Eko Higjiena

Rikthimi i heronjve amerikanë si biznesmenë

/ 12 minuta lexim

New York Times ka botuar sot një artikull për Kosovën ku flet për ndikimin amerikan në Kosovë. Përmenden shumë kompani që kanë projekte milionëshe në Kosovë. Indeksonline sjellë përkthimin e plotë të artikullit.

Kjo turmë në prag të derës së biznesit të Kosovës? Rikthimi i heronjve amerikanë

Kryeministri Hashim Thaçi i ka duart e lidhura. Kompania më e madhe dhe më fitimprurëse e vendit, kompania shtetërore e telekomunikacionit, po bëhet gati të shitet. Blerësit kanë intensifikuar përplasjen e bërrylave mes njëri-tjetrit. Kufizimi i numrit të ofertave thuaj se nuk ka ndihmuar aspak.

Njëra prej ofertave vjen nga themeluesja e një fondi privat, ish-Sekretarja e Shtetit Madeleine K. Albright. Lobimin për ofertën tjetër e bën James W. Pardew, i dërguari i posaçëm në Ballkan gjatë epokës së Bill Clinton-it. Të dy këta ish-diplomatë janë ndër amerikanët që kanë statusin e heroit këtu për shkak të rolit të tyre gjatë ndërhyrjeve ushtarake të vitit 1999 që e ndanë Kosovën nga Serbia dhe krijuan një prej shteteve më të reja në botë.

Sipas një dokumenti që i është kaluar gazetës “Zëri” lidhur me një takimi me Z. Pardew në tetor, kryeministri i ka shpjeguar atij “pozicionin e vet të vështirë” në përzgjedhjen mes blerësve të interesuar, “sepse cilado që fiton prej dy kompanive të interesuara, kryeministri do të shikohet si tradhtar i tjetrës nga 2 milion njerëz.”

Shumë ish-zyrtarë amerikanë janë kthyer në Kosovë për të bërë biznes – me qymyrin, me telekomunikacionin, apo duke lobuar për kontrata të tjera qeveritare fitimprurëse – sa që është bërë e vështirë që ata mos të kenë përplasje mes njëri-tjetrit.

Kjo turmë përfshin edhe Wesley K. Clark, një gjeneral i ushtrisë amerikane i dal në pension, që ka qenë edhe komandanti suprem i aleancës së forcave të NATO-së në Kosovë, duke drejtuar fushatën e bombardimeve kundër udhëheqësit autoritar serb, Slobodan Milosevic. Këtu po merr pjesë gjithashtu edhe Mark Tavlarides, i cili ka qenë drejtori legjislativ në Këshillin Kombëtar të Sigurimit të Shtëpisë së Bardhë gjatë periudhës së Bill Clinton-it.

Departamenti i Shtetit nuk ka një rregullore që i ndalon diplomatëve të mëhershëm lobimin në emër të vendeve ku ata kanë kryer shërbimin e tyre, dhe nuk i ndalon atyre qoftë edhe rikthimin në këto vende për të nxjerr fitime financiare. I vetmi ligj që ekziston është ai që zbatohet me të gjithë punonjësit e shtetit, ligj ky që i ndalon ish-zyrtarët për të kontaktuar përgjatë një viti pasi kanë dal në pension agjencitë ku kanë punuar më parë, dhe ia ndalon ish- zyrtarëve që gjatë jetës së tyre të japin këshilla mbi të njëjtat çështje.

Kosova nuk është i vetmi vend ku ish-zyrtarë janë kthyer për të bërë biznes – Iraku është një tjetër shembull -, por Kosova përfaqëson një rast ekstrem, dhe mbase edhe një situatë delikate sa i përket etikës, duke marrë parasysh ndikimin e jashtëm amerikan në këtë vend. Prishtina, kryeqyteti, mund të jetë i vetmi qytet në botë ku “Rr. Bob Dole” kryqëzohet me “Bulevardin Bill Clinton”.

