ARKATANA

Pushteti maqedonas e ka shtypur krijimtarinë letrare shqiptare

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Prishtinë – Pushteti maqedonas në vazhdimësi është përpjekur ta shtypë krijimtarinë letrare shqiptare. Por kujdes ndaj letërsisë shqipe dhe vetë krijuesve, nuk kanë treguar as Kosova e as Shqipëria.

Shkaku i kësaj gjendjeje, krijimtaria letrare në trevat shqiptare brenda shtetit maqedonas ka nisur shumë më vonë sesa në Shqipëri e Kosovë. Një pasqyrim i letërsisë shqipe në Maqedoni është shpalosur të enjten nga profesori universitar Fatmir Sylejmani në tryezën “Letërsia shqipe në Maqedoni”, e mbajtur në Institutin Albanologjik te Prishtinës, organizuar nga Klubi i Shkrimtarëve të Kosovës.

“Letërsia shqipe në Maqedoni ka qenë e anashkaluar nga Tirana më shumë por edhe nga Prishtina”, ka thënë Sylejmani në tryezën ku i ftuar ishte edhe Salajdin Salihu, por i cili ka munguar. Sipas Sylejmanit rruga e krijimtarisë letrare në Maqedoni ka qenë më e vështire sesa ajo në viset e tjera shqiptare.

“Ajo u nis nga hiçi dhe u pengua nga të gjithë mekanizmat e mundshëm të pushteteve totalitare që nuk u ndalen kurrë me ndrydhjen e vullneteve tona”, ka thënë ai. Sipas profesorit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, pushteti maqedonas ka pasur frikë nga fjala e shkruar shqipe. Ka thënë se fjala e shkruar ka pasur fuqi të magjishme në ndezjen e frymës liridashëse.

“Për këtë shkak ky pushtet inauguroi eliminimin sistematik të njerëzve të kulturës e njerëzve të mençur”, ka thënë Sylejmani. Ai ka folur edhe për fillet e krijimtarisë letrare shqipe në Maqedoni. Ka përmendur shkrimet e Rexhep Vokës, (1844-1917), shkrimtar, dijetar e teolog.

“Ka lenë pas vetes një vepër të shkruar në arabisht me shkronja arabe që titullohet ‘Mendime’. Libri mezi arrin 10 faqe. Autori bën lutje dhe i këshillon shqiptarët të arsimohen e të respektojnë kombin dhe vetveten, të mësojnë, pos turqishtes, edhe gjuhën shqipe, e të mos mbeten të paditur si shtaza”, ka thënë ai tek ka shkruar se bëhet fjalë për një vepër që merret me edukimin e masave. Sylejmani ka thënë se kjo nuk është një vepër e mirëfilltë letrare. Duke iu referuar studimeve të historianit Ali Vishku, Sylejmani ka thënë se përpara Vokës në këtë territor ka pasur poetë bejtexhinj me emra dhe vepra që fatkeqësisht nuk u mbijetuan furtunave të kohës.

Hidromorava

“Sipas historianit Vishku ata madje kanë organizuar gara letrare e lexime nëpër tempuj fetarë. Këto aktivitete në veçanti i bënin në teqenë bektashiane ‘Harabati baba’ në Tetovë. Ali Vishku ka qenë një studiues i mirëfilltë”, ka thënë Sylejmani. Por pas vitit 1912 kur Shqipëria shpalli pavarësinë, nga shqiptarët krijues të Maqedonisë është shquar romancieri dhe dramaturgu Haki Stërmilli.

“Ai u formua si krijues në shtetin amë. Është i njohur me dramën ‘Dibrania e mjeruar’, romanin ‘Sikur të isha djalë’, ‘Kalorësi i Skënderbeut’”, ka thënë Sylejmani. Sipas tij, në vija të trasha në këtë kohë nisën fillet e letërsisë së shkruar në Maqedoni. Por pas Plenumit të Brioneve ishte zbutur në masë të justifikueshme dhuna ndaj shqiptarëve. Sylejmani ka thënë se në stinët e diktaturës moniste ata pak intelektualë shqiptarë që ishin në Maqedoni i ishin nënshtruar syrit vigjilent sepse maqedonasit kishin luajtur rolin e sejmenit të devotshëm serb, duke i persekutuar shqiptarët.

“Kjo mori në qafë disa krijues të cilësuar me talent shumë të veçantë. Dëshmi për këtë është burgosja dhe më pas eliminimi i mistershëm i poetit dhe dramaturgut Sadodin Xhura. Ai kishte botuar herët në faqet e ‘Jetës së re’”, ka thënë Sylejmani. Sipas tij të ngujuar në një hapësirë të ngushtë kulturore mes kufijve shtrëngues, pa një publik lexues e konkurrencë vlerash, krijuesit shqiptarë të Maqedonisë bënë jetën e të humburit duke u përpjekur që secili për vete të hapë rrugën e vështirë të xhunglës. Ka thënë se falë frymëzimit të rilindësit të fundit shqiptar, Esad Mekuli, nisi krijimtaria letrare e publicistike në gjuhën shqipe në Maqedoni dhe doli në pah një brez i ri krijuesish. Sipas tij, bëhet fjalë për kohën e paraqitjes në skenë të krijuesve si Murat Isaku, Abdylaziz Islami, Ali Aliu, e disa të tjerëve.

“Pastaj vjen Luan Starova. Më vonë erdhën Agim Vinca, Resul Bojku, Murtezan Arifi e të tjerë. Nga kjo plejadë krijuesish do të veçoja shkrimtarin dhe poetin e shquar Murat Isaku, autorin e romaneve me titujt shumë sugjestiv si ‘Plagët’ e ‘Kështjella’”, ka thënë ai teksa ka shtuar se në disa faqe të romaneve të Isakut duket sikur ka shkruar dora e Kadaresë. Sylejmani ka përmendur edhe shkrimtarë bashkëkohorë të cilët kanë arritur jo pak nam si Kim Mehmetin. Ka thënë se në ditët e sotme fati i revistave letrare ka mbetur në dorë të entuziastëve dhe shqiptarët në Maqedoni janë të varfër në këtë aspekt. Ka përmendur edhe faktin që atje botohen goxha revista me përmbajtje fetare.

“Revistat për fe janë budallallëk. Nuk kanë të bëjnë me fenë”, ka thënë Sylejmani.

http://koha.net/?id=4&l=59567

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.