(Ri)lexime: Kur “Albania” e Faik Konicës pati mbërri në Anamoravë

Nga Sabri Beqiri – Atë mot që u sollën eshtrat e Faik Konica nga Amerika dhe u (ri),varrosën në Tiranë në Gjilan dhe Anamoravë u përurua vepra studimore :”Albania e Konicës pergamenë shqiptare”. Ishte viti 1995 ndërsa 99 fije ende e mbanin nyje lirinë e ëndërruar me robërinë shekullore. Duke (ri)lexuar studimin e Shefik Shkodrës mbi “ Albaninë” e Faik Konicës nga një përshtypje rasti të formohet bindja se fjala është për një tekst me interes për të gjitha kohët dhe moshat.
(…Njeriu i (ri)kthehet të shkuares: rinisë; shëtit në të kaluarën ndërsa me sytë e mendjes, siç do të thoshte vetë Konica, shikon ardhmëninë…gjithnjë me (stër) mundime, ankth e djersë të përzier e ngjyer me lot. Të (ri)kujtohet në këtë rasë ndonjë prozë e rilindësit nga Konica, si ajo Buzë liqenit, ndonjë poezi; pastaj shkrime, trajtesa, ese, studime, monografi mbi çështje të ndryshme të artit, kulturës përgjithësisht, fjalorë, enciklopedi…)Gjithandej gjendej edhe ndonjë fusnotë e mallkuar! (Qofshin të harruara!)…Dhe si rrjedhojë nuk kish të ndalur për gjysmë shekulli përbuzja e Faik Konicës si njeri dhe krijues.
Duke (ri)lexuar studimin e Shefik Shkodrës “Albania e Konicës pergamenë shqiptare” bëjmë një shëtitje të llahtarshme nëpër valët e jetës plotë dallgë e furtuna të historisë sonë më të re. Dhe, për fatin (fatkeqësinë) tonë kjo mësuese e jetës, jo rrallë, edhe (ri)përsëritet.
Me një gjuhë të zgjedhur, pa shtrëngea e pa fjalë shumë, me një stil popullor, do të thosha, duke përzgjedhur fragmente autentike nga faqet e “Albanisë” me gjithë ata mozaikë e reminishenca, në gegnisht e toskërisht, të përfytyrohen e shpërfaqen tabllo e kolorite e mendje të ndritura nga i gjithë rruzulli i Botës shqiptare.
Interpretimet a komentet që bën studiuesi Shefik Shkodra lidhur me ide, pikëpamje, vese, zakone a zënka, ngjarje të shënuara a të rastit, dukuri a fenomene shoqërore, politike, kulturore natyrash të ndryshme të plotin mendjen edhe bindjen se kemi të bëjmë me një penë mjeshtrore që mëton objektivitetin- virtytin e diturisë. Tashmë sikundër është e njohur Faik Konica gjithnjë ka ecur majave të larta. Sot gjithandej Botës shqiptare atributi “intelektual’ mrekullisht njëjtësohet në personalitetin dhe erudicionin konician. Ai ishte dhe mbeti përjetësisht gurëthemeli i tabanit më shembëllyes i rilindjes kombëtare shqiptare.
Guximi i tij intelektual dhe qytetar, qëndrimi kritik, herë-herë deri në skajshmëri, si rrjedhojë e shqiptarizmës nga tharmet më të pastra që ushqente për vendin dhe popullin, jo rrallë Faik Konicën e vuri dhe e ballafaqoi në mosmarrëveshje dhe në kundërshti me bashkëkohësit. Pse? Sepse anija e tij kulturore anadollakce e gozhduar në Ballkan cak kishte Perëndimin. Me kundërshtarët ndërkaq, sidomos akëcili injorant që synonte t’i dalë përballë, Konica “i prente drutë shkurt” pati thënë Ernest Koliqi.
Dhe në fund le të thuhet se Faik Konica, kjo figurë poliedrike e kulturës shqiptare dhe gjithë vepra e puna që ngjizet me emrin e tij, aq sa e njohim deri më sot, na bëhet më i afërt dhe më i dashur, pa dyshim duke lexuar e (ri)lexuar studimin e Shefik Shkodrës: ‘Albania e Konicës pergamenë shqiptare”./rajonipress/