ARKATANA

Ragip Muharrem Hoti, me heroizmin e treguar dhe gjakun e derdhur u bë simbol pavdekësie

/ 23 minuta lexim
Uji Dea

Nga Arif Ejupi – Ragip Muharrem Hoti, nga Brdashi i Podujevës, i zemëruar tepër me suprimimin e Autonomisë, së Kosovës, me kërbaç e tanke nga Serbia, ishte betuar që s’do të nënshtrohet për të gjallë, por do ta vazhdojë me ngulm rrugën dhe amanetin e Ali Ajetit, Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, që ranë në altarin e lirisë, për të mos vdekur kurrë, më 30 maj, përkatësisht 2 nëntor të vitit 1989.

Ata ngjashëm me Dedë Gjo’ Lulin e Trabonit të Hotit,orë të tëra luftuan kundër forcave ushtarake dhe policore të pushtuesve serbo-sllavë.

Ragip Muharrem Hoti, lindi më 10 tetor të vitit 1953 në fshatin Bradash të Llapit. Paraardhësit e Ragipit në këtë lokalitet erdhën nga Hoti i Malësisë së Mbishkodrës, në periudhën kur këto treva puro shqiptare nga Superfuqitë e atëhershme iu bënë dhuratë Malit të Zi.

Mikesha e njohur e shqiptarëve dhe studiuesja e zellshme e zhvillimeve të gjithmbarshme në Ballkan, veçmas e dokeve dhe traditave tona Edith Durham, në një studim të themeltë dhe me bazë të qëndrueshme shkencore e jep të kompletuar etnogjenezën e pjesës dërrmuese të fiseve shqiptare.

Ajo në librin “Brenga e Ballkanit dhe Vepra të Tjera për Shqipërinë dhe Shqiptarët “ thotë “Hoti në kohën kur e kam njohur unë, ishte fisi kryesor i Malësisë së Madhe. Ai e pati fituar këtë të drejtë me trimëri në luftë”.

Ngulmi i Hotit, më 1878, i pengoi vendimet e Kongresit të Berlinit dhe e shpëtoi Tuzin dhe krahinat e Plavës dhe Gucisë, pa rënë nën sundimin e Malit të Zi” Marash Uci, një plak i mençur dhe i përshtatshëm për të biseduar çdo temë me te, si trashëgimtar i këtij fisi, ia kishte zbërthyer gjenealogjinë e paraardhësve të tij, zonjës, Edith Durtham, të para 300 (treqind) vjetëve.

Ky rrëfim i padëgjuar deri atëherë në vende të tjera të Evropës, i shtjelluar me aq hollësi nga Marashi e kishte impresionuar zonjën Durtham.

Sipas, Marash Ucit, atëbotë 65 vjeç, që vdiq më 1911, nga pneumonia, stërgjyshi i Hotit, Geg Lazi, kishte porositur që asnjëherë brenda fisit të tij, të mos ndodhnin martesat.

Andaj, martesën brenda fisit të tyre Hotët, e konsideronin si një mëkat të madh dhe tmerr të pa treguar.

Trimërinë, moralin, bujarinë, fisnikërinë dhe mosnënshtrim ndaj armiqve edhe në situatat më ekstreme të fisit Hoti, si duket në dejet e gjakut të tij, e trashëgoi edhe Ragip Muharrem Hoti.

Ai mësimet e para i ndoqi në fshatin e lindjes Bradash të Podujevës. Që nga klasa e -I- deri në klasën e IV- mësues e pati Ajet Sefer Hotin, pishtar i Arsimit në shkollat e rajonit të Llapit.

Meqenëse, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Kosovën e shkëputur dhunshëm nga trungu i saj, mungonin mësuesit Ajet Hoti, ende pa i mbushur 18 vjet, si maturant i shkollës së mesme Normale të Prishtinës, më 1952, nisë punën e mësuesit në fshatin Pollatë të Podujevës.

