vlerëson se zhvillimi i teknologjisë e ka lehtësuar ndjeshëm punën mediatike. Megjithatë, ai thekson se kjo bart edhe sfida serioze profesionale, duke u bërë thirrje gjeneratave të reja që të ruajnë etikën, korrektësinë dhe standardet e gazetarisë së mirëfilltë, në mënyrë që ky profesion fisnik të mos dëmtohet apo banalizohet.
Patriotizëm dhe përgjegjësi në kohë okupimi
Islam Osmani mbetet një figurë emblematike e arsimit, medias dhe jetës qytetare në Gjilan – një intelektual i përkushtuar, gazetar me integritet dhe njeri i urtë, kontributi i të cilit vazhdon të jetojë përmes veprës dhe shembullit të tij.
Ndryshe, Islam H. Osmani lindi më 19 Dhjetor 1948 në qytetin e Gjilanit. Arsimin fillor dhe të mesëm i përfundoi po në Gjilan, ndërsa studimet e larta i kreu në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, në degën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi.
Karrierën e tij profesionale e nisi në vitin 1970 si profesor në disa shkolla të mesme të Gjilanit, duke përfshirë Shkollën Normale “Skënderbeu” (1970-1972), Shkollën Ekonomike (1974) dhe Gjimnazin “Zenel Hajdini” (1975-1976).
Gjatë kësaj periudhe, përveç mësimdhënies, ai dha një kontribut të veçantë në organizimin e aktiviteteve dhe manifestimeve kulturore në këto shkolla, si dhe në jetën kulturore të qytetit.
Në vitin 1976, Islam Osmani kaloi nga fusha e arsimit në atë të gazetarisë. Fillimisht punoi si gazetar në Radio Gjilan, për të vazhduar më pas si redaktor dhe drejtor i këtij mediumi. Karrierën në Radio Gjilan e përfundoi me daljen në pension, por kontributi i tij në gazetari dhe kulturë mbeti i gjallë dhe i vlerësuar.
Si student i Fakultetit Filozofik, Islam Osmani mori pjesë në Demonstratat e vitit 1968 në Prishtinë. Gjatë viteve ’90, aktiviteti i tij patriotik u zgjerua ndjeshëm; në këtë periudhë, shtëpia e tij u shndërrua në vend mbledhjesh dhe tubimesh për çështje kombëtare. Për një kohë të gjatë, ajo shërbeu edhe si shkollë, ku u mbajt mësimi për nxënësit e shkollave të mesme të Gjilanit.
Teatri, kultura dhe ringjallja e jetës artistike
Aktivitetin kulturor Islami e zhvilloi herët. Në vitin 1970, së bashku me Ramush Islamin (i ndjerë), organizoi përgatitjen e një shfaqjeje në Teatrin e Qytetit të Gjilanit. Pas një pauze gjashtëvjeçare të aktivitetit teatror, ata rifilluan punën e teatrit me shfaqjen “Vrragat e Kohës”, me autor dhe regji të Ramush Islamit. Shfaqja u përgatit dhe u dha më 22 Maj 1971, duke shënuar rifillimin dhe vazhdimin e aktivitetit të Teatrit të Qytetit.
Pluralizmi politik dhe bashkëjetesa kombëtare
Më 8 Shkurt 1991, në shtëpinë e Islam Osmanit u mbajt tubimi zgjedhor dhe u bë konstituimi i Degës së Partisë Demokristiane Shqiptare të Kosovës për Gjilan.
Ky fakt dëshmon se, tek shqiptarët, kur bëhet fjalë për çështje kombëtare, feja nuk ka qenë pengesë. Për këtë ngjarje, në librin “Dëshmi për Kohën”, profesori i historisë Xhemajl Xhemajli ka shkruar se Dega e kësaj partie u formua në shtëpinë e një hoxhe të njohur të kësaj ane, Hoxhë Mulla Hysen I. Osmani, babai i Islam Osmanit.
