UBT

Qosja: Ndihem keq kur ia zgjati doren deputetëve

/ 22 minuta lexim

Akademiku Rexhep Qosja këto ditë vizitoi Tiranën pas 10 viteve, duke shkelur një premtim të bërë prej tij se nuk do të shkelte në kryeqytetin e Shqipërisë përsa kohë vendin e drejton Sali Berisha. Ç’e detyroi akademikun të thyente premtimin e tij? Si e sheh ai situatën e fundit politike në vend? Ç’mendon për pushtetarët e Kosovës?
Po për ndryshimet gjuhësore të propozuara, ndër vite dhe ato të propozuara së fundmi?

Këtyre dhe të tjera pyetjeve profesor Rexhep Qosja u dha përgjigje në një intervistë për emisionin “Shqip” të gazetares Rudina Xhunga, që u transmetua mbrëmë nga TCh. Po transmetojmë pjesë të shkëputura nga kjo intervistë.

Rudina Xhunga: Ka njerëz që ju thonë se ju jeni i Kosovës, pse duhet të flisni dhe të shpreheni kaq shumë për çfarë ndodh në Shqipëri sepse mbase ju nuk e njihni realitetin? Ç’ është Shqipëria për ju profesor?

Rexhep Qosja: Së pari, jo unë, por të gjithë kosovarët e kanë quajtur Shqipërinë, nëna Shqipëri. Ne jemi rritur me këtë fjalë, nëna Shqipëri dhe gjithmonë prej së keqes, prej rrezikut kemi shikuar të shpëtojmë në Shqipëri. Unë po ju them juve sonte, diçka që nuk e kam thënë ndonjëherë. E gjithë familja e të parëve të mi ka ikur në verën 1913 dhe ka gjetur shpëtimin në Shqipëri. Aty babës tim i kanë vdekur të gjithë, vetëm një xhaxha i ka mbetur gjallë. Aty i ra tifoja e morrit, kur ishin mërgimtarë dhe ishin të vendosur në Barbullush me çadra.

Të gjithë u sëmurën, pjesa më e madhe kanë vdekur ndërsa babai im, një djalë i ri 22 vjeçar, shpëtoi. Pra, ata ikën dhe e gjetën shpëtimin në Shqipëri dhe të gjithë kosovarët e kanë kërkuar shpëtimin në Shqipëri. E gjithë rinia jonë që ka marrë pjesë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, kanë hyrë nëpër burgje duke shqiptuar fjalinë nëna Shqipëri. Shqiptaria ishte atdheu i tyre dhe unë në moshën 15 vjeçare kam shkuar në Prishtinë dhe aty jam rritur, shkolluar, kam kryer fakultetin, jam martuar, kam krijuar familjen time.

Por unë them se vendlindjen e kam në një vend, por unë jam rritur në Kosovë dhe ajo praktikisht është vendlindja ime por unë them se atdheu im njëkohësisht është Shqipëria. Unë kam atdhe Kosovën por kam atdhe edhe Shqipërinë dhe këto dy atdhe nuk i ndaj, janë një i vetëm për mua dhe prandaj kam përkushtim të njëjtë, dashuri për të dy këto atdhe dhe i shikoj dhe reagoj njësoj ndaj të këqijave që ndodhin atje dhe këtu. Mjerisht, në Shqipëri po ndodhin më shumë të këqija se në Kosovë. Sot, edhe në Kosovë kanë filluar të shtohen të këqijat, të ngjashme me këto në Shqipëri dhe disa gjëra që iu përshtaten kushteve të Kosovës, reagoj ndaj atyre dhe këtyre. Dhe do vazhdoj të reagoj me padurim derisa të ma mbajë penën kjo dorë, domethënë derisa të jem gjallë.

Rudina Xhunga: A ka diçka personale në marrëdhënien tuaj të shprehur në libra apo intervista, me Sali Berishën, profesor?

