KKGJILAN

Reportazh: Medvegja, qyteza që po shuhet me ëndrrën për t’iu rikthyer shqiptarëve

/ 13 minuta lexim
Uji Dea

Në veri-lindje të Kosovës, e shtirë pranë lumit Jabllanica, një qytezë shqiptare ndonëse e ngulfatur që moti nën administrimin serb, po vuan pasojat më të rënda të historisë së bujshme.

E banuar dikur nga fisi iliro-dardan, sot komuna e Medvegjës rrezikon të humb çdo shenjë të shqiptarëve. Një pllakë qe të uron mirëseardhje vetëm në gjuhën serbe të fton të hysh në territorin e banuar nga vetëm 450 shqiptarë. Tridhjetë e katër fshatra piktoreske, nuk kanë arritur të mbajnë gjallë banorët shqiptarë në këto treva nga agresioni serb që u është bërë, përderisa në vitin 1999 përfundimisht shumica prej tyre lëshuan vendin.

Po të hysh në territorin e Medvegjës je i dënuar të dehesh nga bukuritë e shumta të cilat natyra ia ka dhuruar kësaj komune. Ndonëse historia arriti t’i marr asaj shumëçka, asnjë stuhi nuk arriti të shlyej dot as edhe një ngjyrë nga piktura magjike e këtij vendi malor. Vargmale të shumta të cilat vetëm natyra ka ditur t‘i rendis me kaq precizitet janë shoqëruesit besnik të çdo udhëtari. Nga bukuria e tyre nuk kursehet madje as edhe një fshat i komunës së Medvegjës. Në mes maleve të shumta aty-këtu ngre kokën ndonjë shtëpizë që ka arritur t‘u mbijetoj ende kthetrave të kohës. Nga dritarja e veturës mund ta ndiej ajrin e pastër që depërton brenda përderisa jashtë saj, strukur diku mes lisave të gjatë zogjtë thurin meloditë nga më të bukurat.

Fusha të gjera, të punuara me lloj-lloj kulturash bujqësore na hapin edhe më tej rrugën drejt qytezës së Medvegjës. Shtëpi të vogla, pothuajse të gjitha njëkatëshe por me kopshte të rregulluara si në përralla zënë vend në të dy anët e rrugës. Disa përshëndetje të mëngjesit nga banorët serbë ma largojnë vëmendjen përderisa me ngulm kërkoj të dëgjoj një zë shqiptari. Zakonisht mëngjeset e Medvegjës janë të mbushura përplot me shqiptarë që vijnë qoftë nga Kosova apo edhe nga fshatrat përreth për t’u kthyer në fund të ditës duke e mbyllur kështu qytetin përsëri nën perden e heshtjes. Kureshtja të shtyn të mësosh diçka më shumë për të kaluarën dhe shqiptarët në këtë vend por praninë e tyre e vëren vetëm në përmendoren e vendosur tash e sa vite në qendër të Medvegjës në të cilën ata quhen terroristë, përderisa përballë saj një pllakë fton për bashkëjetesë në gjuhën serbe dhe atë shqipe.

Në mes të ndërtimeve të varfra bie në sy objekti i komunës së Medvegjës në hyrje të së cilit përballë shkronjave shqipe valon vetëm flamuri serb. Brenda mureve të bardha të këtij objekti të vendosura vend e pavend, me lloj-lloj gabimesh drejtshkrimore saqë të vjen turp që shkronjat e bukura shqipe qëndrojnë aty, mijëra zyrtarë serbë krekosen për respektim të dygjuhësisë. Fehmi Beha, këshilltar komunal në këtë komunë shpjegon problemet e shumta me të cilat përballen banorët shqiptarë të Medvegjës si pasojë e diskriminimit që iu bëhet dhe varfërisë së madhe. Sipas tij numri i të punësuarve shqiptarë në Medvegjë nuk e kap as shifrën prej 1 %. “Në këtë aspekt shqiptarët janë shumë të diskriminuar”, shprehet ai teksa përmend edhe aspektin e dygjuhësisë i cili sipas tij nuk po respektohet aq sa është e paraparë me statut.