Ai këtë detyrë të shenjtë e kreu edhe në fshatra të tjera të Llapit si; Gllamnik, Kërpimeh, Lupç të Epërm, Lluzhan e Bradash. Ajeti më vonë punoi si nëpunës në Administratën e komunës së Podujevës, ku edhe u pensionua më 1992.

Ky mësues e nëpunës i palodhshëm që gëzonte respekt kudo, ish-nxënësin e tij Ragip Muharrem Hoti, e përshkruan si fëmijë të shëndetshëm, të shkathët e të dashur.

Sipas kujtimeve të mësuesit të tij, Ajet Hoti, që vdiq më 28 prill të vitit 2011, në moshën 76 vjeçare, Ragip Hoti, interesim të veçantë shfaqte në gjuhë shqipe, histori dhe gjeografi.
Madje një pyetje e Ragipit, si nxënës i klasës së katërt, për moshën e pazakontë e kishte lënë të shtangur mësuesin Ajet.

Ragipi gjatë një ore mësimi kishte pyetur “Mësues kush i janë shkijet dhe kush i ka sjellë në fshatin tonë ?!”..

Mësuesi, Ajet duke e ledhatuar Ragipin e kishte ndarë me një anë dhe i kishte thënë “Mbi këtë temë do të bisedojmë një ditë tjetër vetëm unë dhe ti”.

Ragip Hoti, edhe pse ende fëmijë preokupohej me fatin e popullit shqiptar nën administrim të serbo- sllavëve.

Ai mësimet nga klasa e -V-deri në -VIII- të, do t’i vazhdojë në shkollën “Emin Duraku” të fshatit Bajçinë të Podujevës.

Pas përfundimit të shkollës 8-vjeçare, edhe pse në kushte të rënda ekonomike, i motivuar nga djemtë e axhës së tij, Ahmeti dhe Xhevati, regjistrohet në gjimnazin “8 Nëntori” të Podujevës.

Kujtime nga periudha si gjimnazist rrëfen Osman Rexhep Sylejmani, nga fshati Sfeqël i Podujevës, i cili Ragip Hotin e kishte shok klase.

Osmani thotë “Në gjimnazin “8 Nëntori” të Podujevës, që më 1962, ishte pavarësuar nga ai “Ivo Llolla Ribar” i Prishtinës, unë dhe gjenerata ime mësimet i kemi filluar në vjeshtën e vitit 1970 dhe i kemi përfunduar në qershor të vitit 1974.

Drejtor shkolle atëherë ishte Zeqir S. Muçolli, nga Hertica, njëri nga gjeografët e parë në Llap. Edhe pse punohej në kushte të vështira ishim me fat, sepse të gjithë mësimdhënësit i kishim njerëz të mirë dhe të përkushtuar në punë.

Me sa mbaj mend ishim gjenerata e 8- apo e 9 e këtij institucioni arsimor të Llapit, thotë Osman Sylejmani.

Meqë nga ajo periudhë kanë kaluar 50- vjet, përveç Ragip Hotit më kujtohen edhe disa prej shokëve të klasës si; Emin Sylejman Sefa, tani dëshmori kombit, vrarë më 19 prill 1999 nga policë e paramilitarë serbë në Koliq të Prishtinës.

Mbaj mend edhe shokët, Ismet Begolli, Ramadan Cakiqi, Fehmi Gashi, Rrustem Berisha, Isak Havolli, e nga vajzat që ishin tri veta, më kujtohet vetëm Selvete Llugaliu e Surkishit.

Osmani prej vitit 1999 jeton në qytetin Bremen të Gjermanisë së bashku me gruan Bahrije Muçiqi -Sylejmani dhe katër fëmijët e tij.

Mosprezenca e gjatë në vendlindje dhe humbja e kontakteve me shokë e shoqe, natyrisht ia ka zbehur paksa kujtimet e periudhës, kur ai ishte nxënës në gjimnazin e Podujevës.

