UBT

Puthja

/ 2 minuta lexim

Poezi nga Anton Marku

Për puthjen nuk pyetet më shumë se një herë
Dhe atëherë kur pyetet bëhet sa për kortezi

Përgjigjen e japin sytë e etur për më shumë
Në çastin e duhur, të pritur për aq shumë kohë

Nga buzët nis e merr udhë dhe më e madhja dashuri.

RRETH GOJËS SATE

Po ndodhi të më harrosh ditëlindjen
Do ta fal

Edhe po më harrove ngjyrën e syve
Numrin e kopsave në këmishë
Emrin e lagjes
Katin e banesës
Numrin e derës
Edhe këtë do të ta fal

Veç diçka e di
Se edhe po deshe
Puthjen e mbarmë
Nuk se si t‘a harrosh

Ajo ishte ngjitëse
E nuk do të dalë një tjetër
Që t‘a shlyejë

Sepse unë jam aty
Në çdo të çarë lëkure

Rreth gojës sate.

PASHMANGSHËM

Fundamenti

I mbaj mend
Netët që nuk i lamë t’i mbyllin sytë

Fjetjet tona të përdala

Kur asgjë nuk mungonte
As nuk tepronte
As nuk lihej për nesër

Derisa duarve tona rrëshqisnin
Gotat e zbrazura me fund

E ndonjë kopsë e shkëputur këmishe
Rrotullohej nën krevat
Sa herë që dashurisë
I huazonim gjithçka.

ALFABETI I DASHURISË

Nata e kishte mësuar
Se në dhomën e huaj
Duhet ecur majë gishtave

Nëse muret janë pa të çara
Lejohen ofshama
Me gjysmë zëri

Fqinjët nuk duan të ja dinë
Çfarë ndodhë andej vrimës së çelësit

Nga mirësjellja
Dritaret mbahen mbyllur
Që hukamat nga brenda
Të mos dalin jashtë

Po u lagën flokët
Nga ndonjë puthje kalimthi
E nëpër qafë rrëshqitën pikëza avujsh
Atëherë e dinte se ia ka vlejtur
Të pritet mesnata zgjuar
Me kokën mbështetur
Në një gjoks bohemi