Rashiti: Në zemër të qytetit po shitet një simbol i Gjilanit: fabrika e bukës, Sillosi, me ofertën e pushtetit të VV-së për leje ndërtimore 13-katëshe

Gjilan – Qeverisja komunale e VV-së hesht mu në muajin e korrje-shirjeve, kur në Kosovë korret djersa e bujkut, në Gjilan po asgjësohet një nga shtyllat historike të identitetit ekonomik dhe industrial të qytetit. Dikur, të VV-së qanin ditë e natë me lotë krokodilli për mbylljen e fabrikave në Gjilan, e në kohën e qeverisjes tyre po i hapet rruga rrënimit të tyre, për të ndërtuar objekte banesore ka shkruar Riad Rashiti i cili është kandidat për kryetar të Gjilanit.
Postimi i plotë:
Por kjo nuk është vetëm një çështje ndërtimi, është pasqyrë e qartë e dy qeverisjeve të dështuara, që për vite premtuan zhvillim, por sollën vetëm heshtje, beton e leje ndërtimi pa vizion.
Për 12 vite nuk u arrit të funksionalizohet një Plan Zhvillimor Komunal, sepse ky kryetar aktual i komunës përmes mashtrimit e anuloi PZHK kinse për qëllime ma të mira, por e zhduki plotësisht si njërin nga dokumentet thelbësore për planifikim dhe ndërtim.
E ky veprim i tij nuk ishte paaftësi, por qëllim: ta degradojnë qëllimshëm qytetin, që gjithçka të jetë në shitje edhe buka e toka bujqësore por edhe kujtesa kolektive.
Sot, ata që e lanë Gjilanin pa plan, pa rrugëdalje, pa bukë duan të ri-marrin besimin qytetarë, apo edhe ata që duan të rikthehen si “shpëtimtarë”, me të njëjtat fytyra, të njëjtat fjalë, të njëjtat interesa.
Por Gjilani nuk ka nevojë për heshtje. Ka nevojë për zë. Për udhëheqje me integritet. Për njerëz që mbrojnë interesin publik, jo interesat e ngushta të ndonjë klani.
Duhet të kujtojmë të kaluarën, por të ndërtojmë të ardhmen mbi vlera, jo mbi beton. Historia e Gjilanit nuk shembet për ta dhënë me qira./rajonipress/