Rexhep Qosja: Pse të ketë diçka personale? Njeriu mund të ketë diçka personale 1 minutë, 5 minuta, gjysmë ore, 2 ditë apo tre ditë por nuk mund të ketë me vite. Unë nuk kam asgjë personale kundër Sali Berishës, nuk kam arsye të kem. As kohë nuk kam, me punët që kam, të merrem me gjëra personale kundër tij. Unë kam personale kundër regjimit të Sali Berishës dhe mendoj se ky regjim e ka dëmtuar Shqipërinë, veçanërisht me 1997, po ashtu me 1998 dhe mandej e ka dëmtuar në vazhdimësi, e ka dëmtuar në Gërdec dhe në vrasjen e katër protestuesve. I përmenda këto sepse janë rezultat i një politike të gabuar dhe dëmtuese. Këto janë krime.

Populli e ka një fjali të mençur e cila thotë: Nëse shala e vret kalin, fajtor është ai që është në shalë, domethënë i zoti i kalit. Sali Berisha ishte figura kryesore e Shqipërisë kur këto gjëra ndodhën. Epo, nuk mundet të jenë fajtorë figura fare të parëndësishme e të jetë i pafajshëm ai. Epo nuk është e pranueshme që, ajo që ndodhi në Gërdec, të mbajnë përgjegjësi disa njerëz që nuk mund të konsiderohen të rëndësishëm, e të jenë të pafajshëm ata kryesorët që u morën me fatin e armëve, ato që dhanë urdhra se duhej bërë ajo punë, ato që duhej ta dinin sesi mund të zhduken armët disa kilometra larg Tiranës.

Epo kjo është e papranueshme sepse në çdo vend tjetër këta njerëz do thërriteshin përpara përgjegjësisë. Nuk mundet të shpallen fajtorë ato që kanë vrarë katër protestuesit, nuk mundet. Një mendje e shëndoshë nuk e lejon këtë. Dikush i vrau këta njerëz, ne duhet ta dimë kush i vrau, si dhe pse i vrau. U vranë katër protestues, në Evropë nuk ndodh diçka e tillë. Ato futen në parlament dhe askush nuk i vret.

Ne duhet ta dimë kush i vrau protestuesit dhe ata që dhanë urdhër për vrasjen e protestuesve, dhe duam të dimë ata që politikisht u pajtuan dhe kërkuan që të merren masa të këtilla ndaj protestuesve. Përgjegjësia shkon deri tek qeveria e Shqipërisë në çdo vend normal. Pas vrasjes së katër protestuesve, në Evropë, kryeministri nuk do mund të ishte aty ku është. Pas vrasjes së katër protestuesve dhe mënyrën sesi u vranë në Shqipëri, Ministri i Rendit Publik dhe Shefi i Gardës nuk do mund të ishin aty ku janë.

Sikur të ndodhtë 1997 në Evropë dhe të vriteshin gjithë ato njerëz, të bëheshin gjithë ato shkatërrime, dhe ta vazhdonin të ishin deri sot në politikë, ata njerëz që ishin figurat kryesore nuk do ndodhte të ishin në politikë.

Rudina Xhunga: Çfarë tradite ka profesor, traditën e një vendi të pushtuar?

Rexhep Qosja: Po, megjithatë ka pasur disa standarde etike që e kanë bërë të mos pajtohet. I pushtuar po por disa vlera i ka ruajtur, i ka ndërtuar mirëpo gënjeshtrën dhe mashtrimin nuk i ka pranuar, ka reaguar ndaj tyre. Hajde pra, reago edhe sot. Ndoshta po ndodh një çudi pikërisht sepse ka qenë i pushtuar. Populli ynë kënaqet me një pushtet i cili nuk e rreh, nuk e fut në burg dhe kjo mjafton. Kjo është e gabuar.