Ekspertë të marrëdhënieve me jashtë thonë se kjo praktikë e ish-zyrtarëve që kthehen për të bërë biznes është shumë më e zakonshme nga ç’pranohet publikisht. Në diskutime private, ish-zyrtarë e pranojnë që një praktikë e tillë mund të përbëjë konflikt interesi si dhe ka potencial që të ndikojë marrëdhëniet e jashtme të shtetit amerikan, sidomos nga që diplomatë që tradicionalisht e kanë kryer karrierën e tyre në shërbimin shtetëror tashmë gjithnjë e më shpesh po kalojnë në sektorin privat.

Kur janë pyetur për t’u prononcuar, ish-zyrtarë kanë thënë se biznesi i tyre me qeverinë e Kosovës i ndihmon kosovarët për të ndërtuar një ekonomi më të zhvilluar. “Ne do të punësojmë njerëz, do të bëjmë formim profesional, do të zhvillojmë eksportin dhe do ta ndihmojmë vendin të rritet dhe të zhvillohet si një dekomkraci”, ka thënë Gjenerali Clark, i cili kryeson kompaninë “Envidity”, një kompani kanadeze e sektorit energjitik që kërkon të eksplorojë mundësitë që janë në Kosovë për depozitat e qymyrit të linitit për prodhimin e karburantit sintetik.

Lawrence Lessig, një profesor i jurisprudencës dhe drejtor i “Qendrës së Etikës Edmond J. Safra” në Universitetin e Harvardit, thotë se ajo që duket si “fitim parash” rrezikon t’ia ul prestigjin Shteteve të Bashkuara duke ngritur një mjegull mbi natyrën humanitare të ndërhyrjes ushtarake të vitit 1999, që kishte për qëllim t’i jepte fund krimeve serbe ndaj kosovarëve.

Pas ndarjes, Kosova ka qenë një protektorat ndërkombëtar i drejtuar nga mijëra zyrtarë të vendeve të ndryshme dhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, të cilët kanë punuar si përfaqësues qeveritarë të Kosovës dhe si kontraktues privatë. Në shtator u mbyll një periudhë katër vjeçare e “pavarësisë së mbikëqyrur” nga ndërkombëtarët. Rreth 6,000 paqeruajtës ende qëndrojnë në Kosovë.

Afërsia e marrëdhënieve mes shtet-ndërtuesve dhe shtetit që kanë ndërtuar e ka bërë të lehtë që zyrtarët të ndryshojnë profesion. Edhe pse ky vend është ndër më të varfërit në Evropë, megjithatë ekziston mundësia për të nxjerr fitime, veçanërisht kur qeveria privatizon pronat e saj më të rëndësishme.

“Grupi Albright Management”, që është themeluar nga znj. Albright, është përzgjedhur në për në fazën e finale të tenderit për 75% të aksioneve të kompanisë shtetërore të telekomunikacionit, PTK. Vlera e shitjes së kësaj kompanie pritet të jetë nga 400 deri në 800 milion dollarë.

Disa drejtues ekzekutivë të një kompanie si motër, “Grupi Albright Stonebridge”, janë tashmë aksionerë të vegjël të konkurrencës së veme të PTK-së, kompanisë private IPKO, duke ngritur kështu shqetësimin për rrezikun që i kanoset konkurrrencës së lirë nëse fiton konsorciumi i znj. Albright.

Z. Pardew, ish i dërguari i posaçëm amerikan, ka lobuar me zyrtarët më të lartë të Kosovës në emër të konsorciumit “Twelve Hornbeams S.a.r.l /Avicenna Capital LLC.” Dokumenti i takimit të Kryeministrit me Z. Pardew i është dërguar gazetës “Zëri” nga brenda këtij konsorciumi nga dikush që s’ka qenë i kënaqur me mënyrën se si po drejtohej procesi i tenderimit. Përzgjedhja e Z. Pardew si emisar ka patur një “rëndësie jetike”, thuhej në këtë dokument, pasi elita e Kosovës “e njohin dhe e duan atë për rolin që ka patur në terren gjatë luftës.”

