UBT

Ra fjala për pushimet verore të “turistëve” tanë

/ 12 minuta lexim
Uji Dea

Nga Shefik Shkodra – I dashur, rrallë e hedh kokën jashtë derës në këto ditë. Vera e zhegut tropikal ka përfshirë edhe sivjet çdo skutë të Kosovës. “Xhevzja (në trotuar) po vëlon”. Megjithatë, mjaft lëvizje nëpër qytezat tona. Dendur dhe me shumë dinamikë, veçanërisht në dy muajt më të nxehtë, korrikut dhe gushtit. Është e çuditshme se, q’prej se kanë filluar të vijnë në pushime qytetarët tanë nga bota e jashtme, vështirë është të gjejsh vend të lirë nëpër restorante dhe kafiteri.

Kush me familje (fëmijë, të rinj, por edhe të moshuar), kush me shokë e shoqe, grupe-grupe, në tryeza për ushqim e për pije, shumë bukur! Edhe këta nikoqirët, t’i quajmë kështu, janë përpjekur që çdo rrugë e rrugicë të improvizojnë për “hatër”, edhe nën ballkone përkohësisht me cerada, madje edhe trotuaret janë zënë me tavolina për t’u bërë vend pushimi “turistëve”…Dhe, karrige s’ka për të tjerët, ose shumë rrallë. As natën as ditën. Është një fat i mirë për nikoqirët, por edhe për krejt vendin, që këta njerëz kalojnë pushimet në Kosovë! Është shenjë e mirë! Të gjithë ua shohin “hajrin”. Disa punë kanë mbetur në gjysmë pa u krye, qoftë prej rrugëve e parqeve, ujit e kanalizimit, por ka edhe diçka të mirë. Dyqanet tregtare janë njësoj si ato në botën e jashtme, të furnizuara me të gjitha. Edhe ushqimoret edhe për veshmbathjet. Sa për artikujt ushqimor, nuk u dihet kur është fjala te afati i qëndrim në disa vende.

Gjatë këtyre dy muajve nuk pranë jehu i muzikës tallava. Restoranti i qendrës së kasabasë është përherë, për çdo natë i zënë. Bëhen dasma, syneti e “ziafete” të tjera. Për këta dy muaj e kanë vendosur që të gjitha obligimet t’i kryejnë, dikush hyn në shtëpi a banesë të re. Kryesorja, kënga dhe hareja s’ka të ndalur. Mundohet edhe pushteti lokal që të mos ua “prish” qefin. Ndonëse, aty këtu, dëgjohet se qefi i dikujt i kthehet në idhnim. Sidomos, me përdorimin e armëve të zjarrta, kur janë me pije të “zjarrta”. Për fat të mirë, kësaj herë në kasabanë tonë më pak janë shfaqur raste të tilla. Do të thotë, njerëzit po vijmë duke “mbledh mend” . Megjithatë, aksidente në trafik kanë ndodhur, jo veç me dëme materiale, por edhe me vdekje. E më shumë në anët tjera.

Ngarkesa në terren pa zgjidhje

Me mija e qinda kilometra rrugëtim nga vende të ndryshme evropiane deri këtu. Shumica me familje përplot ngarkesë. Vullneti i madh për ardhje në vendlindje. Gjithnjë me durim të madh. Edhe pritja shumë e gjatë në kufinjtë Serbi – Kosovë. Pastaj, këtu rrugët natë e ditë janë të ngarkuara me vetura, edhe vendorët nuk janë krejt këmbësorë, por kur i shtohen ato nga “evropianët”, nuk mund të dilet. Vetura andej e këndej. Ka të reja e konform, ka edhe teneqe të hedhura e pa asnjë vlerë standardi, të sjellura nga shqiptarët deri këtu. Herë-herë, kur ndalesh dhe i vëren kolonat, ndonjëri prej vozitësve shfaq nervozë. I fishkëllejnë njëri-tjetrit, që të ecë sa më shpejt. Tash, këtu gati secili, nuk dëshiron të pres fare. Për çudi, ka njeri që ndalet në rrugë me veturë dhe bisedon me tjetrin në anën tjetër. Dy anët e ngarkuara. Rrugët janë të ngushta, parkingje nuk ka të mjaftueshme. Edhe shenja komunikacioni nuk ka sa duhet. Nuk ka polic rrugor që mund të drejtoj dikë, apo të udhëzoj.