Populli duhet të ketë kërkesa, populli duhet të jetë i pakënaqur, populli duhet ti vejë shumë kërkesa njerëzve të pushtetit dhe të mos lejojë çfarë janë duke bërë sot. Ne kemi njerëz të pushtetit që janë pasuruar në mënyrë fantastike. Si është e mundur kjo? Si është e mundur që për pesë vjet, gjate, shtatë apo dhjetë vjet të bëhen milionerë të shumëfishtë? Ne e dimë si kanë qenë të rinj dhe kush janë sot, i dimë si kanë ardhur në qytete, në Tiranë, si kanë ardhur në Prishtinë.

Janë bërë milionerë me makina luksoze, me truproja, me përcjellje me shkëlqim. Nuk denjojnë të mbajnë mbledhje në Tiranë apo Prishtinë por shkojnë dhe i mbajnë në vende turistike për të kaluar më mirë. Anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Prishtinës vijnë për të mbajtur mbledhje në Durrës për t’u gostitur, për të pushuar dhe ndoshta për t’u larë. Do t’ju tregoj disa shembuj.

Këto ditë, dëgjova dhe lexova, se si deputetët e Kuvendit të Kosovës, përveç rrogës që kanë, që nuk dihet sa e kanë, marrin 250 euro për mbledhjet në muaj. Ajo mbledhje mund të zgjasë 1 orë, 2, 3 apo një ditë dhe për një mbledhje ato marrin 250 euro. Edhe nëse nuk marrin pjesë në mbledhje ato i marrin 250 euro. Përveç këtyre 250 eurove për një mbledhje, këto njerëz marrin edhe nga 100 euro për mbledhje të komisioneve në të cilat ata janë dhe janë në shumë komisione. E dëgjuam në medien e Kosovës prej disa institucioneve.

Dëgjuam gjithashtu se si zyrtarë të lartë të Kosovës, deputetë, ministra, zv. Ministra etj., punojnë në pesë vende dhe marrim pesë rroga mes të cilëve edhe Kryetari i Prishtinës dhe Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Një mësues, merr aty afër 250 euro ndërsa deputeti për dy orë në një mbledhje apo një ditë, merr 250 euro. A janë në vete këta njerëz? Ku jetojnë këta njerëz? Kanë vendosur atje, kanë aprovuar ligje dhe rregullore, do kenë pensionin ata që kanë një mandat 4 vjet, do kenë pension 75 përqind të rrogës.

E shikoni? Nëse do jenë në dy mandate, do ta kenë edhe më shumë. Nëse këta deputetë do jenë 15 vjet, do ta kenë pensionin aq sa është e gjithë rroga. Po ku jetojnë ata? A e dinë ata që, nuk jam i sigurt 17 për qind apo 25 për qind e kosovarëve, jetojnë në varfëri të skajshme. Si pranojnë ata të sillen kështu? Kush iu thotë të sillen ashtu? A mundet deputeti i Francës, Gjermanisë, Holandës, Belgjikës, Danimarkës, Italisë, Spanjës, Greqisë, Finlandës të kenë këto privilegje? Sigurisht që munden por në Kosovë nuk mundet. A e dini se mua, prej asaj dite që i kam dëgjuar këto të dhëna, që një deputet merr për një mbledhje 250 euro, mua më vjen turp t’iu them mirëdita kur i shoh.

Vërtetë turpërohem t’iu them mirëdita. Si mund t’iu them mirëdita kur mendoj kështu siç po mendoj dhe po ju tregoj i padurueshëm për ta? Sepse e kanë sjellë veten në një gjendje shfrytëzuese, gllabëruese të të mirave të Kosovës në dëmin e popullit të Kosovës. Përafërsisht, kështu më thonë se është gjendja edhe në Shqipëri. Mjerisht, fatkeqësisht, populli hesht përpara këtyre gjërave.