Megjithatë, Osman Sylejmani me nostalgji i kujton dy ngjarje të rëndësishme, të atyre viteve si mbrëmjen e maturës dhe shkuarjen në ekskursion në Serbi, Kroaci, Slloveni, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi.

Ai thotë, meqë ishte hera e parë që në mënyrë të organizuar dilnim jashtë Kosovës, të gjithë ishim të gëzuar.

Ragip Hoti, i njohur me karakterin e tij shpërthyes ndaj padrejtësive dhe shtypjes së njerëzve të pa krahë, haptas kishte shprehur pakënaqësinë e tij, duke thënë “Kudo proklamohet barazi dhe prosperitet për të gjithë, e në anën tjetër ne shfrytëzohemi dhe eksploatohemi pamëshirshëm”.

Në Podujevën tonë kemi vetëm baltën dhe tymin e fabrikës së llojit kovaçhane, të tullave dhe tjegullave, madje me emërtim provokues “Malo Kosovo” kurse qytetet e republikave që i vizituam vlonin nga fabrikat e uzinat.

Osman Sylejmani thotë, këtu pashë dashurinë e vërtetë të Ragipt, për Kosovën dhe njerëzit e saj.

Mos të harroj të them edhe një të vërtetë tjetër Ragip Hoti, qysh si nxënës i vitit të -II-të, gjimnaz, kur bënim lëndën Bazat e Mbrojtjes Popullore, i njihte të gjitha llojet e armëve. Ai si rrallëkush ishte i pasionuar pas tyre.

Osmani rrëfimin e tij e mbyll me lot në sy, duke thënë” ndihem i lumtur dhe krenar që Ragipin e kisha shok klase”. Dashurinë ndaj Atdheut të shfaqur përpara 17 viteve, Ragipi Hoti, e tregoi duke rënë në rezistencë me mbetjet çetnike të Serbisë.

Me gjithë dëshirën e flaktë që pas kryerjes së gjimnazit të vazhdojë me studime në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore seksioni i gjeografisë, të Universitetit të Prishtinës, Ragipi detyrohet të bëjë punë të tjera.

Ndonëse ishte e pamundur që të jetohej vetëm me rrogën e babait të tij, Muharremit, i cili punonte si punëtor krahu në Beograd, (atëherë kryeqendër e ish-Jugosllavisë)

Ragipi me shpresën që pas kryerjes së obligimit ushtarak do të gjejë ndonjë punë si nëpunës në Administratën e komunës së Podujevës, më 1976, së bashku me shumë shokë të gjeneratës së tij, shkon në të ashtuquajturin rekrutim në Nish të Serbisë.

Meqenëse, i plotësonte të gjitha kushtet për të qenë ushtar i rregullt i Armatës jugosllave, më 13 shtator të vitit 1979 merr ftesë nga organet e Mbrojtjes Popullore të komunës së Podujevës, për të shërbyer në këtë ushtri. Ragipi plotë 15 muaj shërben në kazermën ushtarake të Leskovcit, qytet në jug të Serbisë.

Pas 8 muajve shërbimi nga Nishi në Leskovc, transferohet edhe Skënder Jusufi – Beselica, nga Pollata e Podujevës.

Në bisedë me Skënderin, arsimtar shumëvjeçar i gjuhës shqipe, në fshatin e tij, të lindjes, mësojmë që Ragipi, si përherë konsekuent e mosdurues ndaj denigrimeve dhe padrejtësive që u bëheshin haptas shqiptarëve, asnjëherë nuk u bindej urdhrave të eprorëve serbë e malazezë. Ata të mllefosur me sjelljet e tij, ia ndalojnë vizitat familjare dhe daljet në qytet.
Pas përfundimit të shërbimit ushtarak Ragipi, kishte provuar të gjejë ndonjë punë qoftë edhe si ofiçar, në Zyrat e Gjendjes Civile, në fshatrat e Llapit. Meqenëse nuk kishte kurrfarë lidhjesh me pushtetin e korruptuar të asaj kohe, përpjekjet e tij, për të siguruar çfarëdo pune shkojnë huq.