Tepër mirë është gjendja! Këtu shihet mos parashikimi i planit urbanistik, ashtu si do të mund të jetohej në mënyrë të rehatshme. Nejse, ka edhe diçka mirë, sëpaku në mbrëmje merr pamjen solemne kasabaja, si të ishte vërtet një qytet evropian. Të shumtën sheshet e ndriçuara. Kafiteri përplot secili sokak me kafiteri e shitore tjera, pikërisht për t’ua bërë të mundshme pushimin këtyre musafirëve sa më mirë. Duket se edhe reduktime të rrymës pak ka në këtë kasaba, por pjesa më madhe ka edhe ujë të pijshëm, me përjashtim të ndonjë prishje të aty këtushme. Por, ka edhe disa pishina për larje, këta janë deti i kosovarëve…

Dobia nga diaspora jonë

Qe nga vitet e shtatëdhjeta e këndej, njerëzit tanë jo veç që kanë kontribuar për familjen e vet, por edhe për të tjerët. Diaspora, sikur e quajnë rregullisht në këto kohë, e edhe e mbajnë në gojë duke e pas lavdëruar se ka bërë mjaft për Kosovën, ka edhe një ministri tashmë, e cila me siguri ka një bashkëpunim dhe komunikim me ta. Me siguri që kjo ministri ka bërë organizime kulturore nëpër këto kasabat e vendit. Ka edhe ndonjë takim sa për pyetje e përgjegje. Në këto biseda mun të behet fjalë për shumëçka nga jeta e përditshme, që të njohtohen bashkatdhetarët. Bie fjala, për zhvillimet politike, për rritjen ekonomi e mundësitë për investime, për prodhimtarinë e tashme dhe punësimin e njerëzve të Kosovës në vendin e tyre. Pastaj, çfarë lidhjesh kanë sot ata të diasporës me vendin e tyre. Rinia dhe ruajtja e identitetit të tyre, etj.

Nga këta qytetarë në do kohë e deri më sot, vendi ynë ka pas veç të mira. E më së miri e dinë ata që ishin strehuar dikur nga rreziku i pushtetit të atëhershëm. E dinë edhe ata që kanë mbledhur “tre përqindëshin”, apo ata me atë parullën “atdheu ju thërret”, kështu disi më dukej ishte. Diaspora ka mbajtur edhe familje skamnore. Ka ndihmuar (disa) pas luftës në sigurimin e shtëpive për ata që kishin mbetur pa kulm mbi kokë. Me një fjalë, pjesa më e madhe e tyre janë edhe protagonistët e ngjarjeve te ne, prej 1981, 1998, e deri më sot.

Uji Dea

“Plaga e Kurbetit” kaherë është verifikuar

Sikur do ta quanin komunitet tjetër vetveten shqiptarët me punë përkohëssheme në botën e jashtme…

Një pjese të madhe atdhetarësh iu është paguar koha e shkuar në kurbet. Sidomos këto njëzet vitet e fundit, kur kriza ekonomike e politike kanë qenë dhe vazhdon të jetë shumë e thekësuar këtu te ne. Një njeri ka inkuadruar në punë edhe anëtarë të tjerë të familjes. Kanë bërë kapital. Edhe janë shkolluar besa një pjesë e të rinjve të tyre. Nga ana tjetër thuhet se, “buka e kurbetit është e hidhur”! A është kështu, a jo?! Rrënimi nga mosha, ata nëkurbet duket se i ka tjetërsuar: – Tungjatë! – kush është more ky? – A s’po e njeh, a? – Jo more, çfarë të njohuri! – Po ky është… që me një klasë kemi qenë me te në tetëvjeçare. -Kam harruar krejt. Ia shikon duart, pas tridhjetë e sa vitesh, nuk i ka më të çara e grritha-grritha si në vitet e fillimit, kur kishte shkuar, përkundrazi i janë tëholluar. Duket sikur punon ndonjë punë “me laps”, apo më shumë bën ndonjë pushim mjekësor. S’ka diskutim, se një pjesë e këtyre që punojnë në botën e jashtme duken si më të rënduar psikikisht. E kanë diçka më vështirë se këta vendorët. Një kohë të gjatë, i janë nënshtruar një gjuhe, sjellje dhe janë të ekspozuar një atmosfere kulturore krejt tjetër në jetën e përditshme. Një ndjenjë e të kaluarës, nostalgjia për vendin, miqtë e shokët është edhe dhimbje, bie fjala: “qe, sa shpejt iku koha!” etj. Koha ikë çdo kund njësoj, por…Por, ka edhe të tillë që, më shumë “bëhen” se sa vërtet manifestohet ndonjë ndryshim i natyrshëm në personalitetin e tyre. Se mund ta themi këtë pa ngurrrim, është verifikuar disa herë, kur njeriu ka pak para në xhep, i duket vetja se “nuk prek përtokë”.

