Fundamenti

Riatdhesimi, proces i dhimbshëm për kosovarët

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Sipas statistikave zyrtare, nga viti 2010 deri më tani, nga BE janë riatdhesuar rreth 19 mijë kosovarë, ndërsa procesi i riatdhesimit do të vazhdojë në kontinuitet.

Bejtë Hajdini dhe Zenel Krasniqi janë dy kosovarë, nga mijëra të tjerë, të cilët kanë shitur pasurinë e luajtshme e të paluajtshme për të kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian. Por, pas marrëveshjeve për riatdhesim, ata janë kthyer në atdhe, pa realizuar ëndrrën që të jetojnë në “tokën e premtuar”.

Sipas statistikave zyrtare që posedon Ministra e Punëve të Brendshme në Prishtinë, nga viti 2010 deri më tani janë riatdhesuar rreth 19 mijë kosovarë, ndërsa procesi i riatdhesimit do të vazhdojë në kontinuitet.

Ky proces konsiderohet njëri nga kriteret më të vështira që BE ia ka vënë Kosovës, madje është konceptuar si procesi më i dhimbshëm i integrimit evropian, sepse mijëra kosovarë, pas qëndrimit disa vjeçar në shtetet perëndimore, duhet të kthehen në vendlindje.

Ndryshe, tetë muaj më parë, Hajdini kishte shitur shtëpinë dhe ia kishin mërsyer Evropës. Ai së bashku me gruan dhe dy fëmijët e tij, para tetë muajve u nisën drejt Hungarisë, me destinaciont Austrinë.

Në këtë shtet ata qëndruan deri në fillim të këtij muaji, derisa nga autoritetet austriake morën rekomandimin që shumë shpejt ta lëshoj vendin.

Bejtë Hajdini thotë se thotë se i është premtuar shumë nëse kthehet në Kosovë, ndërsa ankohet se Ministria e Punëve të Brendshme nuk i ofroi ndihmën e premtuar.

Edhe Zenel Krasniqi është njëri nga mijëra kosovarët që është kthyer nga Belgjika, si pjesë e marrëveshjes për riatdhesim. Ai rrëfen sakrificën që kishte përjetuar bashkë me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, gjashtë vjet më parë, kur kishte vendosë të emigrojë në BE.

Shet lopët dhe kerrin, ikë në Evropë

“I shita tri lopë dhe një kerr, dhe u detyrova me dalë jashtë vendit për shkak të kushteve të rënda ekonomike. Kontaktova me disa kontrabandist me të cilët dola në Hungari. Nga aty, në Gjermani dhe më pas zgjodha Belgjikën, duke menduar se është pak më lehtë të merren letrat”, kështu përshkruante Krasniqi rrugëtimin e tij drejt BE-së.

Ai thotë se në Belgjikë kishte filluar mirë të akomodohet, mirëpo pas një periudhë autoritetet ia kishin refuzuar kërkesën për azil, dhe e kishin rekomanduar të kthehet në atdhe.

Krasniqi thotë se kthimi në Kosovë është një histori më vete, sepse e ka detyruar të përballet edhe një herë me sakrificën serioze të mbijetesës. “Këtu kushtet e rënda, pa punë pa shtëpi pa tokë pa asgjë” deklaroi Krasniqi.

Ai thotë se Qeveria e Kosovës iu kishte ofruar ndihmë, por ai e kishte refuzuar, duke kërkuar që t’i gjejnë një vend punë dhe jo lëmoshë mbijetesë. “Realisht ministria na ka ofruar një ndihmë për një periudhë, por çka të bëjë pasa gjashtë muajve, ka t’i mbajë. Unë e dua një punë të përhershme me i akomoduar fëmijët dhe familjet”, deklaroi ai.

“Por duke pas parasysh që këtu ka shumë të papunë, kryesisht njerëz me fakultet, ndërsa unë e kam shumë vështirë të gjej punë ”, shprehet Krasniqi.

Në anën tjetër, Fahrije Tërrnava, drejtoreshë e Departamentit për të Riatdhesim dhe Riintegrim në Ministrinë e Punëve të Brendshme, thotë se shteti u del në ndihmë të gjithë atyre kosovarëve që kthehen dhe që kërkojnë ndihmë në MPB.

Tërrnava për albinfo.ch përshkruan në detaje procesin e kthimit dhe riintegrimin e të kthyerve në shoqëri. Ajo tha se personat e riatdhesuar pas konfirmimit për kthim nga Departamenti për Shtetësi Azil dhe Migracion, priten në zyrën pritëse për Ri-integrim në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”.