Disa metra larg objektit të komunës ndodhet shkolla e mesme teknike “Nikolla Teslla” brenda së cilës tash e nëntë vite funksion paralelja në gjuhën shqipe. E ngjyrosur e tëra në të bardha dhe me një infrastrukturë të mirë, fati i kësaj shkolle jo vetëm tash por edhe më parë kur mësimi zhvillohej shqip, ka qenë që të përcjell gjenerata të tëra të cilat asnjëherë nuk janë kthyer në vendlindje për të dhënë kontributin e tyre. Brenda mureve të shkollës që dikur gumëzhinin nga nxënësit shqiptarë, tani aty në një vitrinë të vjetër zënë vend vetëm fotografitë e tyre të cilave pluhuri vetëm sa nuk ua ka mbuluar fytyrat. Me vetëm 26 nxënës shqiptarë, pa kaluar më shumë se 3-4 vite kjo shkollë rrezikon të mbyllet tërësisht. Dhe nëse mbyllet atëherë rrezikon të mos hapet më kurrë.

Albulena Syla këtë vit ka përfunduar shkollimin në gjuhën shqipe këtë shkollë. Shtatshkurtër, me flokë të gjata dhe një vajzë shumë inteligjente ajo ka arritur të mundë katër paralele serbe dhe të dal më e mira në gjeneratën e saj. Në duar mban shpërblimet që i ka marrë nga shkolla, gjersa flet për problemet e shumta në të cilat ka hasur derisa e ka marrë këtë çmim. “Për serbët ka qenë e papranueshme që një shqiptare të dal më e mira në shkollën e tyre andaj edhe janë munduar në të gjitha mënyrat që ta parandalojnë këtë“, është shprehur ajo. Teksa shpjegon në detaje ajo është shumë e qetë dhe shumë e matur në fjalët e saj. Me atë zë të butë ka fituar edhe disa shpërblime në garat e recitatorëve. Por, fatkeqësisht të ardhmen e saj nuk e sheh në Medvegjë. Ajo është larguar për të vazhduar studimet në një nga universitetet në Kosovë. “Po të qëndroj këtu unë do të mbetem pa punë, pa një edukim të mirë dhe pa mundësinë për të krijuar një karrierë të mirë. Politika serbe nuk i do të shkolluarit këtu në Medvegjë. Ajo i largon ata në çdo formë duke vendosur në vend të tyre njerëz të pashkolluar me të cilët mund të manipuloj sa më lehtë”, shprehet ajo.

Fatin e Albulenës për të vazhduar studimet në Kosovë nuk e kanë të gjithë të rinjtë e Medvegjës. Gjendja e rëndë financiare i lë shumicën prej tyre me një barrë të rëndë të cilën do të duhet ta bartin për tërë jetën. Jo larg nga kjo shkollë ndodhet dega e Universitetit të Nishit me drejtimet ekonomi dhe juridik tashmë në gjuhën shqipe, e hapur vite më parë. Në vitet kur ishte hapur shumica e studentëve shqiptarë e kishin konsideruar si një mundësi të mirë për të mbetur gjallë në vendlindje, por tani po të njëjtit po e konsiderojnë atë si të keqen më të madhe që u është bërë. E kjo për faktin së ky universitet planifikohet të mbyllet duke i lënë studentët pa ndonjë zgjidhje. Me synimin për të respektuar dygjuhësinë në hyrje të këtij universiteti kokulur qëndrojnë përsëri shkronjat shqipe. Në mesin e gabimeve të shumta, për ta madje edhe fjala “Universitet“ është bërë “Univerzitet“.