Mirëpo nuk duhet të heshtë, populli duhet të ngrihet kundër këtyre dhe t’i detyrojë këta njerëz të heqin dorë prej privilegjeve. Unë e dëgjova tani se një djalë i ri në Kosovë, i një partie që nuk shet shumë mend për këto punë, ka bërë shpenzimet më të mëdha me makinën e tij, me naftë e të tjera.

Ata lëvizin me makina të shtetit, të Kuvendit dhe e kanë makinën dhe naftën pa pará dhe e kanë celularin me të cilin flasin, thuhet se deri në 100 euro në muaj. Mund të ndodhë që me shpenzimet e Kuvendit të harxhojnë për veten e tyre. E shikoni, të gjitha i paguan Kosova, celularin, makinën, truprojat. Aman, si mundet të ndodhë kjo në Kosovë e në Shqipëri.

Vijnë me pushime në detin e Shqipërisë, shkojnë me pushime në Mal të Zi me makina shtetërore dhe i vozit shoferi shtetëror. E ku ndodh kjo? Ministri gjerman i Mbrojtjes e përdori një automjet a një helikopter shkoi diku me të dhe u quajt si përdorim korruptiv pasi nuk kishte të drejtë ta përdorte dhe për këtë u detyrua të japë dorëheqjen. Dhe kjo ka ndodhur në kohën e luftës në Kosovë.

Mobi Casa

Një deputet i Norvegjisë, ka udhëtuar me aeroplan nga një vend në tjetrin brenda Norvegjisë. I kanë thënë, zotëri, mund të udhëtosh me veturë sepse është më lirë. Ai ka kërkuar falje duke pranuar se kishte bërë gabim dhe ka dhënë dorëheqjen. Epo këta tanët nuk japin dorëheqjen. Këta, duan të shfrytëzojnë sa më shumë. Gjykojnë thjesht me shprehjen “një herë vjen vera nga dera”. Atyre iu ka ardhur vera nga dera dhe duan ta shfrytëzojnë sa më thellë.

Rudina Xhunga: Profesor, kohë të shkuara, kur ju humbët nga zgjedhje, në kohën kur Lidhja Demokratike fitoi, ndërsa pritej fitorja e UÇK-së, ju u larguat nga politika, besoj edhe i zhgënjyer. Tani, do të largoheni përsëri i zhgënjyer nga kauza juaj për të ndihmuar në pjekjen politike të shqiptarëve me qëllim që të mos iu thonë derrit dajë, të mos iu thonë po këtyre shpenzimeve të turpshme të njerëzve që i përfaqësojnë? A do të vazhdoni të flisni, të shpreheni, të ndikoni apo do të vijë momenti që do të zhgënjeheni?

Rexhep Qosja: T’ju them sinqerisht, i zhgënjyer, i dëshpëruara, jam mjaft, shumë, tepër. Nuk e kam menduar në këtë mënyrë as të ardhmen e Kosovës dhe as të ardhmen e Shqipërisë. Kemi ëndërruar për pavarësinë e Kosovës, kemi ëndërruar për marrëdhënie të afërta, vëllazërore me Shqipërinë, të nisem nga Prishtina dhe për tre orë të jem në Tiranë nëpër një rrugë ë mrekullueshme. E kemi ëndërruar këtë.

Pavarësia ishte si një dhuratë e Zotit. Por që të ndodhnin të gjitha këto, ku të dilte një klasë, një kastë, një oligarki, që kaq pamëshirshëm do e përvetësonte, do e plaçkiste pasurinë e përgjithshme, këtë nuk e kam pritur. Që ka kaq përdorime, kaq nepotizëm, kaq familjarizëm, kaq shpërdorime të papërgjegjshme, kaq shumë veprime ndëshkuese, penale, shpesh kriminale për të cilat nuk përgjigjet askush, nuk e kam pritur. Jo, nuk e kam menduar kurrë kështu.

