Romani i Beqë Cufajt “Projekt@ party” promovohet në Cyrih dhe Shtutgard
Beqë Cufaj, shkrimtar kosovar, i cili jeton dhe shkruan në Gjermani, është njëri nga zërat reprezentativë të romanit shqiptar që shkruhet në diasporë.
Romanet e shkrimtarit nga Kosova janë përkthyer edhe në gjuhë të huaja.
Romani më i ri i Beqë Cufajt, “Projekt@ party”, do të promovohet në gjuhën gjermane më 3 shtator në Shtëpinë Botuese « Secession » në Cyrih të Zvicrës.
Ndërsa më 12 shtator i njëjti roman do të promovohet në shtëpinë botuese në Stuttgart. Në promovim do të jetë i pranishëm edhe përkthyesi Joachim Rohm.
Romani i dytë i Cufajt “Projekt@ party” ka në epiqendër të rrëfimit Profesorin, një idealist gjerman, i cili vjen në Kosovë për të kontribuar në zhvillimin e këtij vendi në fushën e arsimit e edukimit.
Ai nuk gjen një administratë ideale të ndërkombëtarëve në Kosovë, siç mund ta kishte paramenduar, ngase bashkëpunëtorët e tij më me qejf preferojnë të zdërhallen kafeneve të Prishtinës, duke bërë për çdo natë “party” (ahengje) për projekte” ende të pafilluara, madje as të shkruara në letër, sesa të bëjnë diçka për të mirën e njerëzve të një vendi të shkatërruar nga lufta vite më parë.
Veçantia narrative e këtij romani qëndron te pikëshikimi apo perspektiva prej nga nisin të rrëfehen ngjarjet, siç është pikëshikimi i një ndërkombëtari për misionin e OKB-së në vendin tonë, por edhe për vendin tonë në përgjithësi.(albinfo.ch)