Ne që jemi dëshmitarë të asaj periudhe të errët e dimë fare mirë, që pjesa dërrmuese e ofiçarve në Zyrat e Bashkësive lokale të komunës së Podujevës, ishin gjimnazistë, bile kishte ofiçar edhe me 8- vjeçare, sikur njëfarë Millutin Gjurgjeviq,që punonte në Zyrën e Gjendjes Civile të Gllamnikut.

Ragip Hoti i gjendur në një situatë pashtegdalje baba i katër fëmijëve të vegjël, duke e ndjerë vetën të deklasuar nga regjimi komunist, detyrohet që të shkojë në Zagreb të Kroacisë, tek i vëllai Nazifi.

Ai pas dy -tri javësh gjënë punë si mjeshtër ndërtimi në qytezën Zhelina, diku 37 kilometra larg Zagrebit.

Ragipi mbi gjendjen e rëndë në Kosovë, bisedon me shumë shqiptarë të treva tona, që në mungesë pune e kushtesh në vendlindje, ishin punësuar në qytete të ndryshme të Kroacisë dhe Sllovenisë.

Ai i brengosur me situatën në Kosovë, shpesh i vizitonte prindërit e tij, Muharremin dhe Sabilen, si edhe bashkëshorten Fexhrijen dhe fëmijët; Fitoren, Fatonin, Shkurtën dhe Liridonin, në fshatin Bradash të Podujevës.

Saherë që udhëtonte për në Kroaci, udhëtonte me zemrën vrer, ngase e shihte që bashkëkombësit e tij, vriteshin, burgoseshin dhe rriheshin, sikur të ishin skllevër nga regjimi gjakatar i Sllobodan Millosheviqit.

Gjatë një vizite në Kosovë, saktësisht më 1nëntor të vitit 1989, vetëm pse kishte marrë pjesë në një demonstratë të organizuar në Prishtinë, ishte rrahur dhe burgosur i vëllai Nazif Hoti.
Ky rast e kishte acaruar edhe më tepër Ragipin.

Ai vazhdimisht kishte menduar armatosjen dhe vetëmbrojtjen. Me të shpërthyer lufta në Kroaci i sigurt, që flakët e kësaj lufte do ta përfshinë edhe Kosovën, më 13 maj të vitit 1991, e braktis përfundimisht Kroacinë.

Një mbrëmje një shqetësim të tij, Ragipi, e diskuton me djalin e axhës së tij, Ahmet Bajram Hoti, profesor i lëndës së Kimisë në gjimnazin “8 Nëntori “ të Podujevës, dhe kryetar i LDK-së, Aktivi në Bradash.

Meqenëse, Muharremi dhe Bajrami e kishin kultivuar një dashuri dhe respekt brenda familjes Ragipi për çështje të rëndësishme çdoherë konsultohej me djemtë e axhës së tij, Ahmetin dhe Xhevatin, me këtë të fundit ishte edhe vërsnik.

Ragipi një burrë i guximshëm qyshkur regjimi kriminal i Serbisë, nisi t’i kërcënoj nëpërmjet mitingjeve popullsite shqiptarët, sikur më 28 qershor 1989 në Gazimestan të Kastriotit( ish-Obiliq), e Fushë-Kosovë, asnjëherë s’ dilte jashtë pragut të shtëpisë pa armë.

Ai e kishte njoftuar Ahmetin që po përcillej çdo hap, nga Shërbimi i fshehtë serbë dhe e kishte lutur që t’ia siguroj pesë -gjashtë bomba dore, i vendosur që ato t’i hedh në Stacionin e Policisë në Podujevë, Kërpimeh apo Lluzhan, në mënyrë që të marrë me vete sa më shumë policë mizor e vrasës të Serbisë.”