Unë nuk e kam menduar se dikush do të mund të jepte mësim në mësim, që nuk e di a është tamam i pjekur për të dhënë mësim e për të dalë përpara studentëve, në pesë universitete. Nuk e kam pritur as këtë. Nuk e kam pritur që të ndodhë që një zyrtar i lartë, të marrë rroga në pesë vende. Epo këto gjëra të dëshpërojnë shumë.

Dikur, një idealist i Kosovës, i cili ka bërë shumë vite burg, i dëshpëruar në këtë mënyrë iu ka thënë disa kolegëve të vet, “a po më tregoni ku është më së largu që të shkoj atje?” Ai e ka thënë në mënyrë figurative, sepse nuk mund të jetonte aty ku nuk kishte shqiptarë, aty ku bën e vepron. Edhe unë kur dal jashtë Prishtinës, me të gjitha të këqijat që ndodhin në Shqipëri dhe Kosovë, pas 2 javësh apo tre javësh, mua më merr malli, nuk mund të duroj dot dhe dua të kthehem tek këto të këqija.
Por po e pranoj se dëshpërimi im, keqardhja, pikëllimi është shumë i madh, pakënaqësia është shumë e madhe dhe shumë shpesh kam dëshirë të jetoj diku tjetër. E di që nuk mundem por e kam këtë dëshirë që më përsëritet shumë shpesh.

Rudina Xhunga: Vërtetë që të vjen shumë keq të flasësh kaq shumë për politikë kur me ju mund të ndash shumë e shumë të tjera. Mund të ndash shumë dashuri për gjuhën për shembull, për gjuhën shqipe. Por pyetja ime është, pasi edhe gjuha varet nga politika, çfarë po ndodh me gjuhën shqipe profesor?

Rexhep Qosja: Po të shohim çfarë është bërë dhe thënë për gjuhën prej vitit 1991 e këndej do shohim se disa vite, kanë kaluar duke folur fjalët më të rënda dhe cënuese, shpesh më fyese, dhe me të drejtë, për gjuhën standarde si gjuhë që e ka bërë politika, që e ka bërë Enver Hoxha, thonë. Unë kam qenë delegat i Kongresit të Drejtshkrimit në vitin 1972 dhe kam qenë njëkohësisht anëtar i Këshillit Organizues. Kemi qenë nga Kosova Idriz Ajeti dhe unë, ai si gjuhëtar i shquar ndërsa unë si drejtor i Institutit të Albanologjisë dhe i di disa gjëra që kanë ndodhur dhe janë bërë.

Kështu, di që gjuhën standarde e kanë bërë gjuhëtarët shqiptarë si Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, babai i gjuhës standarde Androkli Kostallari dhe gjenerata e sotme e mesme që janë një varg emrash të njohur sot si Emil Lafe e me të tjerë, shumë të merituar për fjalorin e gjuhës shqipe dhe krijimin e gjuhës standarde shqipe.
Gjuhëtarët që kanë bërë studime të historisë, të gramatikës, të fonetikës, morfologjisë së gjuhës shqipe janë gjuhëtarë që janë çmuar kudo, që janë paraqitur me shumë sukses nëpër Republikat e ish Jugosllavisë, në Greqi, Hungari, Rumani, dhe në shtetet e ndryshme të Evropës. Gjuhëtarët shqiptarë dhe historianët shqiptarë ishin gjuhëtarë dhe historinë me autoritet evropian të çmuar, kudo paraqiteshin.

Këta njerëz e kanë studiuar mirë gjuhën shqipe dhe pas shumë vitesh kanë organizuar Kongresin e Drejtshkrimit dhe kanë bërë gjuhën standarde duke konsultuar njëkohësisht edhe Kosovën se në Kosovë është mbajtur më parë një Kongres, në vitin 1968 e quajtur Konsulta e Gjuhës Shqipe në të cilën gjuhëtarët e Kosovës dhe populli shqiptar i Kosovës janë deklaruar për gjuhën standarde që të aprovohet në Shqipëri. Pra, gjuha standarde është fryt i përpjekjeve të krijimit të gjuhës standarde prej rilindjes kombëtare e deri sot dhe është fryt i studimeve të gjithanshme diakronike dhe sinkronike që janë bërë në gjuhën shqipe.

