Nue Gjergji vlerëson lart Robert Ukajn: Kosova ka nevojë për njerëz me vizion dhe përgjegjësi
Viti – Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, Robert Ukaj, po vazhdon të marrë vlerësime dhe mesazhe të shumta përkrahjeje gjatë fushatës së tij zgjedhore, duke u shndërruar në një nga figurat më të përfolura të LDK-së në Anamoravë dhe më gjerë. Mbështetja për Ukajn po vjen si nga qytetarët, ashtu edhe nga veprimtarë e personalitete të njohura të LDK-së në diasporë. Njëri ndër ta, veprimtari Nue Gjergji, ka vlerësuar se Robert Ukaj po zhvillon një fushatë dinjitoze, të qetë dhe të afërt me qytetarët, duke fituar respekt e besim në çdo takim me elektoratin.
Sipas tij, pritja pozitive që Ukaj po merr në qytete e fshatra të Anamoravës nuk është rastësi, por rezultat i angazhimit të tij shumëvjeçar në strukturat e LDK-së në Zvicër dhe lidhjes së vazhdueshme me komunitetin shqiptar në mërgatë. I propozuar nga Dega e Parë e LDK-së në Zvicër, Ukaj shihet si përfaqësues i një brezi aktivistësh që kanë kontribuar për Kosovën nga diaspora dhe që synojnë ta sjellin këtë përvojë në institucionet e vendit.
Gjatë gjithë fushatës, Robert Ukaj është pritur ngrohtësisht nga elektorati i LDK-së, ndërsa pjesëmarrja e madhe në takimet e tij dhe mesazhet e vazhdueshme të mbështetjes kanë dëshmuar se kandidatura e tij po perceptohet si një vlerë e shtuar për përfaqësimin e Anamoravës në nivel qendror.
Nue Gjergji vlerëson lart kandidaturën e Robert Ukajt, duke e cilësuar si një profil me integritet, përvojë dhe qasje moderne në politikë.
Sipas tij, Kosova sot ka nevojë për njerëz që sjellin angazhim të sinqertë, kulturë pune dhe përvojë të fituar brenda dhe jashtë vendit, në funksion të qytetarëve dhe zhvillimit të shtetit.
Ai thekson se përfshirja e diasporës në procese vendimmarrëse është një vlerë e shtuar për vendin, ndërsa Robert Ukaj përfaqëson pikërisht këtë urë lidhëse mes Kosovës dhe mërgatës.
Në këtë frymë, Gjergji apelon për një mbështetje më të gjerë ndaj vizioneve që synojnë forcimin e institucioneve, zhvillimin ekonomik dhe rikthimin e besimit qytetar në politikë dhe në partneritetet ndërkombëtare të Kosovës.
Në reagimin e tij, Ukaj ka shprehur mirënjohje për besimin e marrë nga qytetarët, duke theksuar se kjo mbështetje përbën motivimin më të madh për të vazhduar angazhimin e tij politik dhe qytetar.
“Faleminderit nga zemra për mbështetjen gjatë gjithë fushatës. Jam mirënjohës për besimin dhe përkrahjen tuaj”, ka shkruar ai.
Njohës të zhvillimeve politike në rajon vlerësojnë se profili i Robert Ukajt, i ndërtuar mbi përvojën në diasporë, afërsinë me qytetarët dhe angazhimin e vazhdueshëm në strukturat e LDK-së, po gjen jehonë të veçantë te votuesit, duke e bërë atë një nga kandidatët më të mbështetur të kësaj gare në Anamoravë./rajonipress/


