Fundamenti

Qeveria s’ka koment për Trepçën

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Kërkesa për hartimin e një ligji të veçantë për Trepçën brenda 90 ditëve nga Qeveria e Kosovës, iniciuar nga Grupi Parlamentar i LDK-së, e që ishte përkrahur edhe nga një numër i madh i deputetëve, duket se nuk është marrë fare në shqyrtim nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Ministri Fadil Ismajli nuk ka qenë i gatshëm të prononcohet për një gjë të tillë, duke u arsyetuar nga asistentja e tij se është tejet i zënë me takime. “Ministri nuk mund të përgjigjet, ka takime të njëpasnjëshme”, ka thënë ajo.

E vetmja gjë që ka thënë Ismajli për Trepçën që nga marrja në udhëheqje e kësaj ministrie është se janë të interesuar se çfarë po ndodh me të. “Nuk kemi kompetencë të menaxhojnë me të, mirëpo jemi të interesuar se çfarë po ndodh”, kishte deklaruar ai. Iniciuesi për hartimin e një ligji të tillë, deputeti i LDK-së, Sadri Ferati ka thënë se nuk ka informacione nëse ka filluar hartimi i tij ose jo. “Në rekomandime që janë votuar në Parlament, ministria përkatëse duhet që brenda 90 ditëve ta sjellë ligjin në votim, ende ka kohë por nuk kam informacione, tash është edhe ndërrimi i ministrit, por nuk e di a ka filluar, a është formuar ndonjë grup, a është duke hartuar sepse është në kompetencë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik”, ka thënë Ferati.

Sipas tij, iniciativa për një ligj të veçantë për Trepçën është marrë duke parë të arsyeshme se deri në vendimin e Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme lidhur me kreditorët të krijohet një autonomi për Trepçën në mënyrë që të zhvillohet kjo ndërmarrje. “Ky proces në Dhomën e Veçantë do të marrë kohë edhe shumë vite, nuk ka kuptim që të pritet deri atëherë të kufizohet Trepça. Në ligjin e ri kërkohet që Trepçës t’i krijohet autonomia vendimmarrëse në mënyrë që ajo të gjenerojë zhvillim dhe vende të reja të punës dhe këtë çështje nuk mund ta bëjmë me legjislacionin aktual”, ka thënë ai. Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, është shprehur skeptik lidhur me këtë gjë pasi që sipas tij nuk mund të bëhet asnjë ligj për 90 ditë. “Ligji i fundit që është miratuar vitin e kaluar është në fuqi, nuk ka ndonjë ligj tjetër, nuk mundet ligji të bëhet për 90 ditë”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ylli Kaloshi ka thënë se lidhur me mundësinë e përfshirjes së Trepçës në një ligj tjetër, Agjencia respekton ligjin e vet, Neni 5, ku thuhet: “Nëse një rregullore ose ligj që është në fuqi dhe që është shpallur nga një autoritet kompetent publik në Kosovë pas 10 qershorit 1999 i cakton përgjegjësinë për administrimin e aseteve të përcaktuara në nen-paragrafi 1.2. të paragrafit 1. të këtij neni një organi tjetër publik, Agjencia nuk do të ketë autoritet mbi këto ndërmarrje, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të atij ligji ose rregulloreje”.

Fundamenti

Ndërsa sipas tij, AKP është e gatshme për t’u angazhuar dhe për të dhënë kontributin e vet në procesin e hartimit të çdo ligji që ka të bëjë me këtë ndërmarrje. Kaloshi ka thënë se ende nuk ka një vendim për të ardhme e kësaj ndërmarrjeje. “Nuk ka vendim as për privatizim, as për likuidim, as koncesionim. Një vendim për të ardhmen e Trepçës do të merret në bashkëpunim me institucionet e larta, Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës, pasi që, siç dihet, Trepça është një nga asetet kryesore për zhvillimin ekonomik të Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërsa Halil Qela, ushtrues detyre i drejtorit të Trepçës ka thënë se derisa është bërë një kërkesë e tillë në Parlament, është parë e nevojshme nga deputetët për të ndryshuar ajo çfarë nuk është në ligjin aktual. Sa u përket interesimeve të shumta nga Serbia për këtë ndërmarrje, Qela ka thënë se “kjo varet nga shteti i Kosovës se a do të jemi të kujdesshëm t’i vendosim argumentet tjera rreth asaj se a janë hisedarë apo plaçkitës në një kohë mjaft të dyshimtë”.

Lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes nga Konzorciumi amerikan dhe Qeveria e Serbisë për nxjerrjen e mineraleve nga “Trepça”, e cila është cilësuar si e paligjshme nga autoritetet qeveritare të Kosovës, Qela ka thënë se kjo është një përpjekje për ta shfrytëzuar kohën e mosmarrjes së vendimeve të drejta dhe të nevojshme nga ana e vendorëve.

Ndërsa sa i përket asaj se a rrezikon Trepça të mbetet nën administrimin e pjesës veriore të Mitrovicës, aktualisht nuk është folur për një rrezik të tillë pasi që menaxhohet nga AKP-ja. Trepça është përfshirë në procesin e riorganizimit, bazuar në Ligjin për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre dhe ligjeve tjera të aplikueshme dhe në fuqi, dhe ky proces është i kontrolluar nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme.(zeri)