Mobi Casa

Mosnjohja e diplomave, ulë interesimin për studime nga Lugina në Kosovë

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Shumë të rinj nga Lugina e Preshevës, kanë vendosur që të mos vijojnë studimet e tyre në arsimin e lartë në Kosovë, por në vende të tjera të rajonit.

Kjo për shkak se diplomat e tyre vazhdojnë të mos njihen në shtetin serb, edhe pas shumë marrëveshjeve për njohje të diplomave.

Mosnjohja e diplomave të universiteteve të Kosovës nga autoritetet e Serbisë, ua kanë vështirësuar qasjen për punësim të rinjve shqiptarë që jetojnë në Luginën e Preshevës.

Kryetari i Këshillit Kombëtar në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu, tha për Radio Kosovën, se të rinjtë atje kanë gjetur zgjidhje të tjera jashtë Luginës së Preshevës, duke emigruar ose duke studiuar në universitete të tjera të rajonit.

“Orientimi i gjimnazistëve që përfundojnë gjimnazin ka filluar të ndryshojë. Ndryshe nga herët e kaluara, ku shumica e të rinjve kanë studiuar në Kosovë, tani po shikojnë alternativa të tjera në Tetovë dhe Tiranë. Kjo është një kosto më e madhe për studentët e luginës, për shkak të distancës, mënyra e jetesës dhe kostoja në Tetovë, kështu është vështirësuar jeta e studentëve por mbetet e vetmja zgjidhje”, tha ai.

Ndërkohë, Universiteti i Gjilanit, “Kadri Zeka”, vazhdimisht ka pasur kuota më shumë për studentët e Luginës së Preshevës, për arsye edhe të afërsisë së vendeve.

Por, dekani i Fakultetit Ekonomik, Xhevat Sopi, tregoi për Radio Kosovën se tashmë ka rënë shumë numri i të interesuarve nga Lugina për të studiuar në këtë universitet.

Hidromorava

“Vitet e fundit ka rënë numri thuajse fare. Nga statistikat e fundit që kemi, kemi parë që në nivel universiteti nuk janë as 15 aplikime në vitin e fundit, që i bie një numër shumë simbolik. Në anën tjetër në ofrojmë shumë mundësi për studentët e Luginës së Preshevës”, tha ai.

Dekani Sopi, theksoi së është urgjente që të punohet në drejtim të njohjes së diplomave.

“Mendoj se në momentin e parë do të zgjidhet problemi i diplomave, ne do të kemi shumëfishim të kërkesës në raport me tani. Universiteti i Gjilanit do të jetë referenca e studentëve nga Lugina e Preshevës, për programet e njëjta që ofrojmë ne dhe universitetet e tjera”, tha ai.

Në nëntor të vitit 2011, Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të atëhershëm teknik, kishin arritur një marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të diplomave të shkollimit universitar. Gjatë viteve 2013- 2014, përmes vërtetimit që u bëhej diplomave të universiteteve të Kosovës nga organizata joqeveritare holandeze SPARK, Qeveria e Serbisë kishte pranuar që t’i verifikonte ato diploma, për të hapur mundësi punësimi përmes atyre diplomave. Por, nga viti 2014, kjo nuk ka funksionuar më.

Aktualisht, nuk ka statistika të sakta se sa është numri i të diplomuarve shqiptarë në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të cilëve diplomat nuk u janë njohur nga shteti serb. Ndërkohë, autoritetet në Kosovë pas marrëveshjes në Bruksel për njohjen e ndërsjellë të diplomave, kanë nxjerrë një udhëzim administrativ për këtë çështje dhe që është zbatuar.

Më 4 shtator të vitit 2020, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, u nënshkruan veç e veç zotimet për marrëveshjen për normalizimin ekonomik ndërmjet dy vendeve. Një prej pikave të marrëveshjes ishte edhe njohja e e diplomave. Por, sipas autoriteteve në Luginën e Preshevës, kjo pikë e marrëveshjes në Serbi nuk është zbatuar./rtk