Mobi Casa

Pasi dokumenti u bë publik, Z. Pardew u tërhoq nga lobimi për këtë konsorcium, dhe ka refuzuar të prononcohet. Ende ekziston mundësia që këtë tender, që duhet mbyllur në janar, mos ta fitojë asnjë prej dy kompanive të mbështetura prej amerikanëve.

Znj. Albright i është përgjigjur kërkesës për një intervistë me një deklaratë. Duke cituar kufizimet për shpërndarjen e informacionit gjatë procesit të tenderimit, në deklaratën e lëshuar nga Nelson Oliveira, drejtor menaxhues i “Grupit Albright Capital Management”, thuhet se, “Ne i marrim seriozisht të gjitha detyrimet tona – ligjore dhe etike, në këtë çështje si dhe në të gjitha investimet e tjera të mundshme.”

“Ne besojmë se një menaxhim privat i mirë dhe transparent i kompanisë shtetërore të telekomit do t’i sillte përfitime të konsiderueshme ekonomisë dhe popullit të Kosovës,” shkruhej më tej në këtë deklaratë.
Qeveria e Kosovës e ka mohuar që të ketë dhënë ndonjë trajtim të veçantë për cilindo prej ish-diplomatëve. “Unë shpresoj që ata do të bëjnë para në Kosovë dhe që Kosova do të bëjë para nga investimi i tyre,” ka thënë Zv. Ministri i jashtëm Petrit Selimi. “Qeveria e Kosovës nuk ka për ta përzgjedhur një kompani thjesht nga që është amerikane.”

Telekomunikacioni në Kosovë mund të jetë një biznes i vështirë. Në vitin 2007, disa kriminel u përpoqën të vrisnin Anton Berishën, kryetarin e agjencisë rregullative të telekomunikacionit, filimisht në një atentat me armë zjarri, e më pas me një bombë në veturën e tij. Ai i ka shpëtuar të dy atentateve, të cilat janë bërë jo shumë larg pasi ai i kishte kaluar liçencën e operatorit të dytë të telefonisë celulare kompanisë sllovene IPKO. Një vit më vonë, ai u bë ambasador në Slloveni.
Në vitin 2004, znj. Albright u caktua si këshilltare e posaçme e kryesuesit të bordit të IPKO-së, Akan Ismaili, i cili sot është ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara.

Marrëveshja e telekomunikacionit është vetëm njëra prej shumë marrëveshjeve që kanë mbështetur amerikanët. Projekti më i madh infrastrukturor në historinë post-Jugosllave të Kosovës, ka qenë autostrada 100 km. e gjatë që lidh Prishtinën me kufirin me Shqipërinë, projekt ky që i është dhënë në vitin 2010 kompanisë “Bechtel” nga San Francisko në një bashkim korporativ me kompaninë turke “Enka”.

Në atë kohë, kryeministri e përllogariste vlerën e atij projekti në shumën 1 miliard dollarë.

“Bechtel” u ndihmua që ta fitonte këtë kontratë nga Z. Tavlarides, drejtori ekzekutiv i Këshillit të Sigurisë Kombëtare gjatë ndërhyrjes ushtarake të vitit 1999 në Kosovë. Sipas një raportimi që është paraqitur në qeverinë e Shteteve të Bashkuara mbi lobimin, Z. Tavlarides ka lobuar në emër të “Bechtel”-it në Kosovë, “në lidhje me çështjen e autostradës”, kur punonte për “Van Scoyoc Associates”, një kompani lobimi në Washington.