Sigurimi shtetëror serbë me informatorët e tij, në terren nën dyshimin që edhe në Bradash, kishte filluar organizimi i shtabeve vetëmbrojtëse, kishte kohë që i mbante në mbikëqyrje aktivistët Ahmet Bajram Hoti, Ismail Rushit Revuçi dhe Xhafer Hajzer Hoti.

Eco Higjiena

Në mënyrë që të krijohej frikë dhe pasiguri tek fshatarët në vendin e quajtur Kalina, ishin pozicionuar edhe njësite ushtarësh rezervistë të ashtuquajturës Jugosllavi, në fakt Serbi, që i mbante nën sqetulla si macja miun miopët e Malit të Zi dhe maqedonasit e Maqedonisë së Veriut, të pa identitet kombëtarë dhe të pa dinjitet njerëzor.

Serbia kontingjente të reja ushtarësh kishte sjellë edhe në kazermat në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Pejë, Gjilan, Gjakovë dhe Ferizaj. Thjesht, Kosova ishte nën Administrim ushtarak dhe policor të Serbisë.

Praninë e këtyre njësiteve rezerviste në këtë pjesë të Bradashit e kishin vërtetuar edhe Arif Ejupi, veprimtar KMDLNJ-së, dega në Podujevë dhe Ridvan Slivova, fotoreporter i gazetës” Zëri ditor” të Prishtinës. Ata me veturën e tij” Opel Cadet 1000“ deri afër vendit të ngjarjes i kishte shoqëruar Islam Sherif Ejupi.

Ahmet Hoti nga frika e ndonjë arrestimi të mundshëm kishte planifikuar largimin e përkohshëm nga Kosova. Më 17 maj të vitit 1991,në orët e mbrëmjes së bashku me bashkëshorten, kishte shkuar tek miqtë e tij në Podujevë, e të nesërmen kishin planifikuar udhëtimin për në Gjermani.

Më 18 maj të vitit 1991, pas ngrënies së mëngjesit ,diku në ora 9:00 e 50 minuta, Muharremi, Ragipi, Xhevati dhe Rexhepi, dalin tek vendi i quajtur “Bunari i Barashit “ për të pritur minibusin që qarkullonte në linjën Kërpimeh- Podujevë dhe anasjelltas.

Meqenëse të shtunat në Podujevë, çdoherë ishin ditë tregu ata donin që t’i kryenin disa punë shpejt e shpejtë, e kohën e mbetur ta kalonin në biseda me miq e shokë.

Ndërkohë vije edhe minibusi i drejtuar nga Xhafer Çitaku i fshatit Bajçinë. Derisa udhëtarët përgatiteshin për të zbritur dhe hyrë në minibus një çun i ulur në sedilen e pasme sinjalizon shoferin, duke i thënë se po përcilleshin nga një Patrullë e Policisë serbe.

Shoferi duke dashur që t’i ikë provokimit të policisë serbe, hap rrugë, në mënyrë që ata të parakalojnë.

Mirësjellja ndaj këtyre policëve të egër ishte pa efekt . Ata të armatosur deri në dhëmbë me të arritur minibusi tek varrezat e fshatit Peran të Podujevës, e ndalojnë dhe fillojnë kontrollimin e udhëtarëve.

Muharrem Hotin, babain e Ragipit e urdhërojnë që të kthehet në shtëpi. Kjo sjellje primitive e policëve serbë e zemëron pamasë Ragipin.

Ai në ato çaste i revoltuar nga gjesti i ultë i policëve serbë kishte thënë:”-Eu -eu, që taksirat na ka zënë. Loparët e Serbisë, me na caktuar rregulla e rend në shtëpinë tonë”.

Polici serb që ishte përgjegjës i ekspeditës shfrynte mllefin e tij me sharje e ofendime ndaj udhëtarëve shqiptarë.