MPB mbështet të riatdhesuarit

Mobi Casa

Pas pranimit në ketë zyrë, plotësohet formulari, qytetarët informohen për shërbimet që ofrohen nga Programi për Ri-integrim dhe shërbimet tjera nga niveli qendror dhe ai lokal.

Po ashtu, siç tha Tërnava, identifikohen nevojat emergjente. “Personave të sëmurë u ofrohen shërbimet mjekësore. Nëse pala deklaron se nuk ka ku të qëndrojë, ofrohet shërbimi i akomodimit shtatë (7) ditor në Qendrën për Ri-integrimin e Personave të Riatdhesuar. Gjithashtu, personat të cilët nuk kanë transport deri ne komunën e origjinës, iu ofrohet ky shërbim”, thotë Tërnava.

Kjo, siç tha ajo, është ndihma emergjenet që iu jepet të riatdhesuarëve.

“Pas akomodimit në Qendrën për Ri-integrim, palës i sigurohet një banesë me qira ne komunën e origjinës nga Koordinatoret Rajonal dhe Zyrat Komunale për Komunitete dhe Kthim. Me vendosjen e familjes në banesë, i ofrohen pakot ushqimore dhe higjienike, konform rregullores 20/2013”, deklaroi Tërrnava.

Të sapokthyerit, siç thonë në MPB, më pas bëjnë kërkesë për përfitimin nga programi për Riintegrim në Zyrën Komunale për Komunitete dhe Kthim, ndërsa organet vendimmarrëse mund të marrin vendimin pozitiv apo negativ për kërkesat e tyre.

Sipas Tërnavës, personave të riatdhesuar iu ofrohen edhe trajnime profesionale për punësim dhe projekte për gjenerimin e të hyrave vetanake. Ndërsa fëmijëve të cilët riatdhesohen iu sigurohet menjëherë regjistrimi i tyre në shkolla.

“Për ata nxënës të cilët kanë nevojë për mësim plotësues të gjuhës iu ofrohet ky shërbim bashkërisht me akterët relevantë të cilët bashkëpunojnë në këtë drejtim”, deklaroi ajo.

Ndryshe, nga viti 2010, deri në fund të vitit 2012 janë kthyer në Kosovës 13873 persona, ndërsa vetëm në vitin 2013 janë kthyer 5115 persona.

Procesi i Riatdhesimit, sipas zyrtarëve qeveritar, është duke u zbatuar në përputhje me Ligjin për Ripranim dhe Marrëveshjet bilaterale të Ri-pranimit të cilat Kosova i ka nënshkruar me shtete të ndryshme të rajonit dhe BE-së.

Kosova, marrëveshje me 21 shtete për Ripranim

Fillimisht këto shtete bëjnë kërkesë në Departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migracion për riatdhesim të shtetasve tanë që janë pa leje qëndrimi, apo ilegalisht qëndrojnë në këto shtete

“Me 21 shtete kemi marrëveshje për ripranim dhe jemi në negociata me disa tjera dhe kemi vu kontakte edhe me shtetet fqinje dhe te rajonit”, deklaroi Tërnava.

Ndryshe, njëri nga kushtet për liberalizimin e vizave dhe afrimit të Kosovës me BE-në, është kthimi i kosovarëve që jetojnë pa leje qëndrimi në Shtetet e Bashkimit Evropian dhe riintegrimi i tyre në shoqëri.

Pavarësisht ndjeshmërisë së procesit dhe implikimeve buxhetore, Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që këtë proces të çoj deri në fund, për faktin se ky është njëri nga kushtet për marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Kryeministri Hashim Thaçi e ka potencuar disa herë se procesi i liberalizimit të vizave është prioritet për qeverinë që drejton dhe në këtë aspekt ka marrë edhe përgjegjësi për t’i përmbushur të gjitha kushtet që dalin në këtë proces.

Me liberalizmin e vizave, siç kanë deklaruar disa herë zyrtarët kosovarë, do të ulet fluksi i azilkërkuesve, sepse kosovarët do të kenë mundësi ta vizitojnë Evropën, e njëkohësisht të kthehen sërish në vendlindje. Në të kundërtën, dalja ilegalisht në BE, ia pamundëson edhe kthimin vullnetar në Kosovë.

Derisa riatdhesimi po vazhdon në kontinuitet, në anën tjetër po vazhdon edhe ikja spontane e të rinjve drejt shteteve të BE-së. Autoritetet në Prishtinë iu bëjnë thirrje kosovarëve që mos t’ia mësyjnë BE-së për azil, sepse BE më nuk pranon refugjat kosovarë. Përpjekjet e tyre do të jenë të kota, ndërsa do t’u kushtojnë edhe materialisht./M.SH./albinfo/