ARKATANA

Shkolla Teknike “Jonuz Zejnullahu” në Viti organizon ceremoninë e parë të diplomimit

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Viti – Në një atmosferë festive dhe plot emocion, Shkolla e Mesme Teknike Jonuz Zejnullahu në Viti organizoi për herë të parë ceremoninë e diplomimit të maturantëve, duke shënuar një moment të veçantë në historinë e këtij institucioni arsimor dhe në jetën e gjeneratës së re që po përmbyll një etapë të rëndësishme të shkollimit.

Ceremonia mblodhi përfaqësues institucionalë, stafin arsimor, prindër dhe mysafirë të shumtë, të cilët ndanë së bashku krenarinë për sukseset e maturantëve dhe rrugëtimin e tyre drejt sfidave të reja akademike dhe profesionale.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me përfaqësues të Kuvendit Komunal, Drejtorisë Komunale të Arsimit dhe institucioneve të tjera lokale. Në fjalën e tij, Haliti përgëzoi maturantët për përkushtimin dhe suksesin e treguar ndër vite, duke i inkurajuar që të vazhdojnë rrugën e dijes dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit.

Gjatë ceremonisë u vlerësua puna e palodhshme e nxënësve, mbështetja e familjeve dhe roli i mësimdhënësve në formimin profesional dhe qytetar të të rinjve. U theksua se arsimi profesional dhe teknik po merr një rëndësi gjithnjë e më të madhe në përgatitjen e kuadrove të nevojshme për tregun e punës dhe zhvillimin ekonomik lokal.

ARKATANA

Në këtë drejtim, u veçuan edhe investimet që Komuna e Vitisë po realizon në fushën e arsimit profesional përmes projekteve të lidhura me Inkubatorin e Biznesit, kabinetet moderne dhe krijimin e kushteve bashkëkohore për zhvillimin e mësimit praktik. Këto investime synojnë t’u ofrojnë të rinjve aftësi konkrete profesionale dhe mundësi më të mira për integrim në tregun e punës.

Drejtoria e shkollës vlerësoi se ceremonia e parë e diplomimit përfaqëson një moment historik për institucionin, i cili ndër vite ka përgatitur gjenerata të tëra profesionistësh në fusha të ndryshme teknike.

Me këtë rast, Komuna e Vitisë dhe stafi i shkollës uruan maturantët për suksesin e arritur, duke u dëshiruar atyre rezultate të larta në studime, zhvillim profesional dhe suksese në çdo etapë të jetës së tyre.

Ceremonia u përmbyll me ndarjen simbolike të diplomave dhe me mesazhe optimiste për të ardhmen e gjeneratës së re që po hyn në një kapitull të ri të jetës./rajonipress/