Familja Osmani njihet për traditën shumëvjeçare në kultivimin dhe përhapjen e fesë islame, duke ushtruar shërbimet fetare të imamllëkut për më shumë se dy shekuj. Megjithatë, formimi i Degës së Partisë Demokristiane nuk përbënte pengesë, duke e bërë këtë shtëpi shembull të paanshmërisë dhe bashkëjetesës.
Për shkak të aktivitetit të tij patriotik dhe humanitar, Islam Osmani u vu në shënjestër të pushtetit të atëhershëm. Në vitin 1995, atij iu konfiskua pasaporta pa arsyetim ligjor dhe, pas tri seancave gjyqësore, u dënua me një vit burgim me kusht.
Veprimtarinë patriotike Islami e zhvilloi përmes Lëvizjes Demokratike të Kosovës nga viti 1990 deri në vitin 2000. Pas luftës së fundit në Kosovë, ai iu rikthye profesionit të gazetarisë.
Aktiviteti i tij ishte i gjithanshëm, si në kontributet politiko-atdhetare, ashtu edhe përmes Sindikatës së Pavarur dhe Shoqatës Humanitare “Nëna Tereze”, ku ndihmoi popullatën në nevojë.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Islam Osmani dha një kontribut të jashtëzakonshëm në sigurimin e ushqimeve dhe strehimit për bashkëqytetarët e tij.
Shtëpia e tij shërbeu si depo e furnizimeve ushqimore dhe si vend për organizimin e aktiviteteve të rëndësishme, përfshirë mbajtjen e mësimeve dhe ligjëratave të fshehta për nxënësit e qytetit. Po ashtu, ai strehoi një familje pesëanëtarëshe nga Malisheva e Drenicës, duke u bërë shembull i solidaritetit dhe humanizmit.
Përveç angazhimeve profesionale, Islam Osmani është i njohur për urtësinë, bujarinë dhe ndikimin e tij në komunitet. Ai ka qenë pikë referimi për shumë bashkëqytetarë, duke ofruar këshilla dhe ndihmë në momente të ndryshme, si dhe duke marrë pjesë aktive në proceset e pajtimit dhe faljes së gjaqeve në Gjilan dhe rrethinë.
Veprimtaria letrare dhe dokumentare
Islam Osmani është marrë me shkrime letrare që nga koha e studimeve në Fakultetin Filologjik, ku bashkëpunonte me revistën studentore “Bota Sot”, e cila botohej në Prishtinë.
Ai vazhdon të shkruajë edhe sot dhe deri më tani ka botuar këto 8 vepra letrare, kulturore dhe fetare:
1. “Rrugëtimi i kënaqësisë shpirtërore”, Pjesa e parë – përjetime nga vizita në vendet e shenjta islame (2006)
2. “Doajenët e gazetarisë gjilanase” – dokumentar (2010)
3. “Rrugëtimi i kënaqësisë shpirtërore”, Pjesa e dytë (2010)
4. “Hafizët e Anamoravës” – dokumentar (2012)
5. “Imamët e Gjilanit 1912–2015” – monografi (2015)
6. “Dëshmi për Kohën” – kontributi i Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjilanit gjatë viteve 1990–1999 (2018)
7. “Historiku dhe peizazhi magjepsës i xhamive të Gjilanit” (2020)
8. “Familja Osmani nga Terstena” – monografi (2022)
Përveç këtyre botimeve, Islami vazhdon të shkruajë dhe të publikojë në revista dhe media të ndryshme, duke pasuruar kulturën dhe historinë e vendit me dokumentarë dhe monografi.
Një figurë e gjallë e kujtesës qytetare
Islam Osmani është bashkëpunëtor i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam me seli në Tiranë.
Ai ka vizituar tri herë vendet e shenjta islame, Mekën dhe Medinën dhe ka kryer Haxhin.
Sot, Islam H. Osmani jeton dhe vepron në Gjilan, duke mbetur një figurë e respektuar dhe një shembull frymëzues për brezat e rinj./rajonipress/




