Pushteti ndjek personazhin (tregim)

/ 9 minuta lexim

Nga Nuhi Ismajli – E kam ditur se, posa i dhashë shpirt në tregimin tim, e kam marrë më qafë, se edhe atë të shkretin nuk do ta lënë kund të qetë. Merreni me mend, lexues të nderuar, nuk do ta lënë të qetë as personazhin tim.

Unë, vërtet, nuk e bëra me qëllim të tillë, ashtu, siç e bëra, sepse ai ashtu m’u imponua dhe unë nuk kisha çare pa e nxjerrë pikërisht ashtu, siç është ai në tregimin tim. Ai duhet të vuajë, sepse kundërshtari im është e do të jetë edhe kundërshtari i tij. Posi. Çdo pushtet i ndjek kundërshtarët e tij. Normal. Jo, duhet thënë: normalisht, e jo normal. Normalisht, çdo pushtet i ndjek kundërshtarët e tij, po unë mendoj, se pushteti i rrejshëm, pushteti kallp, vuan shumë, vuan nga shumë defekte, kështu kundërshtarët i ndjek edhe më tepër, pasi ndjehet tepër i rrezikuar nga ata që ia thonë të metat, që e zhveshin krejtësisht para masës, kështu që ai është i ndjeshëm në këtë pikë dhe nuk lë gjë pa bërë, të mos i bien puplat, se çka do të bëjë pastaj, si do të mbahet, si do të tregohet mbret e të sundojë?! Kush do ta dëgjojë një pushtet të zhveshur krejt, kush do t’i bindet, se sa për t’i shërbyer, as që mund të bëhet fjalë.

Prandaj, lexues të nderuar, edhe pushteti i rrejshëm, që thotë se ia ka shtruar popullit rrugën me lule, nuk i duron hiç shkrimtarët, po, nuk i do hiç dhe i urren tepër edhe personazhet që flasin hapur sesi duket pushteti i rrejshëm, personazhet që ankohen, revoltohen, personazhet që kërkojnë një pushtet më të mirë, më njerëzor…, prandaj, të tillët, pushteti, si ky yni, për të cilin e kemi fjalën, e fton personazhin në bisedë informative, e fton në raport, e nxjerr para gjyqit, pse ka folur, çka ka folur, çka është ankuar, pse akuzon pushtetin, ku guxon ta akuzojë pushtetin etj., etj., sepse pushteti që ia ka shtruar popullit “rrugën me lule”, që ia ka siguruar gjithë ato “të mira”, që “duken” edhe prej qiellit, që ka “qeverisur aq mirë”, sa nuk ka një model tjetër në botë për krahasim, nuk ka qejf ta nënçmojë kush, ta zhvlerësojë, prandaj, një pushtet i tillë aq “human”, “progresiv”, “i avancuar”, “dobiprurës”, “i mençur” etj., etj., nuk e duron, nuk e duron aspak as personazhin, prandaj, e fton në bisedë informative, e fton në raport, e nxjerr para gjyqit, e nxjerr fatmjerin – personazhin Z., që krejt ratësisht e kemi pagëzuar me Z., se për ndryshe, shumë lehtë do të mund ta pagëzonim me T., me R., me Y. etj., etj., po ku merr vesh pushteti në letërsi ose çka lodhet aq pushteti të kuptojë personazhin në letërsi? Ai do personazhin konkret, do personazhin e gjallë para vetes, prandaj i fton zyrtarisht të gjithë ata persona, emrat e të cilëve fillojnë me Z, sepse edhe ata janë fajtorë, si ai personazhi Z., ai personazhi i revoltuar i tregimit, që qenka ankuar bukur shumë në pushtetin, i shkreti.

Prandaj, pushteti, për të cilin po bëjmë fjalë, lexues të nderuar, disa individë, për të cilët supozohet e dyshohet se shprehen kundërshtimin e revoltën kundër pushtetit “të dashur”, pushtetit “popullor”, pushteti që ia ka shtruar popullit rrugën “me lule”…, i ftoi në bisedë informative, i ftoi në raport dhe i nxori para gjyqit, sepse emri i tyre fillonte me Z.

Të parit Z., i thanë: Çka ke folur?! Çka je ankuar?! Çka kujton, bre, ti, ti të jesh kundër nesh, a?! Fol! Trego! Pse i ke thënë ashtu, atij, kishe shkrimtarit? Trego, tash, se ai Z., aty, në atë farë tregimi, është identik me ty!

Unë nuk kam thënë asgjë, tha i pari Z. Po, po, i thanë ata të pushtetit, trego, se ti rri me të! Ti je ankuar, se nuk po ta punësojmë djalin!. Po, unë nuk kam djalë për të punësuar!, tha i pari Z. Unë të gjithë fëmijët i kam të punësuar.
…?!
Ti po rri me atë, kishe shkrimtarin! Nuk është mirë që po shoqërohesh me të! Ki kujdes!

(Tërë qyteti informohet për ndodhinë e qytetarit, emri i të cilit fillon me Z., siç quhet krejt rastësisht emri i një personazhi).

Pas të parit Z., radha i kishte ardhur të dytit Z.

I kishin thënë ata, njerëzit e pushteti, pse po ankohesh?! Ti po kujton se ne mund t’i punësojmë të gjithë qytetarët?! A është bërë nami që nuk ta kemi punësuar djalin?! A nuk bën të presësh, po të ankohesh?! Ani kujt po i ankohesh, atij, kishe shkrimtarit!