Ragipi, sypatrembur në mbrojte të nderit dhe krenarisë shqiptare me vrull nxjerr nga beli revolverin e tij “Beretta 92”dhe nën parzmore mbërrin me ia fut tytën, këtij banditi dhe arroganti.

I goditur me 15 plumba në stomakun e dhjamosur polici serb, përnjëherë bije si i pa kokë në asfalt. Krismat e kapelës së metaltë shkëputur nga koka e tij, linin përshtypjen sikur mbi te, të ketë shkrepur rrufeja.

Në rrëmujën e krijuar Ragipi, i vërsulet edhe një polici tjetër të cilit mundohet t’ia rrëmbejë automatikun. Gjatë përleshjes me thikën e tij e plagos në qafë këtë egërsirë të uritur për gjak shqiptari.

Të lemerisur nga heroizmi i Ragip Hotit dhe frika që edhe ata mund të pësojnë, dy policë të tjerë nga kallashnikovët e tyre derdhin breshëri plumbash mbi Ragipin.

Pas plagëve të marra në dyluftim me këtë ekspeditë kriminelësh serbë Ragip Muharrem Hoti, ndërron jetë, duke e fuqizuar edhe më tepër eposin e kreshnikëve llapjanë, që ranë në Beteja me hordhitë fashiste serbo-sllave.

Policia kriminale e Serbisë, shkaktare e këtij incidenti të rëndë bllokon rrugën Kërpimeh-Podujevë dhe rrugën që shpie në fshatin Bradash.

Nga jehona e krismave të Armës së Ragip Hotit, alarmohet edhe Beogradi zyrtar. Në vendngjarje vinë forca të shumta policore.

Papritur mbërrin dhe një helikopter i cili e bart njërin nga policët e lënduar rendë, sipas të gjitha gjasave të vdekur drejt Serbisë. (Beogradi asnjëherë nuk i bënte publike vrasjet apo plagosjet e policëve serbë, nga frika që s’ do të arrinte mobilizimin nëpër efektiva e brigada të policëve dhe ushtarëve të rinj ).

Kurse vetura e ndihmës së shpejtë policin e therur në qafë e transporton në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës. Sipas disa burimeve ende të pa verifikuara polici i lënduar në qafë ishte fëmijë kolonizatori nga Vitia e Kosovës.

Po ashtu në morgun e këtij Spitali, dërgohet për obduksion edhe kufoma e Ragip Hotit.
Në shenjë hakmarrje që Ragip Hoti, një burrë trim tmerroi një ekip të armatosur deri në dhëmbë të xhandarmërisë së Serbisë, pa kurrfarë faji në Stacionin e Policisë në Podujevë, dërgohen Xhevat Bajram Hoti dhe Rexhep Zeqir Hoti, kushërinj të Ragipit.

Ata në këtë stacion mbahen deri në ora 20:00. Me këtë rast nga harbut serbë të ardhur nga stalla derrash e dosash të Serbisë,si Xhevati ashtu edhe Rexhepi, rrahën me mjete të forta në mënyrë çnjerëzore.

Gjithashtu në Stacionin e Policisë në Podujevë, torturohet rëndë edhe Naser Sahit Çitaku, pasagjer i minibusit, nga Bajçina e Podujevës.

Meqenëse nga kjo ngjarje e trishtë kanë kaluar mbi tri dekada të keqtrajtuarave të tjerë që nuk u janë cituar emrat u kërkojmë falje deri në përkulje.

Pas lirimit të tyre Dr. Selman Hoxha, specialist i Mjekësisë familjare dhe veprimtar i KMDLNJ-së, dega në Podujevë, një periudhë dhe Kryetar, i kësaj organizate joqeveritare, sikur në shumë raste të tjera tregohet i guximshëm dhe humanist i pashoq.