Po të shikosh anash në lindje të Medvegjës, malet e egra në mes të cilave banorët shqiptarë përpiqen të mbijetojnë në mes të jetës së vështirë që ofron toka e Medvegjës mund të shihen shumë qartë. Pikërisht në ato male ndodhet një ndër fshatrat më të mëdha në komunën e Medvegjës i cili ka arritur të mbaj rreth vetes pjesën më të madhe të banorëve shqiptarë. Dhe janë përsëri ato male në të cilat vështirë të mendosh se mund të zhvillohet jeta që kanë arritur të rikthejnë në gjirin e tyre pjesën më të madhe të banorëve shqiptarë që dikur ishin shpërngulur nga ky fshat. Në Tupallë edhe lisat e gjatë dhe shkurret që fshihen prapa tyre, dhe vesa që në mëngjes u hapë sytë luleve dhe gjithçka tjetër frymon shqip, ngase ka qenë gjithmonë etnikisht i banuar vetëm me shqiptarë. Toka pjellore dhe duart e njerëzve kanë bërë mrekulli në këto anë duke mbjellur laramani të kulturave bujqësore, shumica prej të cilëve e kanë të vetmin burim të ekzistencës.

Sokol Halimi, banor i këtij fshati me krenari flet për vendlindjen e tij duke e quajtur Tupallën nënë të të gjitha fshatrave të Medvegjës. Sipas tij ky fshat para vitit 2000 ka pasur 1300 banorë. Sokoli asnjëherë nuk është larguar nga vendlindja ndonëse e ka pasur shumë të vështirë që të rris të shtatë fëmijët e tij në mes të jetës së vështirë që ofron toka e Medvegjës.

Eco Higjiena

Emri i heroit të popullit, Zenel Hajdini qëndron i varur në muret e shkollës së këtij fshati. Por ëndrra e tij për ta parë Medvegjën të bashkuar po përmbyset pikërisht brenda kësaj shkolle. Me vetëm 15 nxënës kësaj shkolle i kanoset rreziku që brenda mureve të çara të saj, zëri i butë i arsimtarëve e as të rrahurat e shpejtuara të nxënësit pasi të këtë përfunduar testin të mos dëgjohen më kurrë.

Megjithatë nuk është gjithçka terr në Medvegjë. Pasi të kesh kaluar rreth gjysmë ore nën rrugën e groposur e vëren më së miri se sa bujare është treguar natyra me këtë vend. Kur shikon peizazhin e bukur të Banjës së Siarinës të duket sikur piktorët nga e gjithë bota kanë shkrirë talentin e tyre mbi të. Ka mjaftuar një shpërthim uji shumë vite më parë që ky vend të shndërrohet në burim shërimi për shumë sëmundje.

Banja e Siarinës ashtu siç ua shtoi begatinë banorëve shqiptarë të kësaj ane njëherësh ajo u bë edhe synim i pushtuesve serbë të cilët lakmonin natyrën e bukur dhe begatitë tjera që mbante në vete toka e këtij vendi. Mirëpo, ashtu siç u bo një ndër shkaqet e largimit të shqiptarëve nga ky vend, Banja e Siarinës ia del që së paku gjatë verës të rikthej aty pjesën më të madhe të tyre. Në territorin prej 2.3 km katror gjenden rreth 18 burime të ujërave minerale më përbërje të ndryshme fiziko-kimike, në temperaturë prej 32-72 gradë celsius, si dhe gejzerët me ujë të nxehtë, thellësia e të cilëve arrin lartësinë 8 metra. Kjo Banjë është e vetmja që posedon gejzerin natyror pas Zelandës së Re.