Unë asgjë nuk po kuptoj!, kishte thënë i dyti Z. Nuk kam fëmijë për të punësuar. Të gjithë fëmijët i kam jashtë, në Zvicër e Amerikë. A po tregoni pse qenkam fajtor?!
Kemi dëgjuar diçka, kemi dëgjuar, i thanë të dytit Z. Shko, veç mos kujto se nuk po të përcjellim, se nuk po i dëgjojmë të gjitha!
…?!

Pas të dytit Z., radha i kishte ardhur të tretit Z.
I kishin thënë ata, njerëzit e pushtetit, pse po ankohesh?!
Çka po ankohem?!, kishte pyetur me habi i treti Z.
Ti po ankohesh se nuk po ta punësojmë djalin!, i kishin thënë njerëzit e pushteti. Se jemi më të këqij se ata që ishin para nesh! Se jemi qena!

Fundamenti

Jo, kishte thënë i treti Z., nuk jam ankuar!
Jo, po!, i kishin thënë njerëzit e pushtetit. Ti je ai! Ti vetë! A je ti i sëmurë?!

Po, ishte përgjigjur i treti Z.
A ke qenë i diferencuar dhe i përjashtuar nga puna?!, kishin pyetur ata.

Po, ishte përgjigjur ai.
A është e vërtetë se ke probleme kardiovaskulare?!
Po, ishte përgjigjur i treti Z.
A është e vërtetë se ke një djalë?!
Jo, kishte thënë i treti Z., unë i kam katër djem.
Po a është e vërtetë se djali yt ka magjistruar në teknologji dhe kërkon punë?!

Një djalë imi ka kryer mjekësinë, po kërkon punë, po deri tash nuk ka gjetur punë. Po e dërgojmë në specializim, tha i treti Z.

Ti po gënjen!, i thanë hetuesit. Ti je ai që je ankuar! Mbaje mend, do të na e shohësh sherrin dhe keq do të pendohesh!
…!!!

Tre individët, të cilët pushteti i kishte ngatërruar me personazhin Z. të tregimtarit, pasi edhe emri i tyre fillonte me Z, mezi kishin pritur ta takonin autorin e tregimit, t’ia tregonin ndodhinë dhe t’i ankoheshin për peripecitë që nuk i kishin merituar.

I pari Z.: Ku më gjete bash mua?! Më thirrën në raport. Më akuzuan ashpër dhe më thanë se hetimet do të vazhdojnë edhe më tutje. Po, jo, jo. E sqarova. Iu thashë nuk jam unë. Po, pse, bre, ti që po shkruan, nuk po e merr b., për shembull, po Z. Ai ka marrë njerëz më qafë, si anëtar i komitetit, ka diferencuar njerëz, le të dalë ai para tyre!

I dyti Z.: Dajo, nuk është mirë me na marrë nëpër gojë. Ku e gjete bash Z. Me Z. mund të nënkuptohem unë, ai tjetri, ai tjetri… Sa emri i njerëzve fillon me Z! Pse nuk po e merr shembull b. , që krejt qytetarët i quan spiunë, edhe pse të gjithë ne e dimë se ai vetë ka qenë spiun e i ka shërbyer çdo pushteti?! Edhe atij të pushtuesit!

I treti Z., i tmerruar nga kërcënimet e pushtetit: S’ka mbetur të të flasim më. Është bërë të dyshojmë edhe në vetveten! T’i frikësohemi edhe vetvetes! Për besë, s’e kam ditur se del kësi. Pak kam pasur probleme me ish-pushtetet, që të kem problem edhe me këtë pushtet?! Për besë, ta dish se na ka qitë në situatë të keqe! Ti që po shkruan, pse nuk po e merr si shembull atë që meriton ta marrësh, p. sh. b., që të gjithë njerëzit i shan për hir të këtij pushteti?! Merre atë si shembull! Le ta thirrin atë në raport! Le ta hetojnë! Le ta gjykojnë! Le ta shohë sa i mirë është ky pushtet, për të cilin ai i shan
të gjithë qytetarët!

Ndoshta atëherë mësohet ta dallojë shtetin, institucionet dhe pushtetin nga një pushtet i keq! Le ta dallojë pushtetin e mirë nga një pushtet i keq, që i shërben vetes e jo popullit! Le të mësojë se kur kritikojmë një pushtet të keq, ne nuk jemi kundër shtetit, institucioneve, as pushtetit, vërtet, njerëzor! Ne duam që shteti dhe institucionet tona të forcohen e të përsosen, po kjo arrihet vetëm me pushtetarë të mirë, jo me pushtetarë që nuk kanë interesin e shtetit, as të institucioneve, as brengën e njerëzimit! Le ta mësojë këtë b.! Le ta mësojë këtë edhe vetë pushteti i sotëm, se kundër një pushteti njerëzor nuk jemi! Atë e ëndërrojmë dhe e lakmojmë ditë e natë! E lakmojmë me shekuj! Veç, ti, mos m’i përmend këto që po i them! Të lutem…!

P. s.
E kisha bërë një gabim, pa qëllim. Kisha përdorur një Z të madhe me pikë. Sa emrat e njerëzve fillojnë me Z ?! Edhe sa vetë mund të torturohen dhe pastaj të vijnë të ankohen, si ata tre të lartpërmendurit?! S’ka fund!

Nuk e meriton ta hedhim në atë situatë as b. Para pushtetarëve që keqpërdorin pushtetin e keqtrajtojnë qytetarin nuk meriton të hidhet as vetë dreqi i zi!