Dr.Hoxha, përveç ndihmës së dhënë mjekësore Xhevatin e lënduar rëndë, nëpër rrugë dytësore me veturën e një miku të tij, e çojnë në fshatin Bradash.

Muharremi që ende nuk e kishte tërhequr kufomën e të birit Ragipit, kur e sheh të gjallë Xhevatin gëzohet tepër, ngaqë druante që kriminelët serbë mund ta mbysin apo ta gjymtonin.

Xhevati, me profesion inxhinier i elektroteknikës në cilësinë e mësimdhënësit dha kontribut të jashtëzakonshëm në Shkollën e Mesme Teknike “ Fan Stelian Noli” dhe në Gjimnazin “ 8 Nëntori “ tani “ Aleksandër Xhuvani” të Podujevës.

Me të kuptuar lajmin tragjik nga Podujeva në Bradash, mbërrin edhe Ahmet Hoti. Meqenëse ai kërkohej nga policia serbe nga frika që mund të hasë në postblloqet e ngritura kudo, detyrohet të hyjë rrugicave të arave dhe livadheve, të përmbytura nga reshjet e shiut.

Me të arritur në shtëpi Ahmetin e merr ngrykë Muharremi, babai i Ragipit. Nga pikëllimi dhe dhembja e madhe për Ragipin, të dytë shkrehen në vaj. Ky moment i rëndë të gjithë të pranishmit i bënë me lot.

Me gjithë dhembjen e madhe për humbjen e Ragipt,38 vjeç, familja Hoti, kishte rënë në hall s’e si ta nxirrte nga morgu kufomën e tij.

Diku 13- të, familjarë e të afërm të Ragip Hotit, ishin tubuar tek pompa e derivateve, që gjendej ngjitas me Motelin “Besiana” në Podujevë, me shpresën që do të gjejnë ndokënd me ndonjë furgon, për ta bartur trupin e pajetë të dëshmorit Ragip Hoti, deri në Bradash.
Ramë Buçaj, sipërmarrës i njohur në Llap, e mbi të gjitha bamirës i madh shprehë gatishmërinë që me furgonin e tij, ta bëjë transportimin e kufomës së Ragip Hotit.

Meqenëse ishte krijuar situatë e tensionuar kishte të ngritura post- blloqe të shumta të policisë serbe. Sofija, bashkëshortja e Ramës ,ndihej mjaft e shqetësuar . Ajo e porosit disaherë Ramën, që të bëjë kujdes.

Z. Ramë Buçaj, sot 77 vjeç, atë ditë të rëndë e kujton si njërën prej ditëve më të vështira të jetës së tij.

Rama thotë” Qysh në hyrje të Spitalit të Përgjithshëm të Prishtinës, ishte stacionuar një numër i konsiderueshëm policësh serbë. Pas sqarimesh se unë po bëja vetëm punën e taksistit mezi u lejova që të shkoja para portave të morgut.

Atje përveç policëve në uniforma vërejta edhe inspektorë të shërbimit të fshehtë të Serbisë. Njëri prej tyre që ishte njëfarë udhëheqës i grupit thotë Rama, nisi të më provokojë duke më thënë” Ti, kur janë në pyetje shqiptarët këtë punë e bënë falas . Kurse mbi trupat e policëve tanë kalon me furgon pagrimë mëshire.

Rama një burrë i pjekur me këtë rast tregohet i matur dhe gjakftohtë. Ai ishte i vetëdijshëm që ky farë eprori shkurtabiq situatën gati shpërthyese donte që ta kthej në përleshje të re me familjarët e Ragipit.

Njëri prej policëve që veten e konsideronte po ashtu njëfarë zyrtari kishte vazhduar debatin me Ramën, duke i thënë, pse nuk qani për personin e vrarë, aludonte në Ragipin, kur familjarët e policit serb të plagosur nga komuna e Vitisë së Kosovës, nga vaj dhe britmat e kanë çuar peshë spitalin.