Ani ndonjëri, ndonjëra shumë larg e “hedh kliçkën”, sikur të gjithë që jetojnë këtu, në vend të vetin, nuk llogaritën më si njerëz të barabartë me ata/ato që janë të punësuar në botën e jashtme. Bile edhe analfabetët që bëjnë punë “me susta në shpine”, (e kjo është puna e parë për shumicën e të huajve në ato vende), nuk e mendon veten nën një komandant me gradë të lartë, jo nënoficer. Mirë është! Krenaria duhet të ekzistoj për çdo njeri! Megjithatë, mendoj se pjesa më e madhe e këtyre njerëzve sikur kanë fituar një kulturë dhe janë bërë më të civilizuar. Jo nga tregimet e nga maniret ekstreme vetjake, vetëm pse kemi mësuar ndonjë fjalë të huaj. Jo veç pse kemi pasë para për të blerë vetura të shtrenjta, as pse jemi mësuar të përdorim ajfon, për t’u krenuar e për të “shitur mend” në të “thatë” para të tjerëve, por nga nevoja e çdoditshme, të arsimuar e të kalitur…
***
Edhe gjatë shkollimit, kur jemi marrë me interpretimin e vjershave, prozave të ndryshme, artikujve publicistik, qysh për kohën e rilindasve tanë, kemi mësuar për pasojat e kurbetit. Por, erdhi kohë e shpejtë ta përjetojmë edhe me prindërit, fëmijët e të afërmit tanë. Kurbeti ka shëruar një plagë të madhe, atë të skamjes, por ka lënë edhe pasojat tjera socio-kulturore. Ne, dikush këtu, shpesh kemi biseduar për fatin e kurbetçarëve tanë, duke pas parasysh një mori të ligash. Sidomos, sot kur familjet e tyre jetojnë në ato vende të huaja jashtë rrethit shqiptar. Atje kanë lindur fëmijë dhe janë rritur si është më mirë. Por, shihet vërtet se, të gjithë ata të rinj që kanë lindur dhe janë rritur në ato vende kanë trashëguar e përfituar të gjitha sjelljet e po atyre vendeve.

Kulturën dhe gjuhën. Duket se e kanë marrë edhe ngjyrën e atyre viseve. Do të thotë, vendlindja, gjuha dhe kultura është po atje dhe nga ato vende prej nga vijnë. Tjetër nuk njohin për vend të vetin. Edhe po të dëshironte sa të dojë prindi, të ushtruarit e një gjuhe në fëmijëri të atij rrethi, ajo mbetet “gjuha e nënës”. Shumë pak kanë mundur të ndikojnë tek fëmijët brezat e rritur atje. Prandej, s’është çudi, kur i dëgjon grupe fëmijësh e të rinjësh, e madje edhe të moshuarish, duke kuvenduar në ato gjuhë (gjermanisht, frëngjisht, italisht…) dhe ndoshta, edhe të përdorin ndonjë fjalor të fëlliqtë për tallje, sa të bëjnë humor me njerëzit dhe vendin e etërve të tyre. Ngjashëm e përshkruanin gjendjen socio-kulturore rilindasit në kohën e tyre. Sigurisht me një dhimbje të veçantë të asimilimit kombëtar. Janë shkruar e kanë mbetur vepra të ndryshme lidhur me kurbetin…

Shqiptaria dhe gjithëqytetaria e sotme

Askush nuk e zbukuron më mirë se të rinjt qytetin, sidomos në këta muaj zhegu të verës. Dhe ne, një gjeneratë që gati e kemi kaluar kohën tonë, nuk mund të mendojmë tjetër, pos për të rinjtë tanë. Si do të kalojnë një jetë më të mirë se ajo që na përshkoi deri më tash. Përpjekja që sa më mirë të përshtaten në rrethin e për rrethin ku jetojnë në veshë, në gjuhë, në sjellje e ndeja, në çdo gjë tjetër, shihet se nuk është krejt spontane. Të gjithë të veshur/a secili e secila më mirë se tjetri/ra. Sidomos femrat, pjesa më e madhe, janë shumë entuziaste për veshje gjithfarësh. Asgjë nuk dallon nga rinia e jashtme. Jo, diçka dallon. Janë më të shëndoshë, më të zhvilluar fizikisht. Më të harmonishëm. Ndoshta, më krenar se kushdo tjetër në botë. Por, duket se në mesin e tyre ka mjaft kompleksiv.

Kush e di nga e si kjo pjesë janë të ndrydhur psiqikisht, por mbulohen sikur krejt është normale…këtë e hetojmë, nga disa aspekte. Një që është më i shpërfaqur e që na duket mjaft simptomatik për të shpërthyer kudo, është një xhelozi, qoftë të mashkulli qoftë te femra. Dhe, xhelozia për dashurinë e pafund për partnerin e vet te secili është shumë normale, madje manifestim mjaft i natyrshëm. Por, xhelozia nga mosbesimi te partneri apo nga ndonjë shkak tjetër, është shenjë e kompleksit që degradon dashurinë në mes të rinjve…si duket kjo po u shkakton edhe mosmarrëveshjeve e divorce. Njësoj po ndodh edhe me rininë këtu në vend. Po, më shkurt, përpiqemi të identifikohemi natyrshëm si pjesë e shqiptarisë, para se të na përpij lirshëm, pa asnjë pengesë rrethi i pakufishëm i gjithëqytetarisë…!