Eko Higjiena

Një jetë mes idealit dhe tragjedisë, nga dimrat migjenianë të viteve ’70 deri te dhimbja e një aksidenti fatal në mërgim

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

U rritëm me varfëri e mungesë të gjërave elementare. Na mbante gjallë vetëm shpresa se pas stuhive vjen kthjellimi. U shkolluam me një racion buke, me opinga llastiku që digjnin lëkurën e dëmtonin ashtin. Por, vullneti i çeliktë mposhte vuajtjet dhe skamjen e dimrave migjenianë.

Në vjeshtën e vitit 1974, me gëzim e entuziazëm nisëm mësimet në Gjimnazin “8 Nëntori” të Podujevës. Ishte kohë ëndrrash. Arsimtarët tanë, të rinj në moshë e të mëdhenj në përkushtim, na dhanë jo vetëm dije, por edhe dinjitet. Atmosfera ishte familjare. Ndamë libra, ndamë bukë, ndamë ëndrra. Luajtëm futboll, hendboll e basketboll. Çdo gjë e kishim bashkë.

Pastaj erdhën vitet e zymta. Fillimi i viteve ’80 solli dhembje e lot. Autonomia u suprimua, shkollat u mbyllën, festat u ndaluan, ekzistenca jonë u mohua. Por edhe nën hijen e tytave, përpiqeshim të gatuanim kulaçin e mbijetesës.

Në këtë stuhi që përfshiu Kosovën, u goditën sidomos ata që mbanin gjallë dritën e dijes.

Ndër ta ishte edhe Fetah Rrustem Sheholli nga Hertica e Llapit, profesor shumëvjeçar në Gjimnazin “8 Nëntori”. Ai nuk e braktisi vendin për luks. E detyruan. E detyroi dhuna, sepse këmbëngulte që gjuha shqipe të jetonte – qoftë edhe në shtëpi-shkolla. Më 1 maj 1994 u keqtrajtua rëndë fizikisht.

Së bashku me bashkëshorten dhe djalin e tij 6-vjeçar, Ngadhënjimin, mori rrugën e mërgimit drejt Zvicrës.

Por mërgimi nuk ia ndërpreu misionin. Fetahu vazhdoi të punojë me fëmijët shqiptarë në kantonin Aarau deri në pension. U bë shtyllë e arsimit plotësues. Po ashtu, për dy mandate, udhëhoqi me sukses shoqatën bamirëse “Ali Ajeti” në Olten.

Ai besonte se arma më e fortë e një kombi është shkolla dhe solidariteti ndaj njëri-tjetrit.

Këtë besim ua përcolli edhe fëmijëve. Ngadhënjimi u rrit me librin në dorë dhe me amanetin se Atdheut i duhen njerëz të arsimuar e të përkushtuar ndaj tij. Kreu studimet për Jurisprudencë në Universitetin e Cyrihut dhe u bë ekspert në fushën e tij.

Eco Higjiena

Ishte fryt i sakrificës prindërore. Ishte dëshmi se mundi nuk shkon kot. Por jeta, e paparashikueshme dhe e pamëshirshme, ndërpreu rrugëtimin e tij.

Në moshën 38-vjeçare, në rrugët e Austrisë, një aksident i rëndë komunikacioni i mori jetën Ngadhënjimit, në kulmin e pjekurisë. Ai la pas dy djem jetimë, bashkëshorten me dhembjen plumb në zemër dhe prindërit që do ta kujtojnë me lot e mall.

Jeta, me të fshehtat dhe të papriturat e saj, lëndoi rëndë prindërit e Ngadhënjimit, të cilët kishin përballuar varfërinë, represionin, rrahjen, mërgimin – e tani u përballën me goditjen më të rëndë: humbjen e djalit.

Vdekja është gjithmonë e rëndë. Por vdekja larg Atdheut – është plagë që nuk mbyllet kurrë.

Ngadhënjimi iku, por mbeti dëshmia e një brezi që besoi në dije, në punë dhe në ideal. Mbeti kujtimi i një jete që u rrit mes sakrificës dhe u ndërpre padrejtësisht në kulmin e saj.

Ky mort që prek deri në palcë na imponon edhe pyetjen:

Sa shumë duhet të paguajë një familje shqiptare për të jetuar me dinjitet?

ARIF EJUPI Gjenevë, 23 shkurt 2026

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.