Rama kishte thënë që britmat dhe vajet nuk përkojnë me traditat tona . Pas përfundimit të kësaj bisede provokuese dhe të pakëndshme Rama dhe 13- të , familjarët e Ragip Hotit, dërgohen në Stacionin e Policisë, që gjendej përballë Pallatit të Sporteve “ Boro e Ramizi” në Prishtinë.

Ata të gjithë merren në pyetje dhe kontrollohen veç e veç. Pas këtij kontrollimi të bezdisshëm dhe të tensionuar lirohen të gjithë.

E diku pas një pritje prej katër-pesë orëve u lejohet tërheqja e kufomës së Ragip Hotit.
Në Bradash ku duhej të zhvillohej ceremonia e varrimit të heroit Ragip Muharrem Hoti, kishin mbërritur mijëra njerëz nga të gjitha trojet tona.

Natën tragjike në familjen e Muharrem Hotit, kishte shkuar Adem Demaçi, i cili afër tri dekada i kishte kaluar në burgjet skëterrë të ish-Jugosllavisë., me synimin e vetëm që Kosovën ta bëjë Republikë, të shtatë të ish-Jugosllavisë, me të drejta të barabarta me serbët, kroatët sllovenët, hercegovasit, malazezët e maqedonasit.

Enkas nga Duboviku i Deçanit në Bradash, kishte ardhur edhe Ajshe Gërvalla, nëna e heronjve Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, vrarë me një atentat të turpshëm së bashku me Kadri Zekën, më 17 janar të vitit 1982, në Untergruppenbach të Gjermanisë, nga UDB-a, jugosllave, organizatë e fshehtë kriminale, identike me organizatat terroriste.

Nënë, Ajshja, me zemrën e çeliktë dhe fjalët e praruara i kishte ngushëlluar prindërit, shoqen dhe fëmijët e Ragipit, duke u thënë” Djemtë si Ragipi, janë krenari jona mbarëkombëtare”.

Ndërsa nga Lidershipi i atëhershëm kosovar në Bradash ishin parë udhëheqës të lartë të LDK-së, të nivelit lokal dhe atij qendror, që asokohe ky subjekt politik, vlerësohej si Lëvizje mbarëkombëtare.

Gjithashtu me praninë e saj familjen Hoti e kishte nderuar edhe zonja, Luljeta Pula Beqiri, kryetare e parë e Partisë Socialdemokrate të Kosovës.

Në fushën që si shihej fundi në të djathtë të rrugës që çon në lagjet Spahiu e Revuçi, ishin mbledhur të moshuar e të rinj.

Ata me pjesëmarrjen e tyre masive prej mbi 40 mijë vetave donin që ta nderonin Ragip Hotin, i cili tregoi heroizëm të rrallë, në dyluftim me neofashistët serbë, të cilët të hipnotizuar nga përrallat e mitomanëve dhe priftërinjve infantil, kishin menduar s’e i nënshtrojnë dhe poshtërojnë lehtë shqiptarët.

Çdonjëri që doli në binën e improvizuar tha fjalë zemre dhe shpirti për Ragipin, i cili me heroizmin e treguar u bë udhërrëfyes dhe motivues i mijëra djemve e vajzave, që rrokën armët dhe u rreshtuan në radhët e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa diktat e imponim.

Ata që mëtojnë dashuri, humanizëm dhe përkushtim të sinqertë ndaj Atdheut, vende pelegrinazhi duhet t’i kenë varret dhe fushat e mejdanit, ku djem dhe vajza, me gjakun e tyre të derdhur ëndrrën tonë për Liri e Mëvetësi e bënë realitet !


ARIF EJUPI
P. S. Autori i këtij artikulli dhe Z.Nexhmi Adem Balaj, ishin të pranishëm në ceremoninë e varrimit të dëshmorit Ragip Muharrem Hoti, në cilësinë e veprimtarëve të KMDLNJ-dega në Podujevë.