Gjuhën standarde shqipe nuk e ka krijuar politika, nuk e ka krijuar Enver Hoxha. Po ta kishte krijuar unë do i thosha të lumtë, ke bërë vepër madhështore, veprën më të madhe gjuhësore, kulturore, politike, kombëtare, historike në jetën e popullit shqiptar. Dhe do t’i thosha se Kongresi i Drejtshkrimit është një arritje shumë e madhe.
Pas sjelljeve të këtilla shpërfillëse, fyese ndaj gjuhës standarde kanë vazhduar mandej, pas disa viteve me këtë gjuhë për të, kanë vazhduar përpjekjet për krijimin e një gjuhe standarde tjetër, madje përpjekje për ndryshime rrënjësore me këtë gjuhë standarde që do të bënin një gjuhë që dikur i thoshin “një gjuhë si rrobat” që mund ti veshë çdo njeri. Epo është pak e vështirë kjo.

Pastaj përpjekjet për të krijuar një gjuhë standarde të Kosovës meqë Kosova do bëhej shtet dhe duhej të kishte gjuhën e vet standarde sepse Kosova do jetë komb i veçantë dhe do ketë gjuhën e vet të veçantë. Kemi ende disa të tillë sot që ashtu mendojnë. Këto përpjekje, bashkë me autorët e tyre, kanë parë se nuk kanë ardhmëri, janë përpjekje të dështuara. Disa prej këtyre përpjekjeve, në disa raste, kanë gëzuar frymëzime edhe prej disa vendeve të tjera por duket sikur kanë hequr dorë prej këtyre përpjekjeve dhe tani disa gjuhëtarë janë përqendruar në disa ndryshime që i quajnë të vogla që duhet të bëhen në drejtshkrimin e gjuhës shqipe dhe në një farë mënyre iu kanë kërcyer në shpinë.

Kanë dal për shembull disa që thonë se duhet hequr e-ja me dy pika. Ne duhet ta dimë se edhe ata që kanë bërë gjuhën standarde e kanë hequr e-në pa zë prej fjalëve të gjinisë femërore në fund. Tani këta gjuhëtarë duan ta heqin e-në pa zë si për shembull fjalën “aleancë” e donin pa zë në fund dhe po ta bënim këtë i bie që të thoshim “aleanc” dhe kështu diskutohej për një varg fjalësh të tilla. Mirëpo duhet të shqiptohen.

Përjashtimet që i kanë konstatuar ata që kanë bërë gjuhën standarde Androkli, Çabej, Shaban Demiraj e disa gjuhëtarë të tjerë disa duan t’i bëjnë rregulla dhe me ato rregulla realisht duan të cënojë më shumë standardin. Po u cënuan disa rregulla atëherë cënohet standardi dhe kështu i bie të mos kemi gjuhë pra, gjuhën standarde që kemi. Unë për vete jam kundër. Mendoj se cënimi i standardit është një e keqe tepër e madhe për popullin shqiptar. Nuk është thënë kot, një gjuhë, një komb, një gjuhë standarde.

Po ta cënojmë këtë standard 40 vjeçar, çfarë do të ndodhë më pas? Çfarë do të ndodhë me kulturën tonë, shkencën tonë, letërsinë tonë, krijimtarinë tonë në përgjithësi, çfarë do të ndodhë me arkivat tona, dokumentacionet tona shtetërore, arsimore, policore, ushtarake, administrative, të Kuvendit, qeverisë etj. Dëmi do të ishte katastrofal. Mendoja e shëndoshë nuk e çon mendjen atje, nuk shkon atje, nuk merret me këto.