Z. Tavlarides sot punon për kompaninë “Podesta Associates”, e cila ka nënshkruar në datën 1 janar një kontratë me qeverinë e Kosovës në vlerën $50,000 dollarë në muaj, për ta këshilluar qeverinë e Kosovës në lidhje me komunikimin dhe përforcimin e marrëdhënieve me qeverinë e Shteteve të Bashkuara. “Podesta Associates” është bashkëthemeluar nga John Podesta, kryetar i kabinetit gjatë mandatit të dytë të Z. Clinton. Z. Podesta e ka lënë këtë kompani në vitin 1993. Kjo kompani është ende sot nën pronësinë e vëllait të tij, Anthony.

Mr. Tavlarides ka refuzuar të prononcohet, duke cituar rregullat e kompanisë së tij për të mos folur me mediat në lidhje me klientët.
Nga ana e tij, Gjenerali Clark thotë se sugjerimi që mund të kishte ndonjë lloj konflikti mes fitimeve private dhe përgjegjësive të tij të mëparshme ishte “ofendues”. “Biznesi im është tepër transparent dhe e ndihmon popullin e Kosovës,” thotë ai. “Ne do të përdorim një burim që nuk ka patur vlerë për popullin e Kosovës dhe nëpërmjet tij do të sjellim me qindra miliona dollarë në investime.”

Sipas Pentagonit, deri në një periudhë një-vjeçare pasi dalin në pension, zyrtarëve ushtarakë të Shteteve të Bashkuara u ndalohet që të kontaktojnë strukturat e shërbimeve të tyre të mëparshme ushtarake, si dhe u ndalohet që përgjatë gjithë jetës së tyre të kenë kontakte lidhur me të njëjtat çështje për të cilat kanë punuar më parë.

Organizata të shoqërisë civile parashtrojnë mundësinë që qeveria e Kosovës e sheh biznesin me ish-zyrtarë amerikanë si një rrugë drejt administratës aktuale të Shteteve të Bashkuara. Këto organizata gjithashtu kanë frikë se ky ndikim i ish-zyrtarëve e ul nivelin e konkurrencës dhe e dëmton konsumatorin.

Shpërfaqja e një linje të brendshme të disa prej kompanive i ka dekurajuar kompani të tjera konkurrente “sepse ato e dinë që kjo garë është e mbyllur”, thotë Avni Zogiani, një gazetar kosovar që drejton “Çohu”, një organizatë në Prsihtinë kundër korrupsionit që ka hetuar lidhjet mes biznesit të telekomunikacionit, krimit dhe politikës. “Kompanitë që kanë një reputacion të mirë nuk kanë më interes të investojnë në Kosovë.”
Edhe disa ish-zyrtarë e pranojnë sikletin që krijon ndërlidhja mes biznesit dhe diplomacisë.

Steven P. Schook, një ish brigadier i përgjithshëm i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, dhe ish-kryetari i kabinetit të KFOR-it, forcave të NATO-së në Kosovë, thotë se ai është “në dilemë” në lidhje me këtë çështje.

Z. Schook, i cili ka punuar edhe si Zv./ i Drejtuesit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, është kthyer në Kosovë për të punuar si këshilltar privat i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili u shpall i pafajshëm muajin e kaluar nga Gjykata e Krimeve të Luftës në Hagë. Ai thotë se punon për Z. Haradinaj sepse beson në lidershipin e tij, dhe i vetmi kompensim që merr janë shpenzimet e jetesës në Kosovë, rreth 2,600 dollarë në muaj.

“Ka shumë ish-diplomatë që hyn e dalin dukë përfaqësuar interesa private”, thotë ai. Nëse jam një korporatë e madhe dhe dëshiroj të behem konkurruese, atëherë do të doja të punoja me njerëz që më ndihmojnë që ta bëj këtë gjë.”

“Por nga ana tjetër, duket pak si vulgare”, shton Z. Schook. “Në një moment çliron një vend, dhe në momentin tjetër përpiqesh të fitosh një tender energjitik.”
Botuar më datën 11 dhjetor, 2012, në gazetën “The New York Times”