Te shitorja e Halilit, siç e quajnë të gjithë dyqanin e vogël të zotëriut Halil muret e së cilës mezi mbajnë peshën e rëndë që koha ka vënë mbi to, nuk ke si të mos ndalesh nga gumëzhima e zërave të banorëve shqiptarë të cilët mblidhen aty për t’i çarë hallet njëri-tjetrit. “Eh sikur të ishim gjithnjë kështu të bashkuar dhe ajo dorë shkau të mos na ndante“, thotë një plak, opingat e shqyera të së cilit mezi ia mbajnë trupin e rënduar nga alkooli, përderisa dhjetëra koka të bashkëbiseduesve të tij kthehen pas duke shpresuar që as hijet e tyre të mos kenë dëgjuar vërtetësinë e fjalëve të tij. ”Shuj o axhë se do me na fut në telashe, nuk je në Kosovë këtu“, ia kthen një burrë i gjatë, gjersa rrudhat e thella luajnë lojë me fytyrën e tij.

Disa metra më tutje malet e Gollakut kanë lëshuar hijen e tyre mbi tri lloje të ujërave shëruese që gjenden njëri pas tjetrit, përderisa rrethi i gjatë i njerëzve rreth tyre ka krijuar një ylber ngjyrash. Një burrë shtatgjatë ankohet për dhembje të veshëve gjersa e shoqja e tij vuan nga të ënjturit e syve, përderisa pranë tyre qëndron një fëmijë diku 8 vjeçar. Megjithatë të gjithë shërimin e kërkojnë vetëm në një vend.

Shërim për sytë e saj që tashmë mosha i kishte bërë të mos njohin as fytyrat e më të dashurve po kërkonte edhe Hida Llumnica. Teksa me ujin e Banjës shpërlante me kujdes sytë në të cilët koha kishte lënë gjurmë të pashlyeshme, ajo tregon se çdo vit ndonjëherë e vetme, e ndonjëherë e shoqëruar me familje vjen nga Prishtina në Banjë të Siarinës. “Pa ardhë nuk bën hiç“, shprehet ajo teksa tregon se edhe gjuhën serbe tashmë ka arritur ta mësoj. Një numër i madh i turistëve nga Kosova, gjatë stinës së verës e zgjedhin pikërisht Banjën e Siarinës për të kaluar pushimet. Nexhmi Oraca nga Podujeva po ashtu tregon se çdo verë së bashku me familje shkon në Banjë të Siarinës. “Me më thanë a po shkon në deti, a po shkon në Banjë, unë them në Banjë“, përgjigjet ai teksa tregon se edhe në Kosovë ka shumë Banja mirëpo asnjë nuk e ndërron me atë të Siarinës.

Dyert e Banjës së Siarinës janë të hapura edhe gjatë stinëve tjera. Natyra është po ajo e njëjta dhe vendi ruan po atë bukuri. Ndryshojnë vetëm piktorët, të cilët çdo stinë shkrijnë ngjyrat e tyre mbi malet shtatgjata dhe tokën pjellore. Megjithatë gjate dimrit të paktë janë sytë që shohin pikturat e tyre.

“Do të ishte më mirë sikur për shqiptarët e Medvegjës të ndalej koha“, thotë Brahim Dema, tashmë i moshuar, të cilin pikërisht ajo e kishte lënë të vetëm në fshatin Siarinë të Medvegjës, pa familje dhe pa dikë me të cilin do të mund të përballonte peshat e rënda që kishin lëshuar vitet mbi të. “Jetoj më të lumin Allah”, thotë ai sa herë që dikush e pyet për jetën e tij, ndonëse në sytë e tij të thellë vërehet që po ta kishte edhe një herë kohën në duart e tij do të rrëmbente çdo sekondë të saj.

Duke lënë prapa fjalët e plakut Brahim është pikërisht koha e keqja më e madhe nga e cila do të duhej të frikësoheshin shqiptarët e Medvegjës ngase ashtu siç shkul çdo gjë nga rrënja, nëse vazhdohet me këtë trend, një ditë kthetrat e saj do të zhdukin edhe ata pak shqiptarë që kanë mbetur në Medvegjë dhe fshatrat e saj. Historia do të vazhdoj të shkruhet mirëpo ajo asnjëherë më mund të mos jetë në favor të shqiptarëve të Medvegjës./Egzona Krasniqi/Titulli.com/