Mund të bëhet aty-këtu ndonjë korrigjim por jo korrigjime që cënon gjuhën, që cënon standardin e gjuhës. Kemi shumë punë përpara për të bërë. Të arriturën e madhe të popullit shqiptar, të arriturën historike ta duam, ta mbrojmë dhe ta çmojmë. Duhet ta mbrojmë mbi të gjitha prej fjalëve të huaja që janë bërë gjithnjë e më shumë cënuese dhe fyese për gjuhën tonë. Ne kemi fjalët shqipe, ç’duan fjalët e huaja kur ne kemi tonat? Ne kemi fjalën e bukur Kuvend, shumë e bukur, mblidhen burrat dhe kuvendojnë për problemet e popullit.

Ndërsa sot quhet parlament. Pastaj kemi fjalën tjetër të bukur, pleqësi, një fjalë e vjetër por shumë e bukur dhe me kuptim. Tani kanë futur edhe në Universitete e shkolla fjalën senat. Pastaj, kemi fjalën kuvend, ndërsa tani e duan konventë, kemi fjalën drejtpërdrejt tani përdorin live. Epo ç’duan këto fjalë të huaja kur ne kemi gjuhën shqipe? Fjalët shqipe tingëllojnë shumë bukur prandaj duhet ta mbrojmë atë prej fjalëve të huaja.

Kjo është diçka shumë e rëndësishme. Në shtetet evropiane, për të futur një fjalë të huaj ekzistojnë ligje, duhet të merret leje prej institucioneve më të larta shtetërore. Kështu ligjesh ka Franca, Hungaria, Finlanda etj. Gjuhën duhet ta mbrojmë dhe jo të përpiqemi ta rrënojmë apo të cënojmë standardin e saj. Flitet për fjalët e gegërishtes sikur nuk janë lejuar. Kjo nuk është e vërtetë, kurrkush nuk e ka thënë se fjalët e gegërishtes nuk duhet të përdoren në gjuhën standarde.

Unë kam lindur atje ku flitet gegërishtja dhe më thonë se shumë fjalë të gegërishtes i përdor në veprat e mia. Po i përdor dhe kurrkush nuk mi ka fshirë edhe pse botohen këtu në Tiranë. Asnjë lektor nuk i ka hequr. Natyrisht që nuk mund të përdoren fjalë të tilla si kokot që është gjeli pasi është sllavizëm. Ka një varg sllavizmash që nuk mund t’i fusim në gjuhën standarde.

Rudina Xhunga: Ju ndjeheni mirë me gjuhën standarde, ju vet kur flisni profesor, apo ndjeheni ngushtë?

Rexhep Qosja: Jo, ndjehem mirë. Mund të bëj gabime aty-këtu, më shkon gjuha tek fjala gege por ndjehem shumë mirë dhe mund të them se në dallim prej atyre që thonë se të rinjtë nuk i dinë e nuk flasin mirë, kjo nuk është e vërtetë, e flasin mirë, sidomos gjeneratat e shkolluara. Para se të na i rrënonte Serbia universitetet, e flisnin për mrekulli gjuhën. ta dëgjosh të riun, nxënësin dhe ta dëgjosh plakun si e flet gjuhën standarde, do çuditesh, do mrekullohesh me gjuhën që flasin nxënësit dhe të rinjtë. Ndihem mirë dhe ndihem keq kur e shoh që gaboj në përdorimin e gjuhës standarde.

Rudina Xhunga: Kush po vë dorë tek gjuha sipas jush?

Rexhep Qosja: Unë po them se një numër i vogël i njerëzve të cilët kanë disa paragjykime krahinore, lokaliste të cilat nuk na duhen, janë të dëmshme dhe e dyta njerëz të cilët kanë ngarkesa politike. Pra, është faktori politik dhe lokalist që i frymëzon këto përpjekje për të prekur themelet e gjuhës standarde. Shpresoj që këto përpjekje të dështojnë. Rëndësia e gjuhës standarde është më e madhe se të gjitha përpjekjet e tjera për cënimin e saj./Indeksonline/